Padre-Adolfo-NicolAsAEM.jpg

Vdiq atë Adolfo Nicolás, ish-eprori i përgjithshëm i jezuitëve

Në krye të Shoqërisë së Jezusit nga viti 2008 deri më 2016, atë Nicolás ndërroi jetë në Tokio në moshën 84-vjeçare.

R.SH. - Vatikan

“Për t’i shërbyer Zotit dhe të tjerëve duhet të japësh gjithçka: ky është thelbi i thirrjes së jezuitëve dhe kjo krijon marrëdhënie të thella”. Me këto fjalë e përshkruante misionin e jezuitëve atë Adolfo Nicolás, ish-eprori i përgjithshëm i tyre, që ndërroi jetë sot, në Tokio, në moshën 84-vjeçare. Njoftimin e dha me dhimbje, por edhe me mirënjohje, eprori aktual, atë Arturo Sosa Abascal. “Kurrë nuk do t’i harrojmë dy fjalë, që atë Nicolás  i përsëriste vazhdimisht, frymëzuese për përtëritjen e Shoqërisë: – lexohet në letrën e ngushëllimit drejtuar gjithë jezuitëve - ‘universaliteti’ (i thirrjes dhe i misionit tonë) dhe ‘thellësia’ (shpirtërore dhe intelektuale, në kuadrin e misioneve tona)”.

“Shprehja më e pastër e dashurisë së Zotit – shkruante atë Nicolás - është nëna me fëmijën e saj. Nuk ka asgjë më të pastër se kjo, sepse të kërkon gjithçka. Por kjo e rrit fëmijën: është dashuria e nënës, dashuria që dhurohet megjithësej, pa kushte”.

Biografia

 Lindur në Villamuriel de Cerrato, Spanjë, më 29 prill 1936, atë Nicolás u diplomua në Universitetin Gregorian. Hyri në noviciatin e Aranjuez, në provincën Toletan, më 1953. Rruga e tij formuese dhe baritore lidhet veçanërisht me Azinë dhe Japoninë. Pas licencës në filozofi, në Spanjë, ai studioi teologjinë në Tokio, nga viti 1964 deri në vitin 1968. Në kryeqytetin japonez, u shugurua meshtar më 1967. Në vitin 1971 mori një master në teologjinë kishtare e, më pas, dha mësim si profesor i teologjisë sistematike në Universitetin Sophia në Tokio. Nga viti 1978 deri në vitin 1984, u emërua drejtor i Institutit Baritor të Manilës, në Filipine. Nga viti 1991 deri më 1993, shërbeu si rektor i Skolastikatit të Tokios. Nga 1993-shi deri më 1999, u bë epror i Provincës së jezuitëve në Japoni. U zgjodh epror i 30-të i përgjithshëm, më 19 janar 2008, pasardhës i holandezit Peter Hans Kolvenbach. Detyrën e mbajti deri më 14 tetor 2016, duke ia kaluar eprorit aktual, atë Arturo Sosa Abascal, jezuit nga Venezuela.

Shoqëria e Jezusit nuk është Kishë brenda Kishës

Në përfundim të Kongregatës së 35-të të Përgjithshme të Shoqërisë së Jezusit, më 15 mars 2008, atë Adolfo Nicolás i dha një intervistë Radio Vatikanit, në të cilën e përvijonte me këto fjalë misionin e jezuitëve:

“Si Kongregatë – pohonte atë Nicolás – u impenjuam të reflektojmë mbi marrëdhëniet tona të shërbimit me Papën; reflektuam dhe hartuam këtë deklaratë në të cilën ripohojmë se karizma jonë është thirrje për shërbim në Kishë. Ne nuk jemi Kishë paralele e nuk jemi Kishë brenda Kishës: jemi pjesë e Kishës, një grup i vogël, që përpiqet të shërbejë. Deshëm ta riphojmë këtë. Kjo është thelbësore në thirrjen tonë. Pra, sigurisht, deshëm të ripohojmë bashkimin me Papën. Pse e bëmë kaq qartas? Sepse dikush në Kishë mendon se nuk jemi aq besnikë, aq të bindur. Mendoj se kjo është e pashmangshme. Nuk është problem për mua që njerëzit mendojnë kështu. Do të ishte problem, nëse kjo do të ishte e vërtetë”.

Apostullimi intelektual

Në një pjesë tjetër të intervistës së vitit 2008, atë Nicolás ndalet mbi apostullimin intelektual të jezuitëve:

“Mua personalisht më pëlqen të mendoj për punën intelektuale si diçka, që bëhet në thellësi. Nuk është vetëm punë kërkimore-shkencore, nuk është fjala vetëm për të shkruar libra, nuk është vetëm fakti se punon në universitet, por duhet shkuar në thellësi, në të gjitha çështjet… Një nga problemet më të mëdha të Kishës është ai baritor. Shpesh, mungon thellësia, mungon aftësia për t’u dhënë laikëve mundësinë të zhvillohen. Në Shoqërinë e Jezusit mendojmë gjithnjë se kjo kërkon punë intelektuale, për të prekur caqet e njeriut, të zemrës së tij, mënyrën e rritjes, dialogun me kulturën dhe mënyrën me të cilën kultura hyn në vetë jetën e të krishterëve. Kjo është një fushë e rëndësishme. Ata, që kanë mundësi, duhet të hyjnë në edukimin e nivelit të tretë, në universitet e aty, të fillojnë dialogun me ekspertët e botës shekullare, për të gjetur udhën e humanizimit të shkencës, në fusha të ndryshme”.

Lutja e shkruar nga atë Nicolás

Mënyra më e mirë për ta kujtuar atë Adolfo Nicolás, shkruan atë Arturo Sosa në letrën drejtuar gjithë jezuitëve, është përmes një lutjeje, shkruar prej vetë ish-eprorit në vitin 2011.

“O Zot, Jezu Krisht – lutet atë Nicolás – nuk e dimë ç’dobësi pe brenda nesh, që të bënë të mendosh se, pavarësisht nga gjithçka, mund të na thërrisje për misionin Tënd. Të falenderojmë për këtë thirrje e të kujtojmë se na ke premtuar të jesh me ne deri në fundin e kohrave. Tepër gjatë kemi provuar të punojmë më kot gjithë natën, ndoshta, sepse kemi harruar se Ti je me ne. Po të lutemi të jesh i pranishëm në jetën e në punën tonë, sot, nesër e përgjithmonë. Mbushe jetën tonë, të cilën duam ta vëmë në shërbimin tënd, me Dashurinë tënde. Na e zbraz zemrën nga gjithçka që, me egoizëm, është vetëm “jona”, “imja”, pa dhembshuri e pa gëzim. E mos harro të na bësh të qeshim kur gjërat nuk shkojnë si duam ne. Bëj që në fund të ditës, të çdo dite, të ndihemi më të bashkuar me Ty e, të shohim e të zbulojmë më shumë gëzim e shpresë”.

20 maj 2020, 16:59