Ipeshkvi Rrёshenit, imzot Gjergj Meta Ipeshkvi Rrёshenit, imzot Gjergj Meta 

Imzot Gjergj Meta: Misioni i Kishës në kohën e pandemisë

Imzot Gjergj Meta: Të shpallësh ungjillin në kohën tonë do të thotë ta thuash atë sipas gjuhës, gjendjes, jetesës, kushteve që koha na imponon. Ungjilli nuk vjetrohet kurrë pikërisht sepse është i gjallë e aktual.

R.SH. - Vatikan

Sot në Shkodër u mbajt pranё Seminarit Ndërdioqezan “Zoja e Këshillit të Mirë” takimi i përvitshëm i klerit tё Kishёs Katolike tё Shqipёrisё me rastin e  ‘Ditёs pёr Shenjtërimin Meshtarak’ qё bie nesёr, festën e Zemrës sё Krishtit. Para klerit dioqezanё e rregulltarё tё Kishёs katolike nё Shqipёri foli ipeshkvi i Rrёshenit, imzot Gjergj Meta mbi temёn “Misioni i Kishës në kohën e pandemisë”.

Nё vijim ju propozojmё pёrsiatjen e ipeshkvit tё Rrёshenit imzot Gjergj Meta, mbajtur sot mё 18 qershor, nё takimin me klerin e Kishёs katolike tё Shqipёrisё, pranё Seminarit Ndёrdioqezan "Nëna e Këshillit të Mirë" nё Shkodёr, nё pragun e festёs sё Zemrёs sё Krishtit, tё cilёn Kisha katolike romake, sivjet, e kremton mё 19 qershor 2020.

Imzot Gjergj Meta: Misioni i Kishës në kohën e pandemisë

DITA E SHENJTËRIMIT MESHTARAK

“Misioni i Kishës në kohën e pandemisë”

Shkodër 18 qershor 2020

1)  Një thirrje Shpirtit Shenjtë

2)  Përshëndetje e Mons. Peragine

3)  Nisja e reflektimit

Kemi menduar bashkë me Imzot Peraginen t’ju sugjerojmë një reflektim rreth kohës që po kalojmë, e shënjuar nga Pandemia e Covid-19. Në shumë anë ka pasur një reflektim rreth kësaj kohe e sidomos rreth ndikimit të Pandemisë në jetën e individëve, familjeve, ekonomisë, politikës, komuniteteve të ndryshme e sigurisht edhe në jetën shpirtërore të personave.

Edhe Kisha, në një mënyrë a në një tjetër, ka reflektuar në këtë kohë, duke marrë parasysh që pandemia e gjeti krejtësisht të papërgatitur për përgjigje të përshtatshme ndaj situatës së krijuar. Megjithatë reflektimi nuk ka munguar, sikurse edhe angazhimi.

Këtë pjesë të parë të takimit do t’ia kushtojmë reflektimit në grupe. Kam përcjellë disa ditë më pare, nëpërmjet postës elektronike, disa artikuj, shkrime, reflektime nga disa persona të njohur, rreth kësaj kohe pandemie. Jam limituar në autorë kishtarë, edhe pse, për hir të së vërtetës, ka edhe mjaft autorë jashtë kishtarë, madje edhe ateistë që kanë bërë reflektime shumë interesante rreth kësaj kohe, por që mund t’i gjeni edhe vetë. Gjithashtu këta autorë janë përzgjedhur nga shumë të tjerë që kanë shkruar shumë në këto kohë.

-  Artikulli i parë është i shkruar nga Timothy Radcliff, ish gjenerali i domenikanëve që aktualisht jeton në Oxford. Ky shkrim flet për raportin me kohën në këtë periudhë pandemie, kuptimin e pritjes dhe durimin në kohë izolimi dhe se si lutja e orëve mund të ritmojë këtë kohë e të kthehet në një stil jetese për gjithë kohën.

-  Shkrimi i dytë është nga Enzo Bianchi, Themelues i Komunitetit murgare të Bose-s, i cili me tone mjaft të qarta, deri diku edhe polemike, vë në diskutim qasjen virtuale të Kishës dhe meshtarëve për kremtimin e meshës dhe flet për agjërimin eukaristik.

-  Artikulli i tretë nga Jose Maria Castillo një teolog spanjoll bashkëkohor, tashmë shumë i vjetër, i cili me kthjelltëtsi ngre disa pikëpyetje rreth aftësisë së Kishës për të pasur një përgjigje për kohën e pandemisë, edhe kur ajo nuk mund të kremtojë sakramentet.

-  E katërta është një letër e Ipeshkvit të Pinerolo-s në Piemtone, Imozt  Derio Olivero i cili ka qenë në rrezik për jetën nga Covid-19. Në këtë letër ai fton kishën dioqezane që të hedhë vështrimin në jetën konkrete të personave dhe në pasojat që kjo kohë ka lënë në familje dhe në shoqëri. Ai ëndërron “jo një Kishë që shkon në Kishë, por një Kishë që shkon tek të gjithë”.

-  Shkrimi i pestë është Mesazhi i Papa Françeskut për Ditën Botërore të Misioneve që do të mbahet në tetor. Është një akt magjisterial dhe si i tillë është për ne udhëzues, ndryshe nga reflektimet e mëparshme. Është një thirrje për të parë misionin e Kishës të pranishëm dhe të nxitur nga sëmundja, vuajtja, frika, izolimi, pasiguria, varfëria e atyre që vdesin vetëm e kështu me rradhë.

Secili prej këtyre shkrimeve i përgjigjet një teme të caktuar apo edhe më shumë temave, sipas ndjeshmërisë së autorëve.

Atëherë propozoj këtë gjë. Do të ndahemi në 5 grupe dhe secili grup do të marrë njërin prej artikujve. Do të diskutoni në grupe e nga secili grup do të dilni me disa fjalë kyçe që sipas jush përshkruajnë këtë kohë. Them fjalë, jo fjali të gjata. Pastaj dikush nga grupi mund të përshkruajë pak a shumë këto fjalë duke sjellë edhe mendimin e grupit.

Koha në dispozicion për grupet është 1 orë. Më pas një pushim i shkurtër për të filluar përsëri në orën 11.00. Në orën 12.15 do të kemi meshën e shenjtë e më pas drekën.

Përmbyllje

 Reflektim personal

Çfarë më ka shoqëruar personalisht në kohën e pandemisë ka qenë një pjesë e Ungjillit të Markut në kapitullin IV, 26-28. Kjo pjesë e Ungjillit duhet parë në perspektivën jo vetëm të dishepujve apo personave që dëgjojnë Jezusin, por edhe të bashkësisë për të cilën është shkruar Ungjilli. Nuk gjendet në ungjijtë e tjerë sinoptikë, por vetëm te Marku. Me shumë mundësi i përgjigjet një situate konkrete që përjeton ajo bashkësi.

Bashkësia të cilës i shkruan Marku po zhvillon një punë ungjillëzuese e misionare, por duket që has kundërshti prej dështimeve dhe vështirësive, prandaj duhet që me qetësi dhe besim, me durim dhe qëndrueshmëri t’ia besojë Hyjit çdo lloj zhvillimi të mëtejshëm dhe të drejtojë shikimin drejt së ardhmes. Ka një kohë mbjelljeje dhe një kohë korrjeje. Në mes kemi kohën e pritjes. Pritja është e sotshmja që kërkon nga ne durim dhe besim.

Të rrish fjetur, në këtë pjesë të ungjillit nuk do të thotë të jesh indiferent, të mos bësh asgjë, të zhvlerësosh punën, angazhimin, por do të thotë të shohësh se, përtej veprimtarisë tënde, Mbretërinë e çon përpara Hyji. Na kërkohet të shoqërojmë këtë farë që rritet edhe pse rritet pavarësisht nga ne. Në këtë kohë pandemie ndoshta na kërkohet të shohim se ku është zhvilluar Mbretëria e Hyjit, ndërkohë që ne nuk mund të thonim meshë, nuk mund të pagëzonim, të bekonim bukët apo gjethet e Larit. A u ndal Mbretëria e qiellit gjatë kësaj kohe? Apo ndoshta u zhvillua më shumë, brenda zemrës së njerëzve? Cilat qenë nevojat e njerëzve në këtë kohë? A kemi bërë një analizë? Mua nuk më ka kërkuar askush sakramente. E sfidoj secilin prej jush që numri i atyre që kanë kërkuar sakramente e meshë, në proporcion, jo me numrin e besimtarëve, por me numrin e praktikantëve është shumë i vogël. Por të gjithë kanë pasur nevojë për një fjalë ngushëllimi, shprese dhe kurajoje. A qemë të zot ta themi një fjalë të tillë? Ungjilli është plot me shpresë, ngushëllim dhe kurajo.

Koha e pandemisë, sikurse thotë Enzo Bianchi është një kohë apokalipsi, zbulese, sepse na ka zbuluar shumë gjëra, qoftë edhe brishtësinë apo pamjaftueshmërinë tonë.

Mund të themi se është një kohë apokalipsi edhe në një kuptim tjetër. Erdhi papritur, ashtu si vjedhësi natën, ashtu sikurse do të jetë në fundin e kohërave sipas Ungjijve sinoptikë. E na u kërkua të bëjmë asgjë, madje na u kërkua të rrimë mbyllur për të ruajtur njëri-tjetrin. Edhe roli i Kishës ishte ai i një bindjeje ndaj vlerës së jetës dhe të tjetrit. Nuk ishim në një luftë, por në një kohë përkujdesjeje.

Fjala përkujdesje, cura, të cilën e kemi përdorur shesh për shpirtrat, na dha mundësinë që të zgjerohej duke përfshirë edhe të tjera kuptime të saj: si kujdes për marrëdhëniet, kujdes për të varfërit, kujdes për personat me probleme psikologjike, për personat me aftësi të kufizuar, kujdes për njëri-tjetrin nëpër kuvende e nëpër famulli, kujdes për të pikëlluarit e të vetmuarit.

Koha po na tregon shtigje të reja. Fjala rritet me atë që e lexon,(Divina eloquia cum legente crescunt - thotë Gregori i Madh. Kjo do të thotë se edhe Kisha nën dritën e kësaj Fjale vetëkuptohet në ngjyrime të saj të ndryshme përgjatë historisë e vazhdimisht. Hyji nuk rresht duke krijuar e rikrijuar Kishën e tij e të gjithë ne. Të shpallësh ungjillin në kohën tonë do të thotë ta thuash atë sipas gjuhës, gjendjes, jetesës, kushteve që koha na imponon. Ungjilli nuk vjetrohet kurrë pikërisht sepse është i gjallë. Ju uroj të gjithëve një kohë rimendimi, reflektimi, pune dhe angazhimi, për një Kishë që jeton sine glossa Ungjillin e Jezu Krishtit, Birit të Hyjit.  

18 qershor 2020, 12:39