nature-3362956_960_720.jpg

Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra I e Shën Palit për Selanikasit, Hiri i Tënzot

Përfundojmë sot komentin e Letrës së parë të shën Palit drejtuar të krishterëve të Selanikut. Jemi në kapitullin e pestë, në të cilin Apostulli i Popujve eksperimenton ato, që do të bëhen më vonë tematikat e mbylljes së çdo Letre të tij: këshillat morale. Ndjekim, gjithnjë, librin “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Me pak fjalë, pikërisht në kapitullin e pestë, shën Pali shpreh anën më të mirë të vetvetes. Natyrisht, disa vite më vonë, në Letrën drejtuar Romakëve, do të na lërë trashëgim një doracak të vërtetë për virtytet e krishtera, por edhe këtu, në Letrën e tij të parë, gjejmë një thesar të vogël, por të çmuar, për nga mprehtësia dhe thellësia:

“Ju nxisim, vëllezër, t’i qortoni ata që nuk jetojnë në rregull, jepuni zemër frikacakëve, ndihmoni të ligshtët, jini bujarë me të gjithë! Vërjani mendjen që askush të mos ia kthejë askujt të keqen me të keqe, por gjithmonë bëni të përparojë e mira ndër ju dhe kundrejt gjithkujt! Gëzohuni gjithmonë! Lutuni pa pushim! Për gjithçka falënderohuni! Sepse, në lidhje me ju, ky është vullneti i Hyjit në Jezu Krishtin! Mos e pengoni Shpirtin Shenjt të veprojë në ju! Profecitë mos i përbuzni! Çdo gjë shqyrtojeni me kujdes: mbani të mirën! Çdo lloj të keqeje rrijini larg!” (1 Sel 5,14-22) .

  Rrallë e tek, shën Pali do të arrijë të shprehet kaq përmbledhtas dhe të jetë kaq i mprehtë sa këtu. Urimi përfundimtar i tij ka të bëjë me ardhjen e Zotit e, me të drejtë, mund të mendojmë se Pali e priste vërtet (jo si ndokush prej nesh, sot) e, pa e ditur as ditën e as orën, i kushtohej me korp e me shpirt kumtimit të Ungjillit të tij për të gjithë. Fraza me të cilën përfundon Letra për Selanikasit ia vlen të përmendet:

“Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit qoftë me ju!” (1 Sel 5,28).

Kështu e pati filluar këtë Letër: “Paçi hir dhe paqe”. E kështu edhe e përfundon Apostulli, duke i dhuruar teologjisë fjalën më të përdorur e, nganjëherë, edhe më të abuzuar, të leksikut të saj. E është fjalë, që shën Pali e pëlqen shumë: “hir”. Përmendet vetëm tri herë në Prologun e shën Gjonit, kurrë në Ungjijtë sipas Markut e sipas Mateut, por e gjejmë 21 herë në dishepullin paolin, shën Lukën ungjilltar – 7 herë në Ungjill e 14 herë në Veprat e Apostujve. Ndërsa në Letrat e vetë shën Palit, fjala “hir” përdoret 86 herë.

Kur shën Pali dëshiron ta përbledhë me një fjalë gjithçka i ndodhi atij vetë dhe gjithë njerëzimit, përdor fjalën “hir”, ose “charis” në greqisht. Le t’i drejtohemi enciklopedisë Treccani për kuptimin e saj:

 “1) Cilësi e natyrshme e çdo gjëje që, për bukurinë e saj të brendshme, për delikatesën, spontaneitetin, finesën, ëndjen, ose për shkrirjen e harmonishme të të gjitha këtyre dhuratave, përkëdhel këndshëm shqisat dhe shpirtin.

2) Gatishmëri mirëdashëse e shpirtit ndaj të tjerëve, favor, mirësi, miqësi.

3) Koncesion i jashtëzakonshëm i një përfitimi, i një favori, ose i çfarëdo lloj gjëje të kërkuar, me anë të një akti bujarie, nga një personazh i nivelit të lartë e, në përgjithësi, nga një më i madh për një më të vogël”.

Shën Pali zbuloi se ajo, që ndodhi në botë me kryqëzimin dhe me ringjalljen e Krishtit, është një përfitim bujar, të cilin Zoti ua dhuron lirisht njerëzve (3) e që na bën ta shohim të afërmin me sy tjetër, më mirëdashës (2). Gjithashtu, priret ta rikrijojë atë cilësi të natyrshme, që ta kënaq shpirtin, por që është cënuar rëndë nga mëkati (1).

Prandaj, kjo Letër e parë e shën Palit e shkrim i parë i krishtërimit, pa dyshim, meriton të lexohet, me shpresën se Hiri i Tënzot do të reshet mbi secilin prej nesh.

11 qershor 2020, 08:09