Kremtimi i Familjes Shenjte në Ramallah - Toka Shenjte Kremtimi i Familjes Shenjte në Ramallah - Toka Shenjte 

Pizzaballa: viti 2020 sjelltë dialog e përgjegjësi për Lindjen e Mesme

Ishte një Meshë për të mbledhur të krishterët e territoreve e për të folur për figurën e Shën Jozefit, si burrë e si atë. E kremtoi sot, në festën e Familjes Shenjte, administratori apostolik i Patriarkatit të Jeruzalemit të Latinëve, kryeipeshkvi Pierbattista Pizzaballa. Në intervistën tonë, bën bilancin e vitit të kaluar, e edhe urimet për vitin 2020.

R. SH. - Vatikan

Sot Kisha kujton Familjen Shenjte të Nazaretit, ditë feste për t’u lutur me Marinë e Jozefin, në praninë e Krishtit të sapolindur. Është festa e jetës së tyre të përditshme, e prandaj kremtohet me thjeshtësi e gëzim edhe në Palestinë. Në famullinë më të madhe në Territoret, atë të Ramallahut, që mban pikërisht emrin e Familjes Shenjte, kryeipeshkvi Pierbattista Pizzaballa, Administrator apostolik i Patriarkatit të Jeruzalemit të Latinëve, kryesoi Meshën. Në mikrofonet tona e tregon kësisoj ditën e bashkësisë së krishterë në Ramallah:

“Ramallahu është qyteti kryesor i Territoreve palestineze; e famullia më e madhe i kushtohet pikërisht Familjes Shenjte, prandaj mendova të jem atje sot. Ishte një kremtim me të gjithë bashkësinë famullitare e edhe rast për t’i bekuar familjet e bashkësisë e të zonës, për t’i dëgjuar, për t’i takuar e për të kaluar ca çaste edhe me fëmijët. Kremtim shumë popullor, i thjeshtë e festiv. Sivjet do të përqendrohemi tek figura e Jozefit, te figura e tij, tek roli si baba,  që edhe këtu është paksa në krizë”.

Dy fjalë për këtë bashkësi? Cilat janë karakteristikat e saj? Si jeton?

“Famullitë tona ndryshojnë shumë, sepse edhe territori ndryshon. Këtu, në Ramallah, famullia është zmadhuar vitet e fundit, kryesisht për shkak të imigracionit nga fshatrat, prej këndej, ka natyrën e një famullie fshatare. Vështirësi hasin sidomos të rinjtë, që nuk e kanë të lehtë të gjejnë shtëpi, punë, miq, bashkësi”.

Flasim për situatën e këtij territori kaq delikat, në përgjithësi. Si e kaloi Krishtlindjen?

“Mund të them se, posaçërisht në zonën e Betlehemit, Krishtlindja është gjithnjë çast feste. Sivjet pati më shumë karakter lokal, sesa universal,  në kuptimin se shtegtarët janë pak, mbasi vijnë pasi e kalojnë Krishtlindjen në familje. Por, sidoqoftë, kishte shumë pjesëmarrje. Erdhën një mori shtegtarësh edhe nga Gaza. Për më se 900 kërkesa,  erdhën rreth 300 leje, kështuqë një treta e të krishterëve të Gazës, ku shkëmbehen ditë për ditë raketat e palëve kundërshtare e ku situata është e turpshme, mundi të vijë në Betlehem. Ishte ditë e qetë, festive. Në këtë ditë të lume bëjmë si bëjmë e i lëmë mënjanë problemet tona, sepse, të paktën një ditë duam të   festojmë edhe ne”.

Urimi juaj për Vitin e Ri në këto troje?

“Urimi im është që në 2020-tën të rifillojnë bisedimet. Që 2020-ta të jetë vit i përgjegjësisë së jetës politike e shoqërore, por edhe jetës kishtare e rregulltare, sepse nuk e kemi ndër mend të rrimë dorëjashtë. Nuk pretendojmë të na vijë papritmas paqja, aq e dëshiruar, por të paktën do të dëshironim të rilidheshin fijet e dialogut, për të siguruar marrëdhënie më të qeta  ndërmjet palëve”.

29 dhjetor 2019, 17:30