Lutje drejtuar martirëve Lutje drejtuar martirëve 

Shën Shtjefni, Martiri i parë. Persekutimi i të krishterëve vijon!

Ditën kur Kisha kremton festën liturgjike të Shën Shtjefnit, martir i parë, duhet kujtuar numri shumë i madh i njerëzve, që vijojnë të persekutohen në të katër anët e botës për shkak të fesë së tyre të krishterë. Intervistë me drejtorin e Open Doors/Porta të Hapura Italia, Cristian Nani.

R. SH. - Vatikan

Martirizmi i Shën Shtjefnit përshkruhet në Veprat e Apostujve. U mbyt me gurë, në vitin 36. Shën Shtjefni Protomartir, domethënë, i pari, që u priu aradheve të martirëve të krishterë në udhët e historisë, u mbyt vetëm e vetëm sepse  dëshmoi besimin e tij në Krishtin, kumtoi Ungjillin e ktheu në fe një mori njerëzish. Kulti i Shenjti u përhap shumë shpejt në mbarë botën. Vetëm në Itali, më se njëqind komuna e zgjodhën për Pajtor. E edhe në Shqipëri devocioni i Shenjtit u përhap qysh në kohë që nuk mbahen mend, aq sa u bë Pajtor i  Kështjellës së fundit, që ra në dorën e turkut, Rozafës, në zemër të së cilës ruhen edhe sot e kësaj dite gërmadhat e Katedrales, ngritur për nder të Tij. Si dëshmi, për dëshmitarin. E me  emrin e Martirit të parë është pagëzuar edhe Kadedralja e Qytetit të Shkodrës - ashtu si dhe një mori burrash e grash shqiptarë, katolikë e ortodoksë, vijojnë të pagëzohen me emrin e Shenjtit: Shtjefën, Stefan e Stefania. Ndërmjet tyre, edhe një i lum: “Shtjefën Kurti”. Tejet i pranishëm Martiri i parë në Shqipëri! Ndoshta sepse edhe vendi, që e zgjodhi për Pajtor, vijoi të martirizohej në shekuj, pikërisht për të mbrojtur fenë e Krishtit!

Për fat të keq, martirizimi nuk ka marrë fund: përkundrazi. Gra e burra nga të katër anët e botës, vijojnë ta paguajnë me jetë dashurinë e tyre për Krishtin dhe fenë e tyre të krishterë. Dje, si sot, ka shumë rëndësi të ndizen reflektorët mbi këto persekutime, që marrin forma nga më të ndryshmet: formën e dhunës, të damkave, vandalizmit, intolerancës, përjashtimit, mënjanimit. Sipas World Watch List 2019 të Open Dors/Porta të Hapura, Raport vjetor kushtuar lirisë fetare të të krishterëve në botë, më se 245 milionë të krishterë vijojnë të persekutohen nëpër botë. World Watch shqyrton një periudhë prej 12 muajsh, nga nëntori 2017 - deri në tetor 2018. Shoqata do ta botojë Raportin më 18 janarin  e ardhshëm.

Gjithnjë më i madh, numri i të krishterëve të martirizuar

E pranishme në 60 vende, organizata jep informacione edhe për asistencën e të krishterëve, që vuajnë për shkak të fesë së tyre. Në intervistën dhënë Radio Vatikanit - Vatican News, Cristian Nani, drejtor i Porte Aperte në Itali, kujton se në vitin, që po përfundon, persekutimi kundër besimtarëve të krishterë është bërë më i fortë e më i shpeshtë.  “Duhet folur për këtë,  duhet reflektuar, sepse sot - pohon - mijëra njerëz vdesin për shkak të fesë së tyre. E nuk vdesin në luftë, në situata konflikti, por vetëm e vetëm për shkak të besojmës së tyre, të cilën e shpallin publikisht. Prej këndej, pasi analizon  gjendjen e të krishterëve në Libi e në Jemen, rikthehet tek ata që Papa Françesku, në një nga audiencat e kohëve të fundit, i quajti “të krishterë të persekutuar me doreza të bardha!”, duke nënkuptuar kështu se martirizimi merr forma nga më të ndryshmet edhe në Evropë. Intoleranca e vandalizmi janë - shton Nani - dy kumbonë alarmi, që duhen pasur seriozisht parasysh.

Sa të persekutuar sot, edhe me doreza të bardha! Me mënyrat më dinake, që u përdorën ndonjëherë në atë histori, faqen e parë të së cilës e hapi Shën Shtjefni i mbytur me gurë! Po gurët sot kanë forma  shumë më moderne. Shumë më të rafinuara. Megjithatë, mbeten gurë që, kur nuk mund ta vrasin trupin, mundohen të vrasin shpirtin. Françesku ndezi reflektorët mbi ta, duke folur në audiencën e përgjithshme  të 11 dhjetorit. E më pas,  në  fjalimin drejtuar Kuries  javën e kaluar – Papa   kujtoi:

“Nuk jemi në kristianitet, jo më! Sot nuk jemi më të vetmit, që prodhojnë kulturë, as të parët e as më të dëgjuarit”. “Nuk jemi më në regjimin e kristianitetit, sepse feja, në pjesën më të madhe të botës perëndimore, “nuk përbën më parakushtin e të jetuarit të zakonshëm”, “madje mohohet e arrihet deri në atë pikë, sa të vihet edhe në lojë”.

Dita e lutjes në Gjermani

Ndërmjet nismave të shumta, në program nëpër botë për festën liturgjike të Shën Shtjefnit, është edhe ajo e Konferencës ipeshkvnore gjermane, që kremton sot “Ditën e lutjes për të krishterët e persekutuar e të shtypur”. Në liturgjitë kujtohen vëllezërit e motrat në fe, viktima të përjashtimit, të shtypjes, e edhe të martirizimit të mirëfilltë në shumë vende të botës. Kjo nismë të kujton angazhimin e Kishës gjermane për lirinë fetare të të gjithë njerëzve. Dita e lutjes e 26 dhjetorit është pjesë përbërëse e nismës “Solidaritet me të krishterët e persekutuar e të shtypur të kohëve tona”, përmes së cilës ipeshkvijtë dëshirojnë t’i bëjnë të vetëdijshëm besimtarët e  tyre për diskriminimet e dhunën, që vijojnë të pësojnë të krishterët në të katër anët e botës.

26 dhjetor 2019, 14:42