presepe piazza san pietro notte presepe piazza san pietro notte  

Krishtlindja është për të gjithë: simbolet e festës

Krishtlindja, është kremte e dhuratës. Hyji ua bën dhuratë Vetveten gjithë njerëzve, të gjithë banorëve të tokës, që gëzimi i tyre të shndrisë, si drita në mes terrinave të natës. Hyji na dhuron një shenjë dashurie; na bën dhanti gjënë më të çmuar, më të rëndësishme, më të bukur: Birin e tij të dashur.

R.SH. - Vatikan

Pak ditë para Krishtlindjes, Kisha i fton të gjithë besimtarët të reflektojnë për misterin e patregueshëm, që Maria e mbajti nëntë muaj në kraharorin e saj virgjëror. Misteri i Hyjit, që bëhet njeri! Është kjo baza e parë e shpërblimit. E dyta është vdekja edhe ngjallja e Jezusit, e këto dy baza të pandarshme, janë shprehje e të vetmit plan të Hyjit: të shpëtojë njerëzimin e historinë e tij , duke marrë plotësisht mbi vete, deri në fund të fundit, të keqen që e shtyp.

Mister i shëlbimit i cili, përveç përmasës historike, ka edhe përmasën e vet kozmike: Krishti është dielli i hirit që, me dritën e tij, e shndërron dhe e ndrit universin në pritje. E vetë festa e Krishtlindjes lidhet me solsticin apo fillimin e dimrit, me të cilin nis zgjatja e ditëve në hemisferën veriore, duke filluar nga 12 deri më 21 dhjetor.  Po kujtojmë edhe se Sheshi i Shën Pjetrit është një sahat diellor, pikërisht atje ku obelisku lëshon hijen e vet – më e gjata e vitit në këto kohë – në një vijë që vërehet mbi kalldrëm, drejt shatërvanit nën dritaren e Papës.

Kjo, për të theksuar rolin e astronomisë në matjen e kohëve të lutjes, ashtu si lutja e Engjëllit të Tënzot, që kumbon në agim, në mesditë e në muzg të ditës; prandaj në lashtësi mesdita e vërtetë përcaktohej me orën diellore e sipas saj rregulloheshin sahatët. Në se qiejtë, sipas fjalëve të bukura të Psalmistit, “rrëfejnë lavdinë e Hyjit”, edhe ligjet e natyrës, të cilat në rrjedhë shekujsh shumë burra e gra të shkencës i bënë të kuptohen gjithnjë më mirë, janë një nxitje e madhe për të kundruar me mirënjohje veprat e Zotit.

Kështu, pra,jemi shumë afër Krishtlindjes, e në udhën tonë drejt Betlehemit, vendit ku Jezu Krishti lindi, ndërsa vazhdojmë ta përshpejtojmë përgatitjen tonë shpirtërore, duam të ndalemi te domethënia simboleve që karakterizojnë Krishtlindjen. Krishtlindja, është kremte e dhuratës. Hyji ua bën dhuratë Vetveten gjithë njerëzve, të gjithë banorëve të tokës, që gëzimi i tyre të shndrisë, si drita në mes terrinave të natës.  Hyji na dhuron një shenjë dashurie; na bën dhanti gjënë më të çmuar, më të rëndësishme, më të bukur: Birin e tij të dashur.

Jezu Krishti është dhantia e Hyjit! Ai është prova më e madhe e dashurisë së Zotit, Atit tonë qiellor për ne.

Betlehemi ndodhet në malësitë e Judesë. Është qyteti, ku lindi Davidi, bir barinjsh, që do të bëhej mbreti i madh i Izraelit. Qytet i etërve të Jozefit. Ndryshon shumë nga Jerusalemi, kryeqyteti krenar, 7 kilometra më në veri të vendit.

Shpëtimtari, është fjalë që përdorej dendur në kohën e Jezusit. E do të përdorej edhe më shumë në kohët, që do të vinin, në ditët tona e në ditët, që nuk kanë aguar akoma, për të dëbuar errësirën. Njerëzit kërkonin, kërkojnë e do të kërkojnë një shpëtimtar, sepse kanë gjithnjë nevojë për shpëtim. Por, duhet dalluar shpëtimtari nga Shpëtimtari: të mos harrojmë. Asokohe edhe perandori romak quhej ‘shpëtimtar’. Po Jezusi nuk është perandor. Nuk është shpëtimtar njerëzor. Ai është Mesia! Është Zoti!

Grazhdin e dinë të gjithë ç’do të thotë; është vendi ku vihet ushqimi për gjënë e gjallë, për kafshët.
Në një grazhd do ta pushonte shtatin Jezusi i posalindur, sepse për Të nuk u gjend asnjë vend tjetër në gjithë qytezën e Betlehemit. Barinjve u jepet pikërisht kjo shenjë, që të mund ta njohin Zotin: “Do të gjeni një foshnjë, të vënë mbi një grazhd”.

Barinjtë atëherë u nisën dhe e gjetën të vënë mbi kashtën e një grazhdi. Po sot, ku ndodhet, që të shkojmë ta takojmë edhe ne, ta adhurojmë, bashkë me barinjtë e lashtë? Miq, afrojuni e shikoni! Dhantia e Hyjit u duk përsëri mbi një grazhd! Ja, Biri i Hyjit, i lindur në varfëri. Ejani, miq, të këndojmë këngën e lumnisë!

Prandaj të të kremtuar Krishtlindjen, duhet ta presim me fe Shëlbuesin, që vjen të rrijë me ne, Fjalë e dashurisë së Hyjit për njerëzimin e të gjitha kohëve.

20 dhjetor 2019, 12:58