Shenjtërimi i Gjon Palit II Shenjtërimi i Gjon Palit II 

Poloni: 100-vjetori i lindjes së Gjon Palit II. Konferenca, seminare, koncerte e takime përkujtimore.

“Viti kushtuar Gjon Palit II duhet të shërbejë për të kujtuar magjisterin e Tij”- pohoi kohët e fundit imzot Mieczyslaw Mokrzycki, kryeipeshkëv metropolit i Leopolit, ish-sekretar i posaçëm i Papës polak.

R. SH. - Vatikan

“Viti kushtuar Gjon Palit II duhet të shërbejë për të kujtuar magjisterin e tij”- pohoi kohët e fundit imzot Mieczyslaw Mokrzycki, kryeipeshkëv  metropolit i Leopolit, ish-sekretar i posaçëm i Papës polak. E kështu, qytetet e vizituara nga Wojtyla gjatë shtegtimeve të tij në Poloni, kanë programuar konferenca, seminare, koncerte e takime përkujtimore, që do të mbahen gjatë gjithë vitit.

Në Wadowice, ku  më 18 maj 1920 lindi Wojtyla, në shtëpinë e lindjes së Karolit u hap një ekspozitë e posaçme e, me rastin e 100-vjetorit, parashikohen shumë çaste përkujtimore, që do të transmetohen nga Tv-ja publike polake.

Në kryeqytetin polak, muzeu i Tempullit të Provanisë Hyjnore, prej disa ditësh plot me vizitorë, iu kushtua Wojtylës dhe kardinalit Wyszynski (1901-1981), që do të shpallet i Lum qershorin e ardhshëm. Gjon Palin II  do ta përkujtojë edhe diplomacia polake, përfaqësuesit e së cilës, në selitë e ndryshme, nga Tokio - në Karakas, do ta kremtojnë me nisma ad hoc figurën madhore të Gjon Palit II.

Të rinjtë, përveçse do të marrin pjesë në konkurse të shumta, gara hagjiografike, koncerte e shfaqje teatrale përkujtimore, më 6 qershor do të mblidhen në Lednicë, për të kujtuar moton mariane të Wojtylës: “Totus tuus” – “Krejt i yti”, përmes së cilës Papa polak ia kushtonte krejtësisht vetveten Nënës së Krishtit. Së pari do të këndohet himni i kompozuar enkas për njëqind vjetorin, tashmë në YouTube, me titullin “Nie zastapi Ciebie nikt” - “Askush nuk mund të të zëvendësojë!”.

03 mars 2020, 13:17