Shën Pali apostull Shën Pali apostull 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Letra e dytë drejtuar Korintasve – zemërimi i shën Palit

Vijojmë edhe sot komentin e Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve. Javës së kaluar mbërritëm deri në kapitullin 7. Vazhdojmë të ndjekim librin “Është ora e leximit të Biblës”, të meshtarit italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Në kapitullin e tetë gjendemi para diçkaje, që e njohim fort mirë: mbledhjen e parave për bamirësi. E kush prej nesh nuk e ka bërë këtë të paktën një herë në jetë? Por, ajo që organizon shën Pali me bashkësitë e të krishterëve, në favor të të varfërve të Jeruzalemit, është diçka krejt e re për kohën. Jo vetëm është mbledhja e parë e lëmoshës për të krishterët, por është edhe e para në histori. Paganë, që me paratë e tyre ndihmojnë të krishterë hebraikë, të cilët as që i njohin! Në botën e lashtë të perandorive e të qytet-shteteve, as që ishte menduar ndonjëherë diçka e tillë.

Po të studiosh aty-këtu, mund të vëresh se në botën hebraike, taksa për tempullin dhe ofertat për të varfërit e Jeruzalemit ishin praktika të përhapura në diasporë. Ashtu edhe në botën pagane, sidomos në kohën e stoicizmit, lëmosha konsiderohej gjë e madhe. Por Pali e rishpik historinë dhe e bën këtë si për t’u dëshmuar atyre të Jeruzalemit besnikërinë e tij për Qytetin e Shenjtë, ashtu edhe për ta treguar me fakte atë, që përsërit prej vitesh kur flet për Krishtin dhe për Korpin e Tij, që është Kisha:

“Ju e njihni bujarinë e Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili, duke qenë i pasur, u bë për ju i varfër, që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së tij” (2 Kor 8,9).

Pikërisht nga Krishti, Shën Pali mësoi gëzimin, që ndjen njeriu kur jep e jo vetëm kur merr, si edhe sigurinë se bota e lashtë vdiq në kryq. Disa vite më vonë, të krishterëve të Efesit, shën Pali do t’ua shpjegonte kështu, këtë intuitë të tij:

“[Krishti është] Ai, që prej dy popujve bëri një e përmbysi murin ndarës d.m.th. armiqësinë” (Ef 2,14).

Ndërsa në Letrën drejtuar Galatasve, shprehet me një hov, që përpiqet të kapërcejë gardhet mijëvjeçare të historisë:

“Nuk ka më: hebre - grek! Nuk ka më: skllav - i lirë! Nuk ka më: mashkull - femër! Të gjithë ju jeni NJË në Krishtin Jezus!” (Gal 3,28)

Kur shën Pali shpik mbledhjen e fondeve nga paganët për hebrenjtë, përpiqej të dëshmonte pikërisht këtë: në Krishtin, njeriu bëhet krijesë e re dhe merr një identitet, që e kapërcen çdo ndarje e konflikt. Për herë të parë, historia gjen një protagonist të bashkimit ndërmjet popujve. Falë fesë së tij, Pali është vizionar e ideja e mbledhjes së fondeve është një nga gjërat më të mençura dhe më të rëndësishme, që i ka lënë Kishës.

Letra, që mbërrin kështu në kapitullin 10, duket sikur kthehet mbrapsht, sepse shën Pali detyrohet sërish të bëjë apologjinë e vet. Gjithçka lind nga disa gjykime për të, që përpiqen t’ia ulin vlerën dhe prestigjin si atij, ashtu edhe mësimeve të tij: “Letrat – thotë dikush në Korint – janë të ashpra e të fuqishme, por prania e tij fizike është e dobët dhe fjala, tepër e thjeshtë”.

Pali zemërohet në kulm! E pranon sfidën dhe sulmon ata, që “rekomandojnë vetveten” e mendojnë se janë më të mençur se ai:

“E pra, unë mendoj se nuk jam në asgjë më i vogël se këta ‘kryeapostuj!’. … Këta farë burrash janë apostuj me rrena, punëtorë gënjyes, që shtihen si apostuj të Krishtit” (2 Kor 11,5.13).

Vjen pra, koha për t’u mbrojtur e për t’u mburrur, por Pali e bën këtë “në Zotin”, sepse gjithçka është ai vetë vjen prej Hyjit, prandaj, e ndien veten të lirë nga modestia e përvujtëria.

“‘Ai që lëvdohet, le të lëvdohet në Zotin!’ Sepse nuk është i sprovuar ai që e porosit vetveten, por ai të cilin e porosit Zoti” (2 Kor 10,17-18).

         Krejtësisht i tërbuar nga gjykimi i të tjerëve, shën Pali mbron fuqishëm vetveten, me fjalë të denja për gjykatën më të famshme:

         “Oh, po të mund ta duroni pakëz marrinë time! Vërtet, më duroni!... Po e përsëris që askush të mos mendojë se jam i marrë. Por, ani më mbani për pak kohë edhe për të marrë, që edhe unë të mund të lëvdohem pakëz! … U bëra i marrë! Por ju më ngucët!” (2 Kor 11,1.16; 12,16).

         Duket si të ishte një skenë, ku grinden dy bashkëshortë e ku secili ia vesh tjetrit gjithë fajin. Kjo listë akuzash e shën Palit vijon edhe në kapitullin 11, për të cilin do t’ju flasim të enjten e ardhshme.

30 janar 2020, 12:18