III Domenica di Quaresima (A) Vangelo - Gesù e la samaritana III Domenica di Quaresima (A) Vangelo - Gesù e la samaritana 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 3-të të Kreshmëve ‘A’

Në udhën shpirtërore të kreshmëve, Fjala e Zotit e dielës së tretë të kohës liturgjike të kreshmëve, nënvizon simbolin e ujit. Kisha i fton besimtarët ta kuptojnë domethënien e këtij simboli në dritën e Sakramentit të Pagëzimit e të dhuratës së Shpirtit Shenjt Zot.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 3-të të kohës së Kreshmëve, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 3-të të Krezhmëve ‘A’

Liturgjia e Fjalës së Zotit, e Dielës së Tretë të kohës së Kreshmëve, viti ‘A’, posaçërisht pjesa e Ungjillit nga Gjoni, përmes episodit të dialogut ndërmjet Jezusit e Samaritanes, na fton të reflektojmë për vlerën e Kreshmëve në rrugëtimin tonë shpirtëror drejt Pashkëve të Ngjalljes së Jezu Krishtit.

Në udhën shpirtërore të kreshmëve, Fjala e Zotit e dielës së tretë të kreshmëve, nënvizon simbolin e ujit. E Kisha na fton ta kuptojmë domethënien e këtij simboli në dritën e Sakramentit të Pagëzimit e të dhuratës së Shpirtit Shenjt Zot. Fjala e Zotit e kësaj së diele, ndërmjet tjerash, na kujton edhe rëndësinë që ka,  gjatë Kreshmëve, t’i afrohemi sa më shumë Jezusit dhe të rizbulojmë vlerën e dhuratës së Pagëzimit!

Ungjilli i Gjonit, me dialogun ndërmjet Jezusit e samaritanes, na kujton se uji, që të jep jetën e pasosur, që dikohet në zemrat tona, në ditën e Pagëzimit, vjen nga Zoti, pra, është Ai që na shndërroi e na mbushi përplot me hirin e Tij Hyjnor. Por mund të ndodhë që këtë dhuratë ta kemi harruar, ose ta kemi shndërruar në një të dhënë të thjeshtë të gjendjes civile, e ndoshta-ndoshta shkojmë në kërkim të puseve, ujërat e të cilëve nuk mund të na e shuajnë etjen e zemrës sonë.

Prandaj Ungjilli, i dielës së tretë të kreshmëve, nga Gjoni, na kushtohet pikërisht ne. Nuk është vetëm për samaritanen, por kryesisht për ne. Natyrisht ne e njohim Jezusin, por ndoshta nuk e kemi takuar ende personalisht. E dimë kush është Jezusi, por ndoshta nuk kemi folur ende me Të dje nuk e kemi pranuar si Shëlbuesin tonë.

Prandaj, kjo Kohë Kreshmësh është rast i mirë për t’iu afruar Jezusit, për ta takuar në lutje përmes një dialogu zemër për zemër, për të folur me Të, për ta dëgjuar: është rast i mirë për ta parë fytyrën e Tij edhe në fytyrën e një vëllai a të një motre të munduar. Në këtë mënyrë mund ta përtërijmë në shpirtin tonë hirin e Sakramentit të Pagëzimit, duke e shuar etjen në gurrën e Fjalës së Zotit e të Shpirtit të Tij Shenjt e duke zbuluar kështu edhe gëzimin, që  na pushton, kur bëhemi krijues, artizanë të pajtimit e mjete të paqes në jetën e përditshme. Ungjilli na kujton se Hyji Atë dërgoi Krishtin, që të shuajë etjen tonë për jetën e amshuar. Pa harruar se një dhuratë të tillë mund ta marrim, vetëm nëse i përgjigjemi thirrjes së Jezusit dhe e dëgjojmë me vëmendje Fjalën e Tij.

Duke kujtuar takimin e Jezusit me Samaritanen, del në plan të parë simboli i ujit, që nënkupton qartë sakramentin e Pagëzimit, gurrë e jetës së re për fenë, në hir të Zotit. Ky Ungjill, bën pjesë në itinerarin e lashtë të përgatitjes së katekumenëve për sakramentet e para të krishtera, të cilat i merrnin Natën e gjatë, pa gjumë, të Pashkëve. Ky ujë përfaqëson Shpirtin Shenjt, dhuratë që na e solli Jezusi, në emër të Hyjit Atë. Kush rilind nga uji e nga Shpirti Shenjt, domethënë nga Pagëzimi, hyn në lidhje reale me Hyjin; lidhje e birit me Atin; Hyji është shpirt; ata që e adhurojnë, duhet ta adhurojnë në shpirt e në të vërtetë” (Gjn 4,23.24), siç i kujtoi Jezusi Samaritanes. Secili nga ne mund të zërë vendin e Samaritanes, që na fton të gjithëve ta dëgjojnë zërin e Jezusit, i cili na flet e na thotë: “Po ta dije ti çka të dhuron Hyji!”.

                                                               Liturgjia e Fjalës

Lexim prej Librit të Daljes 17, 3-7

Në ato ditë, populli hoqi keq për ujë dhe nynykaste kundër Moisiut: “Përse na bëre të dalim prej Egjiptit për të na vrarë ne, fëmijët tanë dhe bagëtitë tona?” Moisiu iu drejtua Zotit me këto fjalë: “Çka të bëj me këtë popull? Edhe pak dhe do të më vrasin me gurë.” Zoti i tha Moisiut: “Shko para popullit; merr me vete disa prej pleqve të Izraelit, merre në dorë shkopin, me të cilin e godite lumin, dhe nisu! Ja, unë do të qëndroj para teje përmbi qetën e Horebit. Ti bjeri shkëmbit e prej tij do të shpërthejë uji që populli të pijë.” Moisiu bëri ashtu ndër sy të pleqve të Izraelit. Atë vend Moisiu e quajti: Mas a dhe Meriba, për shkak të grindjes së bijve të Izraelit dhe pse e tunduan Zotin, kur thanë: “A është Zoti me ne apo nuk është?” Fjala e Zotit.

Psalmi 95

Ref: Bëj që ta dëgjojmë zërin tënd, o Zot.

Ejani t’i këndojmë Zotit,

t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T’i dalim para me falënderje,

t’i këndojmë këngë hareje!

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij,

të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi! 

Sepse ai është Hyji ynë,

ne jemi populli i kullotës së tij,

grigja që ai e ruan.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:

Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

kur etërit tuaj më vunë në sprovë:

më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve  5, 1-2. 5-8

Vëllezër: të shfajësuar me anë të fesë, jemi në paqe me Hyjin nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë, nëpër të cilin me anë të fesë fituam hirin, në të cilin tani jemi dhe me të cilin mburremi, sepse shpresojmë se do të kemi pjesë në lumturinë e Hyjit. E shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua. Dhe njëmend, ndërkohë, kur ne ishim të pafuqi, Krishti, në kohën e duhur, vdiq për bakëqijtë. E pra, vështirë do të pranonte kush të vdesë për njeri të drejtë – ndoshta për ndonjë njeri të mirë ndokush edhe do të merrte guxim të vdesë. Por Hyji e dëftoi dashurinë e vet kundrejt neve kështu: ndërsa ne ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne. Fjala e Zotit.

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Zotëri, ti me të vërtetë je Shëlbuesi i botës: 

na jep ujë të gjallë, që të mos kemi më etje.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar! 

 

Ungjilli Gjn 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit 4, 5-42

Në atë kohë, Jezusi arriti në qytet të Samarisë që quhet Sihar, afër pronës që Jakobi ia pati dhënë Jozefit, të birit të vet. Po i thotë gruaja: “Zotëri, më jep asi uji, që të mos etem më e të mos më duhet të vij këtu të nxjerr!”Ai i tha: “Shko, thirre burrin tënd dhe eja këtu!” “Unë nuk kam burrë!”- i përgjigji ajo. “Mirë the! – ia ktheu Jezusi – ‘S’kam burrë!’ Sepse i pate pesë burra, e ky që ke tani, nuk është burri yt! Fole të vërtetën!” Gruaja i tha: “E di se do të vijë Mesia, që quhet Krisht. Kur të vijë, ai do të na zbulojë gjithçka.” Jezusi i tha: “Unë jam, unë që po flas me ty!”  Ndërkaq arritën nxënësit e tij dhe u çuditën që po fliste me një grua. Porse, prapë, askush nuk e pyeti: “Çka do?” ose: “Pse po flet me të?” Gruaja e la enën dhe shkoi në qytet. U tha njerëzve: “Ejani e shihni njeriun që më tregoi gjithçka kam bërë. A mos është ky Mesia?” Ata dolën prej qytetit dhe u nisën tek ai. Ndërkaq nxënësit po e lutnin: “Rabbi, ha!” Ai u tha: “Kam për ushqim një gjellë tjetër që ju s’e dini.” Nxënësit e pyetën njëri-tjetrin: “A mos i solli ndokush ushqim?”   Jezusi u përgjigji: “Ushqimi im është të zbatoj vullnetin e atij që më dërgoi, ta kryej veprën e tij. A nuk thoni ju: ‘Edhe katër muaj, e, ja, korrja’? Qe, unë po ju them: Çoni sytë tuaj dhe shikoni: arat u zbardhuan për korrje! Tanimë korrtari po e merr pagën dhe po mbledh frytin për jetën e pasosur, që mbjellësi e korrtari të galdojnë së bashku! Në këtë gjë vërtetohet fjala: ‘Njëri mbjell e tjetërkush korr’! Unë ju dërgova të korrni atje ku ju s’derdhët djersë? Të tjerët u munduan e ju trashëguat frytin e djersës së tyre.”  Shumë samaritanë prej atij qyteti besuan në të për shkak të fjalës së gruas që dëshmoi: “Më tregoi gjithçka kam bërë.” Kur, pra, samaritanët erdhën tek ai, iu lutën të rrijë te ata. Jezusi ndenj ndër ta dy ditë. Por shumë më tepër njerëz besuan në të për arsye të mësimit të tij. Gruas i thoshin: “Tani nuk besojmë vetëm pse na tregove ti: vetë e dëgjuam dhe e dimë se me të vërtetë është Shëlbuesi i botës.” Fjala e Zotit.

13 mars 2020, 14:47