Gesù nella sinagoga Gesù nella sinagoga 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së 6-të të gjatë vitit kishtar ‘A’

Ungjilli i kësaj së diele nga shën Mateu, fragmenti nga ‘Predikimi në mal’ i Jezusit, nënvizon se dashuria për Zotin e për të afërmin janë dy shtyllat, mbi të cilat përkryhet Ligji i Krishtit. E reja që solli Jezu Krishti duhet kërkuar në faktin se është vetë Ai, që i mbush dhjetë urdhërimet përplot me dashurinë e Hyjit Atë.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 6-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së 6-të të gjatë vitit kishtar ‘A’

Jezusi nuk ka ardhur për anuluar Ligjin apo Profetët, do të thotë dëftimin e vjetër hebraik, që e ka shoqëruar Izraelin në udhën e tij të fesë, por ka ardhur për t’i dhënë plotësi e përkryerje. Leximet biblike tё liturgjisё sё kёsaj sё diele na kujtojnё se Zoti ia lë njeriut të zgjedhë ndërmjet së mirës e së keqes, ndërmjet bindjes, ose refuzimit të Fjalës së Tij. Leximet biblike tё kësaj së diele, na ftojnë të privilegjojmë të mirën.

Ka një mënyrë të re për t’i respektuar normat e Ligjit, nё Ungjillin e Mateut, ku Jezusi nënvizon se nuk ka ardhur t’i ftojë njerëzit për të mos respektuar Ligjin e Moisiut dhe profetët. Kjo mënyrë e re u përurua nga Krishti me Pashkët e veta. Njeriu nuk e ndjek më Ligjin vetëm si normë në vetvete, por e jeton atë për të qenë vërtet i lirë. Liria është pasuria më e çmuar, që Zoti i ka dhuruar njerëzimit. Por, për të qenë të lirë duhet flijuar diçka. Krishti na tregon një sekret për ta fituar më lehtë lirinë: të shkojmë drejt vëllait në nevojë.

Liturgjia e dielës sё gjashtё gjatё vitit kishtar na ofron një faqe tё re tё Predikimit tё Jezusit nё mal. Sipas Ungjillit, rrëfyer nga Shёn Mateu ungjilltar, çka u tha nё Besëlidhjen e Vjetër, nuk ishte gjithçka, e, nё fragmentin e Ungjillit të kësaj së diele, Jezusi na fton tё rilexojmё Ligjin te Moisiut, posaçërisht lidhur me tri tema: vrasjen, shkeljen e kurorës dhe betimin.

Jezusi erdhi pёr ta përmbushur dhe pёr ta shpallur përfundimisht ligjin e Zotit, duke vёnё nё pah aspektet e mirëfillta tё tij. Dhe e bёri kёtё me predikimin e vet e, mё shumë akoma, me dhurimin e vetvetes mbi kryq.

Kёshtu Jezusi na mëson si ta bëjmë plotësisht vullnetin e Zotit, me një drejtësi mё tё lartё, sesa ajo e skribёve dhe e farisenjve. Drejtësi e frymëzuar nga dashuria, nga bamirësia, nga mëshira. Drejtësi e aftë tё realizojё thelbin e Urdhërimeve, duke e shmangur rrezikun e formalizmit: kёtё mundem, atё nuk mundem; deri këtu mundem, deri atje nuk mundem.. Jo! Mё shumë, mё shumë mundem dhe mundesh mё shumë. Tre aspektet, qё shqyrton mё tepër Jezusi nё faqen e Ungjillit, qё na propozon liturgjia e kësaj sё diele, janё: vrasja, shkelja e kurorës, betimi.

Vrasja e mirëfilltë, sipas Jezusit, jo vetëm është në kundërshtim të plotë me Urdhërimin e Tënzot “Mos vra!”, por edhe me dinjitetin e njeriut, duke përfshirë këtu edhe fyerjet. Natyrisht këto nuk janë aq të rënda e fajtore sa vrasja, por radhiten në të njëjtën vijë, si parakushte, të ngarkuara me të njëjtin mllef, me të njëjtën dashakeqësi. Jezusi na fton të mos ndalemi tek klasifikimi i fyerjeve, por t’i shikojmë të gjitha si tepër të dëmshme, sepse të gjitha synojnë t’i bëjnë keq të afërmit. E Jezusi na jep edhe shembuj. Të shash, të fyesh.., po ne jemi mësuar të shajmë...! Sharja për ne është si të themi mirëmëngjes! E kjo është në të njëjtën vijë me vrasjen. Kur fyhet vëllai, vritet në zemër. I  hapet një plagë po aq e rrezikshme, sa ajo e armës. Plagë që vonë mbyllet. E që mund të hapë plagë të reja. Prandaj na thotё Jezusi mos fyeni, mos shani! Nuk fitojmë asgjë duke fyer!.

E përsa i përket shkeljes së kurorës, Jezusi shikon drejt e në rrënjën e së keqes. Ashtu si arrihet në vrasje, përmes fyerjeve e sharjeve, kështu arrihet në shkeljen e kurorës përmes dëshirës për të shtënë në dorë një grua tjetër, të ndryshme nga gruaja jote. Të gjitha mëkatet lindin brenda nesh një herë, pastaj dalin e vihen në jetë. E Jezusi thotë: “Kush e shikon gruan, që nuk është e tija, me dëshirën për ta pasur, në zemrën e tij e ka shkelur kurorën”, e ka nisur tashmë rrugën, që të çon në shkeljen e kurorës. Të mendojmë pakëz për ndjetet e këqija, që lindin në këtë vijë.

Mos u betoni – u thotë Jezusi dishepujve të vet - sepse betimi është shenjë pasigurie e marrëdhëniesh me dy faqe. Ndërsa jemi të thirrur të vendosim ndërmjet nesh, në familjet tona e në bashkësitë tona, një klimë kthjelltësie e besimi reciprok, kështu që të mund të mbahemi si njerëz të sinqertë, pa pasur nevojë për ndërhyrje të tjera,  të një drejtësie më të lartë,  që  të mund të na besojnë.

Me pak fjalё, ftesa kryesore, që na bën Ungjilli i kёsaj sё diele nga Mateu ёshtё të jemi  të krishterë të vërtetë, jo sa për sy e faqe. E Fjala e Zotit na kujton edhe thirrjen: tё mos harrojmё tё mos shajmë, tё mos e shikojmё tjetrin me sy të keq, me syrin që lakmon gruan e tjetrit; tё mos betohemi. Janë tri gjëra, që na i kujton vetë Jezusi nё Ungjillin e kёsaj sё diele e ne nuk duhet t’i harrojmё mёsimet e Tij, madje duhet t’i zbatojmё nё jetёn e pёrditshme.                                               

                                                         Liturgjia e Fjalës

Lexim prej Librit të Siracidit

Nëse do t’i mbash urdhërimet edhe ato të ruajnë; nëse ke besim në Të, edhe ti do të jetosh. Ai t’i vuri përpara ujin e zjarrin, ku të duash, shtrije dorën tënde! Përpara njeriut është jeta e vdekja, e mira dhe e keqja: çka ai të parapëlqejë, ajo do t’i je-pet. Sepse e madhe është urtia e Hyjit, Ai është i madh në pushtet e pandërprerë sheh gjithçka. Sytë e Hyjit priren mbi ata që e druan, Ai i njeh të gjitha veprat e njeriut. Nuk i urdhëroi askujt të jetë i paudhë e nuk ia dha askujt lejen për të bërë mëkat. Fjala e Zotit

Psalmi 119 (118)

Ref:
Lum ai që ec në ligjin e Zotit.
_________________
Lum njeriu me sjellje të pastër,
që ecën në ligjin e Zotit!
Lum kush i mban dëshmitë e tija,
që e kërkon me gjithë zemër.
_________________

Ti i shpalle urdhërimet e tua
që të mbahen përpikërisht.
Oh, sikur të ishin të drejta udhët e mia
për t’i zbatuar rregulloret e tua!
_____________

Bëja këtë të mirë shërbëtorit tënd:
që të jetoj e ta mbaj fjalën tënde.
M’i hap sytë të shikoj
mrekullitë e ligjit tënd.
_____________

Urdhri yt më bëri më të dijshëm se armiqtë e mi,
sepse gjithmonë është me mua.
Shpirti im i ruan ligjet e tua
dhe i desha ato me gjithë shpirt.
_________________


Leximi i dytë (1 Kor 2, 6-10)

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, ne shpallim dijen në mes të përsosurve, por jo dijen e këtij shekulli, as të princave të kësaj bote të gjykuar për dënim, por predikojmë dijen e Hyjit të fshehur në mister, atë që Hyji e kishte paracaktuar para shekujve për lumturinë tonë, atë që asnjë nga princat e kësaj bote nuk mund e njohi; sepse, po ta kishin njohur, nuk do ta kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë. Por, sikurse thotë Shkrimi shenjt: ‘Çka syri nuk pa e veshi nuk dëgjoi dhe në zemër të njeriut nuk hyri, atë ua bëri Hyji gati atyre që e duan.’ Hyji na e zbuloi këtë të vërtetë me anë të Shpirtit Shenjt: sepse Shpirti Shenjt depërtonë në gjithçka, edhe vetë thellësinë e natyrës hyjnore. Fjala e Zotit

Aleluja.
Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut,
që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore.
Aleluja.

Ungjilli (Mt 5, 17-37)

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer ligjin ose profetët! Jo, s’erdha ta shlyej, por ta përkryej. Për të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë germë dhe asnjë presje nuk do t’i hiqet ligjit, por do të zbatohen të gjithat.
Prandaj, kushdo që do ta shlyejë njërin ndër këta urdhëra, qoftë edhe më të voglin, dhe do t’i mësojë nerëzit të bëjnë ashtu, do të jetë më i vogli në Mbretërinë e qiellit; ndërsa ai që do t’i mbajë dhe do t’i mësojë, do të jetë i madh në Mbretërinë e qiellit.
Sepse, unë po ju them: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e skribëve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit.
Keni dëgjuar se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos vrit! Kush vret do të jetë përgjegjës para gjyqit.” E unë po ju them: Kushdo që zemërohet kundër vëllait të vet, do të jetë përgjegjës para gjyqit; e kush t’i thotë vëllait të vet: ‘Budall’, do të jetë përgjegjës para Sinedrit; kush t’i thotë: ‘I marrë’, do të përgjigjet në zjarrin e ferrit.
Pra, nëse e sjell dhuratën tënde për ta kushtuar në lter e aty të bie në mend se yt vëlla ka diçka kundër teje, lëre dhuratën tënde aty para lterit, shko e pajtohu më parë me vëllanë tënd e pastaj eja e kushtoje dhuratën tënde!
Ndrequ me shpejt me kundërshtarin tënd sa të jesh ende në udhëtim me të, që kundërshtari të mos të dorëzojë gjykatësit e ky rojtarit të gjyqit, që të mos të ndryejnë në burg. Për të vërtetë po të them: s’do të dalësh prej andej para se ta paguash edhe paranë e fundit.
Keni dëgjuar se që thënë: ‘Mos e the kurorën!’ E unë po ju them: kushdo që me dëshirim e shikon një grua, në zemrën e vet e ka bërë fëlligështinë me të. Nëse syri yt i djathtë të çon në mëkat, nxirre e flake larg teje! Është më mirë për ty të humbasësh njërën nga gjymtyrët e tua, se i tërë trupi yt të hidhet në ferr. E nëse dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje e hidhe larg teje! Është më mirë për ty të humbasësh një gjymtyrë se i tërë trupi yt të hidhet në ferr. Qe thënë edhe: ‘Kush e ndan gruan e vet, le t’ia japë letrën e ndarjes.’ E unë po ju them: kushdo e ndan gruan e vet, përveç në rastin e fëlligështisë, e bën atë të thejë kurorën; e nëse ndokush martohet me gruan e ndarë, then kurorën.
Keni dëgjuar gjithashtu se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos e the betimin, por zbato çka i ke premtuar Zotit me betim!’ E unë po ju them: assesi mos u betoni; as me qiell, sepse ai është froni i Hyjit, as me tokë, sepse ajo është shtroja e këmbëve të tija, as me Jerusalem, sepse ai është qyteti i Mbretit të madh. Mos bëj be as në krye tënd, sepse nuk je i zoti as një fije floku ta bësh të bardhë ose të zezë. Fjala juaj le të jetë: Po, po; jo, jo! Çkado që është më tepër se kaq, vjen prej qoftëlargut.” Fjala e Zotit

14 shkurt 2020, 15:51