San Giovanni Bosco, salesiani San Giovanni Bosco, salesiani 

Me 31 janar kalendari kishtar kujton Shën Gjon Boskun

Apostull i madh i të rinjve, Shën Gjon Bosku qe për ta atë dhe udhëheqës në rrugën e shëlbimit, duke i edukuar me metoda bindëse, me shpirt të vërtetë feje, me dashurinë që ndihmon për t’i shmangur gabimet e jo për t’i ndëshkuar.

R.SH. - Vatikan

Me 31 janar kalendari kishtar kujton Shën Gjon Bosko-n, themelues i Salezianëve, atë dhe mësues i të rinjve.  Shenjtorët dëshmojnë se bamirësia dhe shërbimi duhet të zënë vendin e parë në jetën e të krishterit. Këtë na kujton edhe shembulli frymëzues i Shёn Gjon Bosko-s, i cili nё epokën moderne, i përflakur nga dashuria e Jezusit, Bariut të Mirë, nis të kujdeset për të rinjtë më të braktisur e bëhet për ta atë e mësues.

Gjon Bosku, pajtor qiellor i studentëve e i botuesve, meshtar torinez, lindi në vitin 1841,  vdiq më 31 janar 1888, dhe u kanonizua nga Papa Piu XI në vitin 1934. Shenjti kujtohet si krijues i Oratorëve, vend takimi e dëfrimi për të rinjtë, edukimit të të cilëve Shenjti ia kushtoi gjithë jetën, dhe si themelues i vëllezërve Salezianë dhe i motrave Saleziane. Familja saleziane është një lis madhështor, me rrënjë të ngulura thellë në trojet e të pesë kontinenteve: në metropole, në fshatra, në vijat e kufirit, në vise misionare, në vende të ungjillëzuara e të paungjillëzuara. Megjithatë, këto rrënjë duhen fuqizuar, duhen inkulturuar vazhdimisht, sepse prej tyre buron limfa, që i mban degët gjithnjë të blerta. E kanë tepër nevojë për limfë të re këto degë, në sa bota e ndjen gjithnjë më shumë krizën edukative në radhët e të rinjve.

Apostull i madh i të rinjve, Shёn Gjon Bosko qe për ta atë dhe udhëheqës në rrugën e shëlbimit, duke i edukuar me metoda bindëse, me shpirt të vërtetë feje, me dashurinë që ndihmon për t’i shmangur gabimet e jo për t’i ndëshkuar. Të rinjtë e dom Boskos ishin të rinjtë e Torinos, të industrializmit të parë, që dyndeshin nga fshati në qytet, në kërkim të punës e të bukës, e atje braktiseshin, shfrytëzoheshin nga punëdhënësit, harroheshin nga autoritetet civile. Dom Bosko u bë për ta atë, mësues, mik. E themeloi atë, që njihet me emrin Oratorio, një shtëpi në të cilën të rinjtë mësonin ta donin njëri-tjetrin. Ja pra, me pak fjalë, mësonin të bëheshin shenjtorë në një mënyrë shumë të thjeshtë e të përshtatshme për moshën e tyre. Po kujtojmë vetëm fjalët e Shën Dedës Savio: “Për ne shenjtëri do të thotë të jemi gjithnjë plot gëzim”.

Ndoqi modelin e Françeskut nga Sal, prandaj metoda e tij edukuese dhe apostolike ka frymën e humanizmit të krishterë, plot me dritë ungjillore. Njëri ndër frytet më të shkëlqyeshëm të pedagogjisë së tij, Shën Domenik Savio, pesëmbëdhjetëvjeçari që e kishte kuptuar mësimin e mësuesit: “Në këtu, në Shkollën e dom Boskos, shohim se shenjtëri do të thotë të jemi shumë të hareshëm dhe të përmbushim plotësisht detyrat tona”.

Kujtojmë se familja rregulltare Saleziane është e pranishme ndër shqiptarë. Në Shqipëri që në vitet ’30 dhe pas ndërprerjes gjatë periudhës komuniste, në vitin 1992 rregulltarët salezianë janë kthyer menjëherë, për të ngritur oratorët dhe qendrat e tyre sociale në Tiranë e në Shkodër, në sa prej vitesh vijojnë misionin në Prishtinë e Gjilan të Kosovës, dhe në Podgoricë të Malit të Zi. 
Të guximshëm në shpalljen e Ungjillit e të durueshëm me të rinjtë.

Saleziani shqiptar dom Domenik Qerimi flet për karizmën dhe misionit të Salezianëve dhe të motrave Saleziane, posaçërisht për misionin me të rinjtë në Uratorore, ta dëgjojmë..

Saleziani shqiptar dom Domenik Qerimi flet për karizmën dhe misionit të Salezianëve dhe të motrave Saleziane,
31 janar 2020, 11:32