Vatican News
 Ne lutje prane varreve Ne lutje prane varreve 

Lutja për të vdekur

Asnjë prej bijve tu, o Zot, të mos humbas në zjarrin e Ferrit, ku nuk mund të ketë më pendim. Ty o Zot, ta besojmë shpirtin e të dashurve tanë, të njerëzve që kanë vdekur pa ngushëllimin sakramental, apo që nuk kanë pasur rastin për t’u penduar as në përfundimin e jetës së tyre.

R.SH. - Vatikan

Gëzim dhe lotë, shpresë, besim dhe përkujtim. Është e gjitha kjo në ditën e sotme, në të cilën Kisha na fton të përkujtojmë të vdekurit. Kisha, dje me 1 nëntor kremtoi festën e të Gjithë Shenjtorëve, ndërsa sot me 2 nëntor përkujton e lutet për të gjithë besimtarët e vdekur, duke dëshmuar kështu përkujdesin amënor që ka ndaj çdo njeriu në të gjitha periudhat e jetës së tij: nga lindja e deri te caku i fundit të jetës, që nga Pagëzimi e deri tek Ringjallja, do të thotë deri te pjesëmarrja në Jetën e Amshuar në Hyjin.

Këto ditë na ftojnë t’i lartojmë sytë drejt qiellit, caku i shtegtimit tonë tokësor. Atje na pret Bashkësia festive e Shenjtorëve. Atje do t’i gjejmë përsëri të vdekurit tanë të dashur, për të cilët tani lartohet lutja jonë. Jetojmë misterin e Bashkësisë së Shenjtorëve, me shpresën  se buron nga ngjallja e Zotit tonë Jezu Krishti.

Vdekja nuk është fjala e fundit, sepse “njeriu është paracaktuar për një jetë të pa kufi, që ka rrënjët e veta dhe plotësimin e vet në Hyjin”. Kjo e vёrtetё pohohet në ditën kur liturgjia e Kishës katolike na fton t’i përkujtojmё besimtarët e vdekur. Zoti pret mbarë njerëzimin, të cilin e ka shëlbuar me gjakun e çmueshëm të Jezu Krishtit, që vdiq për shpërblimin e mëkateve tona njerёzore. O Zot mos i shiko varfëritë, mjerimet e dobësitë tona të mëdha, kur do të paraqitemi para gjyqit tënd, për t’u gjykuar për lumturi apo për dënim. Kisha e besimtarët kërkojnë vështrimin e mëshirshëm të Zotit, që na shoqëron gjatë udhës së pastrimit të plotë, për t’u pranuar në përqafimin e përdëllimit të pakufishëm.

Asnjë prej bijve tu, o Zot, të mos humbas në zjarrin e Ferrit, ku nuk mund të ketë më pendim. Ty o Zot, ta besojmë shpirtin e të dashurve tanë, të njerëzve që kanë vdekur pa ngushëllimin sakramental, apo që nuk kanë pasur rastin për t’u penduar as në përfundimin e jetës së tyre.

E Kisha nënvizoi se, dita kushtuar përkujtimit të të vdekurve, është ngushtë e lidhur me Solemnitetin e të gjithëve Shenjtorëve, kështu si gëzimi edhe lotët në Jezu Krishtin gjejnë një sintezë që është themel fesë sonë dhe i shpresës sonë. Nga njëra anë, vërtetë, Kisha, shtegtare në histori, gëzohet për ndërmjetësimin e Shenjtorëve e të të Lumturve që mbështesin misionin e kumtimit të Ungjillit; nga ana tjetër, ajo, sikur Jezusi, e ndanë bashkë edhe vajin me ata që vuajnë nga ndarja e njerëzve të dashur, e si Ai dhe falë Atij bënë të jehojë falënderimi ndaj Atit Qiellor që na ka liruar nga pushimi i mëkatit dhe i vdekjes. Kremtimet fetare të këtyre ditëve na ndihmojnë të thellojmë dy nga të vërtetat themelore të fesë së krishterë që besojmë: “Shoqërinë e Shenjtërve dhe të ngjallurit e korpit”.

Jeta na është dhuruar për të kërkuar Zotin,

Vdekja për ta gjetur,

Amshimi për ta shijuar për gjithmonë.

Të gjithë një ditë do ta lëmë këtë tokë. Por të lum janë ata që më jetën dhe shembullin e tyre ndikuan për njv shoqëri më të mirë.

Me  dëgjo, o Zot,

Më patën thënë se ti nuk ekziston
e unë si një idiot, u besova.
Por, një natë më pare
prej fundit të një grope që e kishte hapur një bombe
e pashë qiellin tënd.
Papritmas kuptova se më kishin gënjyer.
Po të isha munduar të shikoja mirë
gjerat që i ke krijuar ti,
do ta kisha kuptuar menjëherë se njerëz të tillë
nuk pranojnë ta quajnë macen mace.
Çudi që më është dashur
të vij këtu, në ketë ferr
që ta gjej kohën për ta shikuar fytyrën tende!
Unë të dua, në mënyrë të tmerrshme...
ja, ajo që dëshiroj dua që ti ta dish.
Pas pak ka për të filluar një betejë e tmerrshme.
Kush e di?
Është e mundur që të vij tek ti edhe sonte.
Nuk kemi qenë shokë të mirë deri tani
e unë e pyes veten, o Zoti im,
a thua ti do të më pritesh te dera.
Shiko: ja se si po qajë!
Pikërisht unë, unë të qaravitëm?
Ah, po të kisha njohur më pare..
Të shkojmë! Më duhet të shkoj.
Sa gjë qesharake:
pasi të kam takuar nuk kam më frikë të vdes.
Mirupafshim!

(Lutja e gjetur në çantë shpine të një ushtari të vdekur  më 1944 gjatë Luftës së II-të Botërore, në Montecassino, Itali).

02 nëntor 2019, 13:15