Vangelo-della-Domenica-VI-di-Pasqua-A---Gesu-2.jpg

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës VI pas Pashkëve 'A'

Nëse më doni, do t’i ndiqni urdhërimet e mia: këtë nga thotë Jezu Krishti kësaj së diele, e gjashta pas Pashkëve, në mënyrë që të udhëhequr nga Shpirti Shenjt - ardhja e të cilit paralajmërohet në Ungjillin e sotëm - të jemi dëshmitarë të Zotit. Të ndjekim Ungjillin, marrë nga shën Gjoni...

R.SH. - Vatikan

Nga Ungjilli shenjt sipas Gjonit (Gjn 14, 15-21)

15 “Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia. 16 Edhe unë do t’i lutem Atit dhe Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë:  17 …Ju e njihni sepse Ai banon me ju e është në ju. 18 Nuk do t’ju lë jetimë; do të vij tek ju. 19 Edhe pak kohë e bota nuk do të më shohë më, ndërsa ju do të më shihni, sepse unë jetoj edhe ju do të jetoni. 20 Atë ditë do ta kuptoni se unë jam në Atin tim, ju në mua e unë në ju. 21 Kush i ka urdhërimet e mia dhe i mban, ai më do… edhe unë do ta dua dhe do t’i dëftohem”.

Të lutemi së bashku:

Dashuria tregohet me fakte:

ti vetë, o Jezus, na e mësove këtë,

duke pranuar të gozhdoheshe

mbi drurin e fortë të kryqit, duke flijuar jetën

për t’u dhuruar të gjithëve shëlbim e paqe.

 

Dashuria tregohet me fakte:

çdo fjalë, sado e sinqertë dhe e ëmbël,

duhet të kalojë provën e vërtetësisë,

pra, të matet me sakrificën,

e të verifikohet nga veprat konkrete.

 

Ja përse Ti na kërkon

t’i ndjekim urdhërimet e Tua,

që dashuria jonë të jetë e vërtetë

e që, përmes saj, të jetojmë

marrëdhëniet me Ty

e të shndërrohemi nga Hiri yt.

 

Ja përse Ti na jep Dhuratën më të madhe:

Shpirtin Shenjt, burim ngushëllimi,

mbrojtje e mbështetje

në kohën e errët të sprovës,

Shpirtin Shenjt, që na merr për dore

e na çon në shtigjet e jetës,

duke na liruar nga përhumbja

që të ecim të sigurt

në udhët e Mbretërisë së Qiellit.

16 maj 2020, 08:38