Hong Kong: udhëzimet e Kishës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit
R. SH. - Vatikan
Komisioni i dioqezës së Hong Kongut për liturgjinë, pasi u këshillua me specialistët e sektorit mjekësor e si u njoh nga afër me masat e emergjencës, marrë nga qeveria, botoi dje vijat kryesore udhëheqëse për t’i bërë ballë epidemisë së koronavirusit. Në dokumentin e ri kërkohet thellimi i masave të botuara nga dioqeza më 23 janarin e kaluar, kur emergjenca nuk ishte deklaruar akoma. Qeveria e Hong Kongut, ku deri më sot janë regjistruar 8 raste të koronavirusit, njoftoi dje se do t’i ndalojë rreptësisht udhëtimet nga Kina kontinentale, duke ndërprerë edhe shërbimin hekurudhor e duke e përgjysmuar atë ajror.
Ftesë për lutje e solidaritet
Dokumenti i Kishës së Hong Kongut nxit gjithë klerin, shërbyesit e liturgjisë dhe besimtarët t’i respektojnë rreptësisht masat, që synojnë mbrojtjen e së mirës së përbashkët e ta parandalojë, përsa është e mundur, përhapjen e mëtejshme të epidemisë në bashkësitë famullitare e lokale. Për këtë qëllim, kryeipeshkvi i Hong Kongut, kardinali John Tong Hong, i nxit të gjithë besimtarët të bëjnë ç’është e mundur, duke u nisur nga lutja e nga praktimi i virtyteve të fesë, të shpresës e të dashurisë, për t’u bashkuar me qeverinë e me publikun, në luftën e përbashkët kundër virusit vdekjeprurës”.