Kamp përqendrimi nazist Kamp përqendrimi nazist 

Në fenë e sotme, fryti i martirizimit të meshtarëve polakë në Luftën II Botërore

Kisha e Polonisë kremton sot “Ditën e martirizimit të klerit polak gjatë Luftës II Botërore”. Në 75-vjetorin e çlirimit të kampit të përqendrimit të Dakaut, kujton shembullin e 861 meshtarëve, bij të këtij kombi, vrarë nga regjimi nazist pikërisht në këtë kamp.

R.SH. - Vatikan

Dëshmi feje “deri në vdekje”, por edhe provë e “dëshirës” për ta jetuar Eukaristinë dhe Sakramentet, pavarësisht nga pamundësia për ta bërë këtë. Në “Ditën e martirizimit të klerit polak gjatë Luftës II Botërore”, e cila u kremtua sot nga Kisha në Poloni, ky është shembulli i 861 meshtarëve, bij të këtij kombi, vrarë nga regjimi nazist në kampin gjerman të përqendrimit, në Dakau. Në një intervistë me Vatican News, flet zëdhënësi i Konferencës Ipeshkvnore Polake, don Paweł Rytel-Andrianik. Është pikërisht “gjaku” i atyre martirëve, si ai i imzot Michal Kozal-it, ipeshkëv ndihmës i Vroclavit, i imzot Wladyslaw Goral-it, ipeshkëv i Lublinit – sa për të përmendur vetëm disa prej tyre, siç nënvizon zëdhënësi i ipeshkvijve polakë – që ka dhënë frytet e veta në fenë e sotme të popullit polak, i cili, si e gjithë bota, po përballon aktualisht emergjencën e koronavirusit, me 12 mijë të sëmurë e më se 500 viktima. E pavarësisht se besimtarët nuk mund të marrin pjesë fizikisht në kremtime, sot i kujtojnë me mirënjohje martirët e tyre të fesë. Por ja ç’thotë don Paweł Rytel-Andrianik:

Kujtojmë sot martirizimin, pra, dëshminë e fesë deri në vdekje e, njëkohësisht, të gjithë martirët, si në Dakau, ashtu edhe në vende të tjera. Kujtojmë viktimat e totalitarizmit, të nazizmit e të komunizmit. Kjo është Dita e Kujtesës e njëkohësisht, edhe dita e dëshmisë dhe e Provanisë Hyjnore, sepse ata meshtarë të burgosur në Dakau bënë një kusht: nëse do të mbijetonin, do të shkonin për shtegtim në shenjtëroren e Shën Jozefit në Kalisz. Dy orë para shkatërrimit të kampit të përqendrimit, që ishte programuar më 29 prill 1945, u çliruan nga amerikanët. Meshtarët e interpretuan si shenjë të Provanisë Hyjnore.

Meshtarët e internuar në kampin e përqendrimit gjerman ishin më se 1.700. Kush ishin këta njerëz e pse u vranë më se 800 prej tyre?

Nazistët burgosën meshtarët në kampin gjerman të Dakaut, ashtu si në kampe të tjera përqendrimi polakë, thjesht pse ishin meshtarë e pikë referimi për bashkësitë famullitare. Për ta shkatërruar kombin, filluan pikërisht nga meshtarët dhe nga intelektualët e vendit. Këta meshtarë polakë, më se 1.700 vetë, bëjnë pjesë në gati 3 mijë meshtarët, ipeshkvijtë e murgeshat e internuara në kampin e Dakaut. E, në kampet e përqendrimit në Poloni, kishte edhe meshtarë të tjerë. Statistikat janë këto: në Poloni, nga rreth 10 mijë meshtarët dioqezanë para Luftës II Botërore, nazistët vranë rreth 2 mijë; nga 8 mijë rregulltarët, vranë 370; nga 17 mijë murgeshat, vranë 280. Përveç kësaj,nuk mund të harrojmë edhe 4 mijë meshtarët e rregulltarët dhe më se 1.100 murgeshat, që ishin burgosur në kampet e tjera të përqendrimit. E, gjithsesi, edhe ata, që ishin të lirë, vuajtën jashtëzakonisht në shtëpitë e tyre, si në regjimin nazist, ashtu edhe në atë komunist.

Çfarë dëshmish mbeten nga ajo epokë, pasi i mbijetuari i fundit ndërroi jetë në vitin 2013?

Dëshmi besnikërie. Shën Gjon Pali II, në vitin 1995, në 50-vjetorin e çlirimit të kampit të Aushvicit, vuri në dukje si kishin mbetur besnikë deri në fund meshtarë, ipeshkvij e murgesha, duke dhënë dëshminë e dashurisë e të faljes. Foli edhe për dinjitetin e jetës e për drejtësinë: mund të mendojmë për këtë një martir të njohur në gjithë botën, shën Maksimilian Kolben, i cili dha jetën e vet në vend të një babai me familje. Gjithashtu, mund të kujtoj një shembull nga dioqeza ime e Drohiczyn-it, meshtarin Antoni Beszta-Borowski. Shokët i thanë të ikte, sepse nazistët i patën marrë dokumentet e shpejt, do ta kishin arrestuar e vrarë. Por ai u përgjigj se nuk mund ta linte grigjën e vet e meshtarët e tjerë, sepse po të mos arrestonin atë, nazistët do të kapnin ata, me siguri. Kur u arrestua, disa fëmijë e panë skenën: një ushtar gjerman hyri në qelë e i mori stolën. U kthye nga fëmijët, duke u thënë se asnjë meshtar s’do të mbetej në qytet, pastaj, e shqeu stolën dhe e hodhi përtokë. Një grua e mori dhe e ruajti. Vite më vonë, njëri prej atyre fëmijëve, nip i don Antoni-t, u bë meshtar e, gjatë meshës së tij të parë, ajo grua ia ktheu stolën. Që atëherë, në atë vend, kanë lindur shumë thirrje për meshtari. Mendoj se është shembull i qartë që gjaku i martirëve sjell fryte feje.

Ka dëshmi për mundime, mizori, eksperimente kriminale dhe fyerje kundër Zotit, Kryqit, Rruzares. Si duruan kaq shumë të burgosurit, që i mbijetuan vdekjes?

Duket e pabesueshme. Në Dakau, për shembull, ishte një murgeshë që, falë ndihmës së një personi, i cili kishte një dyqan aty afër, arriti të çonte paramentat liturgjike: disa, natyrisht fshehurazi, kremtonin meshën e shuguronin meshtarë të rinj. Kohët e fundit, rektori i misionit katolik polak në Gjermani më dërgoi një letër të kohës: është e një meshtari, që shprehte dëshirën për të kremtuar meshë, megjithëse nuk mundej. Si rasti, që po përjetojmë tani, me koronavirusin: shumë njerëz nuk mund të shkojnë në meshë. Në çastin e pandemisë, që po jetojmë, duhet të marrim shembull nga ajo fe, që i dha forcën për të mbijetuar meshtarit. Edhe për të kremtojmë Ditën e martirizimit të klerit polak gjatë Luftës II Botërore e falënderojmë Zotin për dëshminë e tij.

Dëshmitë e këtij çasti pandemie tregojnë se, për shembull, në Rusi – natyrisht, me ndryshimet dhe respektin e duhur për viktimat – këto kohë, kur jemi të detyruar të rrimë në shtëpi e të lutemi në familje, kujtojnë pikërisht atë mungesë të Eukaristisë, atë lutje të fshehtë në periudhën e persekutimeve sovjetike. Ç’dhuratë i vjen Polonisë nga shembulli i martirëve të Luftës II Botërore?

 Pikërisht, shembulli i fesë. Një fe, që ndihmoi jo vetëm meshtarët, por të gjithë njerëzit, qofshin katolikë, protestantë, ortodoksë e hebrenj. Prandaj, sot, duke kremtuar Ditën e martirëve në kohë pandemie, le të mendojmë se ne kemi transmetimet, mund të lidhemi përmes radios e televizionit me meshën shenjte e, në një farë mënyre, mund të bashkohemi me Kishën përmes mjeteve të komunikimit, por atëherë, nuk ishte kjo mundësi. E megjithatë, ata njerëz mbijetuan përmes fesë.

Këto ditë ishte në program një shtegtim në Dakau, që u shty, për shkak të koronavirusit. Cilat janë shpresat për të ardhmen?

Shtegtimi kombëtar në Dakau u shty për kur të përfundojë emergjenca e koronavirusit. Organizuar në bashkëpunim me Konferencën Ipeshkvnore Gjermane, në këtë përkujtim, parashikohej pjesëmarrja e kryetarit të ipeshkvijve vendas, e klerit dhe e besimtarëve, siç ndodhi edhe pesë vite më parë, kur kremtuam 70-vjetorin e çlirimit të kampit të përqëndrimit, në Dakau.

29 prill 2020, 11:20