Kambanat Kambanat 

Kambanat vijojnë të bien, edhe në emergjencën e koronavirusit

Në mëngjes, në mesditë e në mbrëmje, bien kambanat e kishave! Kështu kanë bërë gjithmonë, por tani, ai koncert e pret ajrin në një mënyrë të re e na thotë shumë e shumë gjëra. Dalim në ballkonet e shtëpive e qëndrojmë aty, ndërsa tingujt përhapen tri herë në ditë. E ndiejmë mirënjohje të jashtëzakonshme për jetën, që kemi, megjithëse të mbyllur nëpër shtëpi, për famullitarin, për kambanat, për Kishën, që është e pranishme… oh, sigurisht, që është e pranishme!

R.SH. - Vatikan

Herët a vonë, ndoshta, më shumë vonë se herët, do të na vijë radha të tregojmë për këtë kohë, në të cilën kemi rënë me të dyja këmbët. Kohë ndërmjet një ëndrre të keqe e një filmi fantastiko-shkencor.

         I kemi ndryshuar të gjitha sjelljet, i kemi flijuar liritë tona, e kemi shumëzuar me zero lëvizjen. Të mbyllur ndërmjet katër mureve të shtëpisë, e kalojmë kohën si mundemi.

Papritmas, koha ka kuptim e vlerë tjetër.

         Ndoshta, reflektojmë më shumë për brishtësinë tonë, për brishtësinë e gjithësisë. Rrugët bosh, dyert e dyqaneve mbyllur kudo, heshtja mbretëron sovrane në ditët e këtij lloj burgimi.

         Por, në mëngjes, në mesditë e në mbrëmje, bien kambanat e kishave! Kështu kanë bërë gjithmonë, por tani, ai koncert e pret ajrin në një mënyrë të re e na thotë shumë e shumë gjëra. Dalim në ballkonet e shtëpive e qëndrojmë aty, ndërsa tingujt përhapen tri herë në ditë. E ndiejmë mirënjohje të jashtëzakonshme për jetën, që kemi, megjithëse të mbyllur nëpër shtëpi, për famullitarin, për kambanat, për Kishën, që është e pranishme… oh, sigurisht, që është e pranishme!

         Ndër reflektimet e shumë intelektualëve, që dëgjojmë e lexojmë këto ditë, ndokush e ka ngritur zërin edhe kundër Kishës, që qenka fshehur, mungoka. Fakti, që u është përshtatur udhëzimeve të rrepta qeveritare, shihet si një lloj mbylljeje në vetvete. Por nuk është kështu. Edhe për shkak të kambanave.

         Deri sa të bien këto kambana do të mbërrijë tek secili prej nesh një sinjal jete, rezistence, bashkimi plot dashuri me gjithë njerëzit. Kambanat tingëllojnë për të gjithë ne: besimtarë, jo besimtarë, laikë, rregulltarë e njerëz të hutuar, që akoma nuk e kanë marrë vesh ç’po ndodh. Ndjenja e pranisë së Zotit, që bart ai tingull, duhet kuptuar me intuitë, duhet pranuar e kultivuar brenda nesh, nëse shpirti ynë e ndien se kjo duhet bërë e mëson si ta bëjë.

21 mars 2020, 09:32