Natale Presepe Scurelle - Trento Piazza San Pietro 2019 Natale Presepe Scurelle - Trento Piazza San Pietro 2019 

Shenjtorët e javës 15 - 22 dhjetor

Krishtlindja është afër, shenjat e afrimit të saj janë të dukshme nëpër udhët tona, sheshet tona, e edhe nëpër shtëpitë tona. Këto shenja të jashtme na ftojnë ta presim Zotin, që vjen gjithnjë e troket në portën tonë, troket në zemrën tonë, për të na u afruar; na ftojnë t’i njohim hapat e Tij ndër hapat e vëllezërve, që na kalojnë pranë, posaçërisht atyre më të ligshtëve e më nevojtarëve.

R.SH. - Vatikan

E diel 15 dhjetor, Kisha katolike kremton të Dielën e 3-të kohës së Ardhjes, kohës liturgjike që paraprin e përgatit festën e Mishërimit të Zotit, Krishtlindjen. Gjithnjë më 16 dhjetor,  kalendari kishtar përkujton Shën Valerianin, ipeshkëv i Afrikës e martir. Liturgjia na kujton se Krishtlindja është afër, shenjat e afrimit të saj janë të dukshme nëpër udhët tona, sheshet tona, e edhe nëpër shtëpitë tona. Këto shenja të jashtme na ftojnë ta presim Zotin, që vjen gjithnjë e troket në portën tonë, troket në zemrën tonë, për të na u afruar; na ftojnë t’i njohim hapat e Tij ndër hapat e vëllezërve, që na kalojnë pranë, posaçërisht atyre më të ligshtëve e më nevojtarëve.

Të hënën më 16 dhjetor, kalendari përkujton shën Davidin mbret e profet dhe shën Adelajdën perandoreshë. Liturgjia na kujton se mbarë kufijtë e tokës do të shohin shëlbimin që vjen nga Zoti.

Të martën më 17 dhjetor, kalendari përkujton shën Danielin profet; shenjtorët Anania, Azaria e Mizaeli; shën Gjonin e Matës, meshtar, themelues i Trinitarëve dhe shën Gjaçintin Kormié, meshtar dominikan. Liturgjia na kujton se Danieli me profecinë e tij për ardhjen e një mbretërie të re, krejtësisht të ndryshme nga të tjerat, foli për atë mbretëri që u jepet të zgjedhurve të Hyjit.

Të mërkurën më 18 dhjetor, kalendari përkujton shën Malakinë profet e shën Gaciantin ipeshkëv i Tur. Liturgjia na fton të kundrojmë  lindjen e Mesisë, i paralajmëruar nga profetët, që vjen për ta shpëtuar popullin prej mëkatesh. Por për ta bërë këtë, Hyji shërbehet nga të drejtët, nga ata që e dëgjojnë fjalën e tij.

Të enjten më 19 dhjetor, kalendari përkujton shën Urbanin V papë dhe shën Anastasin papë.  Liturgjia na kujton se  pritja e Zotit, ashtu si ardhja e tij, janë çështje feje, e në se ne kemi fe, Hyji, me dhuratën e shërimit, do të na bëjë jo vetëm të ecim, por edhe të vrapojmë; jo vetëm të flasim, por edhe të bërtasim, kur është nevoja.

Të premten më 20 dhjetor, kalendari përkujton shën Liberatin e shën Filogonin. Liturgjia  na kujton se për ta njohur me të vërtetë Hyjin Atë nuk mjafton të studiosh filozofinë ose teologjinë: rëndësi ka të kundrosh Foshnjën Hyjnore të lindur nga Virgjëra Nënë.

Të shtunën më 21 dhjetor, kalendai përkujton shën Mikenë Profet e të shën Pjetër Kanizin, jezuit e doktor i Kishës. Liturgjia e ditës na kujton se Maria e Elizabeta janë ikona e çdo të krishteri, që ndjek Zotin përplot me Shpirtin Shenjt e që prandaj ecën me gëzim e optimizëm edhe ndër shtigje të thepisura.

Të dielën e ardhshme më 22 dhjetor, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 4-të e e të fundit të kohës liturgjike të Ardhjes, e gjithnjë më 22 dhjetor, kalendari përkujtonshën Françeskën Kabrini, virgjër, themeluese e Misionareve të Zemrës së Krishtit. Nisi, kështu, një nga javët më gazmore të vitit, që i afrohet fundit plot vezullime, premtime e shpresa. Zoti vjen rishtas mes nesh, për të na rinuar ne e botën. 

Liturgjia e kësaj së diele na kujton thirrjen e psalmistit: ‘Ta ngrejmë lart kokën, shpëtimi ynë është afër!’. Pritja e Lindjes së Jezu Krishtit tashmë është tek porta. Tre udhëheqës të mëdhenjë na ndihmojnë të përgatitemi për ta pritur në zemra tona Shpëtimtarin Hyjnor: Izaia profet, Gjon Pagëzuesi, e sot, Maria e Nazaretit.

15 dhjetor 2019, 09:37