Tutti i Santi Tutti i Santi 

Shenjtorët e javës 3-10 nëntor

Shenjtorët nuk janë modele të përkryera, por njerëz të përshkuar nga drita e Zotit. Mund t’i krahasojmë me vetratat e Kishave, prej nga drita hyn me një simfoni ngjyrash. Shenjtorët janë vëllezërit e motrat tona, që e pranuan dritën e Zotit në zemrën e tyre e ia përcollën botës, secili “sipas ngjyrës” së vet.

R.SH. - Vatikan

E diel 3 nëntor, Kisha katolike kremton të Dielën e 31-të gjatë vitit kishtar, gjithnjë më 3 nëntor,  kalendari kishtar përkujton shën Martinin nga Porres e shën Silvinë, nënë e shën Gregorit të madh. Liturgjia e kësaj së diele nga Luka (19,1-10) ndalet tek takimi i Jezusit me Zakeun, kreun e publikanëve, tagrambledhës. Zakeu ndonëse dëshironte ta shikonte Mësuesin, nuk guxonte t’i qasej pranë, t’i fliste. Është Jezusi ai, që i afrohet i pari e i flet e i thotë: “Zake, sot do të ndalem në shtëpinë tënde!”. Po ç’e shtynte Jezusin të ndalej në shtëpinë e këtij mëkatari. Plani i shëlbimit, i mëshirës së Atit.

Të hënën më 4 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Karl Borromeun, kryeipeshkëv i Milanos e kardinal si dhe shenjtorët Vitali e Agrikola, martirë bolonjezë. Liturgjia e ditës na kujton se secili nga ne ka nevojë ta gjejë rrugën e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim.

Të martën më 5 nëntor. kalendari përkujton shenjtorët Domninin, Teotinin me shokët martirë. Liturgjia e ditës na kujton se kur duam me të vërtetë, nuk presim kurrfarë shpërblimi. Duam ashtu si na do Zoti, që na shpëtoi e na fton çdo ditë në tryezën e vet, pa kërkuar dhuratë tjetër, veç asaj të dashurisë për Të e për të afërmin.

Të mërkurën më 6 nëntor,  kalendari përkujton shën Leonardin vetmitar. Liturgjia e ditës na fton e na ndihmon të meditojmë, të shpresojmë e të hyjmë në misterin e jetës përtej vdekjes. Njëra prej lutjeve për të vdekurit që na ofron Meshari Romak na kujton se: “Jeta nuk na është marrë, por është shndërruar”.

Të enjten më 7 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Erkolaun, shën Balbo-n dhe shën shën Ernestin. Liturgjia  e ditës na kujton se Zoti e bekon njeriun, që i do e i ndihmon me gjithë zemër vëllezërit, edhe pse i duhet të mbartë çdo ditë mbi supe kryqin e vet. Si mësuesi, ashtu edhe nxënësi. Kryqi është filli i kuq, që përshkon gjithë jetën tonë, bën pjesë në planin që ka Zoti për ne. Psenë e kësaj barre të rëndë që na vë mbi supe, duhet ta zbulojmë me lutje e reflektim.

Të premten më 8 nëntor, kalendari përkujton shën Gofredin, shën Adeodatin I papë si dhe shenjtorët e Martirët, reliket e të cilëve pushojnë në paqe në Bazilikën e shën Pjetrit në Vatikan. Të Lumin Gjon Dunks Skot. Liturgjia e ditës na kujton se secili nga ne ka nevojë ta gjejë rrugën e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim.

Të shtunën më 9 nëntor, Kisha kremton festën e Kushtimit të Bazilikës së Lateranit në Romë.  Liturgjia na kujton se ky tempull është Katedralja e Ipeshkvit të Romës dhe Kisha nënë e të gjitha Kishave romake e, sidomos, se tempujt e ndërtuar nga duart e njeriut janë në shërbim të gurëve të gjallë, dmth të Kishës që secili nga ne është i thirrur ta ndërtojë në zemër të vet, së bashku me të gjithë vëllezërit. 

Të dielën e ardhshme më 10 nëntor, Kisha katolike do të kremton të dielën e 32-të gjatë vitit kishtare e gjithnjë më 10 nëntor, kalendari Kishtar përkujton shën Leonin e madh, papë e doktor i Kishës. Liturgjia e ditës na kujton se po të ecim sipas shembullit të atyre që e morën seriozisht mesazhin ungjillor, duke flijuar jetën për të gjithë, mund të shpëtojmë nga çdo lloj skllavërie e të drejtohemi nga të mirat e amshuara, që na janë premtuar.

02 nëntor 2019, 16:58