Fra' Giacomo dalla Torre, në qendër Fra' Giacomo dalla Torre, në qendër

Urdhri i Maltës: Papa kujton Mjeshtrin e Madh, njeri i përkushtuar ndaj të varfërve

Në një telegram, Papa Françesku flet mbi dhuratën e dashurisë për nevojtarët e besnikërinë ndaj Ungjillit, karakteristika të kreut të Urdhrit të Maltës, që ndërroi jetë dje, në Romë.

R.SH. - Vatikan

“Njeri i zellshëm i kulturës dhe i fesë”, i cili do të kujtohet për “besnikërinë e plotë ndaj Krishtit dhe Ungjillit”,  për “impenjimin bujar” në të mirë të Kishës, si edhe për përkushtimin në favor të më të vuajturve. Ky është portreti, që përvijon Papa Françesku, në një telegram ngushëllimi për Fra’ Giacomo Dalla Torre të Tempullit të Sanguinetto-s, Mjeshtrin e 80-të të Madh të Urdhrit Sovran të Maltës, që ndërroi jetë dje në Romë, në moshën 75 vjeçare.

          Ishte zgjedhur në krye të Urdhrit që prej dy vitesh, duke e marrë përsipër këtë përgjegjësi në një çast kritik, karakterizuar nga një krizë institucionale, e cila shkaktoi disa probleme brenda Urdhrit. Fra’ Giacomo, që vdiq para kohe, për shkak të një sëmundjeje të rëndë, me temperamentin e tij të butë, por njëkohësisht, me autoritet e vendosmëri, e çoi Urdhrin e Maltës drejt përtëritjes e zhvillimit, duke filluar nga rishikimi i Kartës Kushtetuese.

          Ka qenë gjithnjë “në shërbim të Urdhrit e të njerëzve në nevojë”, siç thoshte shpesh, prandaj, impenjohej në favor të të mënjanuarve. Në Stacionin Termini të Romës, u shpërndante ushqime të pastrehëve; organizonte shtegtimet e të sëmurëve në Lurdë, ose në Loreto e në Asizi e; vijoi ndihmën, që Urdhri i Maltës i ka dhënë gjithnjë Shqipërisë, gjatë krizave të pas-diktaturës.

30 prill 2020, 11:25