Vatican News
Motrat françeskane - Fushe Arrez – Albania Motrat françeskane - Fushe Arrez – Albania  (Violeta Marashi)

Motrat françeskane nga Gjermania, 25 vite në Fushë-Arrëz

R.SH. - Vatikan

Që prej 25 vitesh, në Fushë-Arrëz të Shqipërisë, banojnë e shërbejnë motrat françeskane të shën Fatlumit, ardhur nga Gjermania. Pavarësisht nga vështirësitë, që u është dashur të kapërcejnë, ato vijojnë punën, duke shkolluar të rinjtë, duke ndihmuar në rindërtimin e shtëpive, duke siguruar kurimin e disa pacientëve shqiptarë jashtë shtetit. Më hollësisht për këtë përvjetor, të dëgjojmë informacionin e Violeta Marashit nga Vau i Dejës…

Dëgjo Violeta Marashin...

Pas gëzimit të lirisë fetare ku Zoti ngadhënjeu mbi vuajtjet që kishte kaluar Shqipëria, për Motrat Françeskane të “Shën Fatlumit”, nga Gjermania, Motër Gratia Ruf dhe Benardetta Ebenhoff,  27 prilli i vitit 1995 do të shënonte fillimin e një misioni të ri.

Me vullnet të lirë dhe dëshirën për të dëshmuar Jezu Krishtin aty ku ishte më e nevojshme, Motrat vendosin të hapin misionin e tyre në zonën e Veriut, në Famullinë e Shën Jozefit në Fushë-Arrës, në këtë qytet të vogël dhe të varfër.

Ashtu si çdo fillim edhe për këto motra që ishin vetëm dy veta, fillimi ishte i vështirë. Pikë së pari ishte mosnjohja e gjuhës; situata e atyre viteve ishte tejet kritike si ekonomike ashtu edhe politike – shoqërore. Në një vend ku mbizotëronte varfëria e tejskajshme, as vetë motrat nuk dinin se nga t’ia fillonin. Vitet që Shqipëria kishte kaluar totalisht e izoluar kishin bërë që shumë pak, të kujtohej feja dhe besimi. Por edhe pse në vështirësi dhe në sakrifica të mundimshme, në emër të dashurisë së Krishtit motrat e mrekullueshme filluan të realizonin planin e Hyjit në shërbim të popullit të Zotit, pa dallim besimi e feje, duke ofruar vetveten, kujdesin pastoral dhe shpirtëror.

Nga ajo ditë e sot, mbushen plot 25 vite që motrat me misionin e tyre shpirtërorë dhe humanitar shërbyen në gjithë zonën e Fushë Arrësit, pa përjashtuar edhe ndihmën dhe bashkëpunimin e famullitarëve që kanë shërbyer këtu, si dom Ernest Troshani, dom Marcelo nga Kroacia, Dom Giovanni Fiochi dhe dom Stefanno Lazzari nga Italia. Edhe pse në vitin e mbrapshtë të 1997, pësuan një ngjarje mjaft të trishtë duke u “sulmuar” dhe përballur edhe me dhunë fizike nga persona hajdutë dhe të papërgjegjshëm, por ato nuk u dorëzuan kurrë, dhe nën hijen dhe mbrojtjen e kryqit vazhduan misionin e tyre të shenjtë. 

Motrat Françeskane të dioqezës Orvieto Todit të Italisë, kanë dhënë kontributin e tyre të çmueshëm edhe në shkollimin e të rinjëve, ku rreth 300 prej tyre kanë kryer studimet qoftë në Shqipëri ashtu dhe jashtë saj. Po ashtu janë ndërtuar dhjetëra shtëpi të reja dhe rikonstruktuar qindra të tjera. Falë mbështetjes ekonomike të ofruar nga motrat dhjetëra pacientë janë kuruar jashtë vendit në Gjermani.

I gjithë ky mision ka bërë që shumë familje të jenë shkëputur nga varfëria ekstreme, apo edhe nga problemet e ndryshme të jetës, duke bërë që të kenë një jetë normale. Pas rikthimit para 6 vitesh në Gjermani të motër Benardetës, aktualisht misionin e vazhdon motër Grazia, e cila edhe pse po i afrohet moshës 80 vjeçare, me vullnetin e saj, me  përkushtim e përshpirtëri, i ndihmuar edhe nga famullitari, Pader Andreas Ëaltermann, bën që ai mision të lulëzojë dita – ditës, duke iu ardhur në ndihmë më të varfërve.  Motrat janë nderuar edhe me tituj nderi qoftë nga Gjermania, po ashtu edhe nga Presidenca e  Republikës së Shqipërisë për misionin e tyre bamirës në Shqipëri.

Mirënjohje për jetë motra të dashura për gjithçka keni bërë në vendin tonë, Shqipëri.

Violeta Marashi

28 prill 2020, 14:40