E Enjtja e Madhe E Enjtja e Madhe 

E Enjtja e Madhe: Kremtim i dhimbshëm, por i nevojshëm.

Kisha e kremton sot të Enjten e Madhe në kohën e pandemisë. Kremtim i dhimbshëm, por i nevojshëm. I dhimbshëm, sepse në ditën kur përkujtohet themelimi i Eukaristisë dhe i shërbimit meshtarak, duke kremtuar ditën meshtarake, kuptohet më mirë pse Mesha e Bagmit, në të cilën Kisha vendase e meshtarët shtrëngohen rreth ipeshkvit të tyre, u shty për një herë tjetër.

R. SH. - Vatikan

Kisha e kremtoi sot të Enjten e Madhe në kohën e pandemisë. Kremtim i dhimbshëm, por i nevojshëm. I dhimbshëm, sepse në ditën kur përkujtohet  themelimi i Eukaristisë dhe i shërbimit meshtarak, duke kremtuar ditën meshtarake, kuptohet më mirë pse Mesha e Bagmit, në të cilën Kisha vendase e meshtarët shtrëngohen rreth ipeshkvit të tyre, u shty për një herë tjetër. Ndoshta për herë të parë në historinë e Kishës, barinjtë nuk do të mund ta ndajnë bashkë çastin e një uniteti kaq të lartë të klerit me besimtarët. Por gjithsesi përkujtimi është më se i dobishëm, ngaqë zbulon sesi pas reve të zeza të nënshtrimit e të përuljes para sëmundjes, nuk mungojnë as shpresa e optimizmi. Zoti është gjithnjë i pranishëm në jetën tonë!

Në se kremtimi komunitar i Meshës së Bagmit dhe pësëritja e premtimeve meshtarake u shtynë për një datë tjetër, Mesha e Darkës së Mbrame të Zotit, me të cilën nis Triditshi i Pashkëve, pasditen e së Enjtes së Madhe, u kremtua pikërisht të Enjten e Madhe, në Kishat pa besimtarë, vende ku dhimbja e shpresa shkrihen në një gjë të vetme, duke u bërë simbol i luftës kundër së keqes e coronavirusit.

E pamundësia për t’u takuar fizikisht, pikëllim që zbutet sakaq nga mjetet e kumunikimit, nuk e pengon dashurinë vëllazërore të rritet e të lulëzojë.

Triditshi i Pashkëve, pjesë kryesore e jetës së popullit të Zotit, tani ka shumë rëndësi të kremtohet me fe, me besim, me shpresë në Zotin e të mos harrohet kurrë se shikimi Zotit mbi ngjarjet është gjithnjë pozitiv: “Gjithçka është hir!”. E është pikërisht përdorimi masiv i teknologjisë që, në këto orë, e bëri Kishën të kuptojë diçka të domosdoshme: Bashkësia ka nevojë të takohet e ta kremtojë së bashku dhuratën më të madhe, që na bën Jezusi: “dhurimin e  jetës së vet, për jetën tonë”.

E sot, të mbyllur në shtëpitë e tyre, njerëzit rikthehen me përkushtim të thellë tek një devocion tradicional, i zbehur paksa në kohët reja: tek Rruzarja shenjte e thënë së bashku, në gjirin e familjes! E të dielave, përmes mjeteve të komunikimit, rikthehen edhe tek kremtim i Eukaristisë, duke mbetur gjithnjë shpirtërisht pranë bashkësisë së vet.

Krishti i zhveshur, i kryqëzuar e i ngjallur është figura, që Kisha na e paraqet këto ditë, për ta konkretizuar dhimbjen e Tij për një të Enjte të Madhe të jashtëzakonshme, që as nëpër mend nuk na shkonte se do të mund ta jetonim.

Liturgji e zhveshur nga e gjithë pasuria shpirtërore e baritore, të cilën jemi mësuar ta duam me gjithë zemër! Por është e njëjta liturgji, që na e paraqet në amshim Jezusin, shëlbuesin e botës, të zhveshur, në pranverë, në majën e Golgotës; pranvera e Pashkëve është për rrugë. Pranvera e Pashkëve po vjen. E ne po shkojmë drejt  shpërblimit!  

09 prill 2020, 14:13