Papa në lutje Papa në lutje 

Si në kohën e murtajës. Ose të kolerës. Ipeshkvijtë në vijë të parë. Me shembull. E me lutje!

Ndërsa koronavirusi vijon të përhapet, duke ngjallur shqetësim në të gjitha fushat e jetës, Imzot Cesare Nosiglia, kryeipeshkëv i Torinos e ipeshkëv i Susa-s, u drejtohet priftërinjve, rregulltarëve e rregulltareve, diakonëve e laikëve, duke u kërkuar ta thonë çdo ditë lutjen e krijuar prej tij me këtë rast.

R. SH. - Vatikan

Ja teksti i plotë i lutjes:

“O Zot i gjithëpushtetshëm e i amshuar

nga i cili mbarë universi merr energji, gjallesë, jetë:

po vijmë tek Ti, për të lypur mëshirë,

sepse sot, më shumë se kurrë, po e kuptojmë sa të ligshtë jemi.

Ne besojmë se Ti e drejton rrjedhën e historisë së njeriut

e se dashuria jote mund ta shndërrojë fatkeqësinë tonë, në fatbardhësi!

Po t’i besojmë, prandaj, të sëmurët e familjet e tyre,

e po të lutemi: “Pash misterin e Pashkëve të Birit tënd,

shpëtoji e jepu paqe korpit e shpirtit të tyre!

Ndihmoje çdo anëtar të shoqërisë ta kryejë detyrën e vet,

duke forcuar, kështu, frymën e solidaritetit.

Ji krahu i djathtë i mjekëve, i punonjësve të shëndetësisë,

i edukatorëve, në kryerjen e shërbimit të tyre!

Ty, që je çlodhje në mundim, mbështetje në ligështi, shpresë në mjerim

po të lutemi, nëpër ndërmjetësimin e Zojës së Bekuar dhe të  gjithë shenjtorëve mjekë e mrekullibërës:

‘Largoje nga ne çdo të keqe!

Çlirona nga epidemia, që po na e shpërfytyron jetën;

bëj të rikthehemi të qetë në punët e lëna përgjysëm,

e të të lavdërojmë me zemër të përtërirë!

Besojmë në Ty, o Zot,

kah Ti po e lartojmë lutjen e dalë nga zemra,

plot besim në Krishtin, Zotin tonë!”

Amen

06 mars 2020, 15:14