Atë Gjergj Fishta Atë Gjergj Fishta  

Kush ishte Atë Gjergj Fishta: “Portret”

Për kujtim të Atë Gjergj Fishtës (Fishtë, 23 tetor 1871- Shkodër, 30 dhjetor 1940), në 79 - vjetorin e vdekjes.

R. SH. - Vatikan

Njeri i jashtëzakonshëm. Më i madhi edukator i popullit. Njëlloj si gjithë tjerët. E, megjithatë, mbi gjithë të tjerët. Me një fuqi misterioze, që për të ishte e zakonshme, ndërsa për të tjerët, mrekulli.

Atë Gjergj Fishta ishte ai, që e ngriti flamurin e gjuhës e të kombësisë jo mbi bedenat e kështjellave, por mbi fortesat e mendimeve e të ndjenjave shqiptare.

Kushtrimin e tij e kuptoi intelektuali, analfabeti, nacionalisti, e deri ai, që nuk e dinte ç’do të thoshte Atdhe. E nuk e kupton, vetëm kush nuk deshi, a nuk do, ta kuptojë.

Ushtima e kangës së Tij shpartalloi çdo rrymë e depërtoi thellë, deri  në palcin e shpirtit të shqiptarit. E aty trandi, zgjoi, rrëmbeu!

U kujtoi, e u kujton, të gjithëve se “ka Shqipni”, e se “Shqipnia duhet të  jetë për shqiptarët”. U shpjegoi të vërtetën e madhe e të shenjtë, se partitë e pushtetarët nuk janë Shqipnia.

Prandaj vijon të duhet, e edhe të urrehet, me të njëjtën forcë.

Nisi heret të bëlbëzojë vargje shqipe, të cilat flasin për fuqinë e një shpirti poetik, që pret vetëm shpërthimin në kryevepra.

Si kur ishte i strukur ndërmjet mureve të kuvendit, ashtu edhe në kapërthimet e ndonjë famullie, foli e shkroi – shkroi e ua mbushi mendjen  shqiptarëve se duhet të krenohen, se kemi njerëz, me të cilët mund të lavdërohemi para botës,  se kemi gjuhë, kemi shpirt, kemi zakone, “që mos me ia pasë lakmi kurrkujt”.

E, kur doli në dritë “Lahuta”, pati lexues që, duke mos gjetur fjalë për të shprehur entuziazmin, e lavdëronin, duke  “e sharë”: “Allahu e marroftë, sa bukur e ka shkrue!”.

Po ai e kuptoi se kanga e “Lahutës” nuk mjaftonte. Atëhere lëshoi Anzat, e me ta s’la shpirt shqiptari pa prekë – e pa therë. Aq sa i madh e i vogël u turpërua për atë jetë, që jetonte. Atë jetë, që nuk ishte jetë, po hije vdekjeje. E për mendimet që kish në kokë, të cilat s’qenë mendime, po shtupë, për t’u flakur tutje! E ish aq therës, e mjeshtror, thimthi i Anzave të tij, sa ta radhiste në krye të mjeshtrave të mëdhenj të satirës botërore.

Po vepra e Atë Fishtës nuk është mohuese: Poeti nuk u kufizua thjesht me kritika. Ai jo vetëm shkroi, por edhe tregoi rrugën, priu, tërhoqi, ngadhënjeu në Shpirtin shqiptar.

Duke ia lënë kritikut - që njëqind herë e ngriti në qiell, e një qind herë e flaku në baltë - gjykimin e fundit, kujtojmë se Atë Fishta, si moskush, vdiq, u zhvarros e u ringjall aq, sa të dilte në krye të demonstratave popullore në bulevardet e Tiranës, 79 vjet pas vdekjes, për ta ndihmuar popullin të shprehte revoltën e vet kundër çdo

“Rrugaçi e sallahani,

Vagabondi e shakllabani,

Rriqne të ndyet, mikrobve të kqí

Qi të mjerës, mos Shqipni

Kthelltë hi i kanë nëpër mushkri,

Pa dhimbë gjakun  tuj ia pí”.

Shoqëruar me pyetjen retorike:

“Po der kur bre batakçi,

Der kur ju t’u tallë npër ne,

Do t’na qelbni fis e Atdhé?...”.1

Vërtetoi, kështu, se kishte shkruar libra, që i lexoi breznia e tij, i lexon breznia e sotme e do t’i lexojnë breznitë, që do të vijnë, duke i bërë ballë çdo sulmi dashakeq e mohues kundër Atij, që i shkroi. Sepse tashmë jeton në zemrën e popullit të vet.  Cili nga Poetët shqiptarë mund të krenohet për gjithë këtë forcë, të pacënuar nga  sulmet e rrepta kundër Emrit e sidomos,Veprës së Tij?

Shkruan për Atë Fishtën  sivëllai, Atë Anton Harapi, edhe Ai pendë po aq e madhe e po aq e mohuar, duke cituar një burrë të madh shteti:

“Provania hyjnore e ka zakon të zgjasë qinda vjetësh për me dhanë një zheni; e prap, mandej, zgjat edhe njiqind vjet tjera, për me dhanë nji tjetër. Zot mos shkoftë kaq gjatë e pastë prap se prap Shyqpnija, votra e fatosave, ke me paraqitë e prej kuj me shtue kunora e fitore!”. 2

 

1 Sipas “Gomarit të Babatasit, nga “Satirika”, botim anastatik, Shkodër, Shtypshkroja “Atë Gjergj Fishta” 1942, fq 67.

2Anton Harapi, “Shyptari dhe bota e tij” Shpresa& Faik Konica, Prishtinë, 2003, fq 277

29 dhjetor 2019, 18:46