AdobeStock_325956155.jpeg

Çelësi i fjalëve të Kishës. Shën Pali, kolosianëve: Plotësia është Krishti

Vijojmë të lexojmë së bashku Letrën e Shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve. Bashkësia e krishterë e qytetit të Kolosit - siç na kujton meshtari italian don Federico Tartaglia, autori i librit “Është ora e leximit të Biblës”, që po ndjekim për këtë rubrikë – nuk u themelua nga shën Pali, por nga Epafra, i cili pasi e dëgjoi apostullin në Efes, u bë dishepull i tij e kur kthye në qytetin e vet, Kolosin, vuri bazat e një bashkësie të re të krishterë.

R.SH. - Vatikan

E, siç mendojnë disa studiues, ishte pikërisht Epafra që, kur shën Pali ndodhej akoma në Efes, ose kur ishte i burgosur në Cezare të Filipit (sipas disa ekspertëve të tjerë), i kërkon ndihmë apostullit, sepse bashkësia kishte disa probleme të krijuara nga besimtarë, që ndiqnin doktrina gnostike. E është fjala “gnosis” (që do të thotë “njohje - njohuri”) që e shqetëson si mësuesin, ashtu edhe nxënësin e tij, pasi krishterimi i shekujve të parë është i mbushur me herezi gnostike.

Për këtë arsye, siç ju thamë edhe në emisionin e kaluar, Letra drejtuar Kolosianëve e himni i saj kushtuar misterit të Krishtit, janë pjesë themelore e doktrinës së krishterë. Njohja sado e paktë e universit të shumëllojshëm të filozofive dhe të sekteve gnostike është punë për kohën e lirë të secilit, por ia vlen t’i hidhet një sy Ungjillit gnostik të Tomës, për të kuptuar diçka. Mjafton të kujtojmë se pasioni i gnostikëve përqendrohej kryesisht në “botën e mesit”, që “ndan e bashkon” Hyjninë me njerëzit. Sipas doktrinave më të mira gnostike, Hyji është përtej çdo realiteti e perceptimi. Bota vjen prej Tij, veçse jo drejtpërdrejt, por përmes një lloj rrezatimi apo dikimi. Ekziston një nivel qiellor e i padukshëm, që përbëhet nga një lloj hierarkie qiellore, të cilën vetëm njeriu i mësuar përmes një procesi njohjeje, pra “gnosis”, mund ta kuptojë.

Kur shën Pali shkruan: “Sepse Hyjit i pëlqeu të banojë në Të e tërë Plotësia”, përdor një fjalë gnostike: “pleroma” (plotësia)! Dhe e bën këtë për t’i ardhur në ndihmë Epafrës dhe të gjithë atyre, që në shekujt e mëpasëm, do të bëjnë përpjekje për të vendosur krah Krishtit ndërmjetës të tjerë hyjnorë, qiellor, engjëllorë, të joshur nga bota e pashqyrtueshme dhe e paprovueshme e së padukshmes.

Ajo “botë e mesit” (ndërmjet nesh e Hyjnisë), thotë një herë e pëgjithmonë shën Pali, pra, ajo botë, që mund ta quajmë edhe e lartësive apo e qiellit, i bindet, së bashku me botën poshtë saj, vetëm Krishtit! Nuk ka pushtet, që nuk i nënshtrohet Atij. Gjithçka është bërë përmes Tij e gjithçka është pajtuar në Krishtin. E s’është fjala për njohuri të mistershme, për pak të zgjedhur, sepse gjithçka na është zbuluar në gjakun e Kryqit. Kështu, shën Pali i paralajmëron të krishterët e Kolosit të kenë kujdes nga filozofët dhe nga filozofimet e tyre njerëzore:

“Ruajuni të mos ju gënjejë kush me anë të ‘filozofisë’ - me stërhollime të kota, që bazohen në thashethënat njerëzore, në ‘elementet e botës’ e jo në Krishtin” (Kol 2,8).

E menjëherë, arrin edhe fraza, me të cilën Apostulli i Popujve i vë vulën mendimit të tij:

“Pasi në Krishtin banon trupërisht e tërë plotësia hyjnore, kështu edhe ju jeni të mbushur me anë të Tij. Ai është Kryet e çdo Principate e Pushteti” (Kol 2,9-10).

Për ata që, si gnostikët, përpilonin doktrina të vështira rreth rrezatimit të asaj plotësie hyjnore në seri pa fund, që quheshin “eone”, Shën Pali është i qartë. Ka një hierarki, ka principata e pushtete engjëllore, por hyjnia nuk dikohet e nuk ndahet në stadet e mëpasme. E “Pleroma”, pra “Plotësia”, është Krishti. Kreu i engjëjve dhe i principatave, si edhe i të gjithë besimtarëve. Në qiell e në tokë.

14 maj 2020, 08:20