ALBANIA-QUAKE ALBANIA-QUAKE 

Imzot Gjergj Meta: lutem Zotit për të vdekurit e ata që sprovojnë dhimbjen, të ftohtin e frikën

Ipeshkvi i Rrëshenit të Mirditës, imzot Gjergj Meta i fton të gjithë, të bashkohen të enjten me 28 Nëntor 2019, ora 16.00 në Katedralen e Rrëshenit për “një lutje për Atdheun, për të vdekurit dhe për familjet e prekura nga tërmeti”. “Ndjej veten krejt të pafuqishëm njësoj si ju, e bashkë me ju i drejtohem edhe unë qiellit e i lutem Hyjit për të gjithë ata që në këto orë po sprovojnë dhimbjen, pafuqinë, të ftohtin dhe frikën”.

R.SH. - Vatikan

Ditë zie sot në Shqipëri dhe në  Kosovë, një ditë pas lëkundjes së tokës. 27 nëntori i gjeti shumë familje të prekura nga tërmeti në qiell të hapur, nën një nevojë jetike për veshmbathje, strehim dhe ushqim. E gjitha kjo në një kohë kur pritet përkeqësim i motit. Tërmeti që goditi Shqipërinë, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, u mori jetën 26 njerëzve (bilanci i përkohshëm), plagosi 650 të tjerë dhe shkaktoi dëme të shumta materiale.

Shqipëria vajton viktimat e tërmetit, që goditi zonën e Durrësit dhe disa zona në Kurbin e Fushkrujë, e një ditë pas, vazhdon të përballën me kërkimin e njerëzve që ende mund të jenë nën rrënoja, për të cilët ende nuk dihet gjë, emergjenca tjetër është sistemimi i atyre që kanë pësuar dëme materiale e kanë mbetur pa strehë e kanë nevojë për veshmbathje e ushqim. Në ndihmë të personave që janë prekur nga tërmeti është edhe Kisha katolike e vendit me Caritasin e strukturat tjera

Ipeshkvi i Rrëshenit të Mirditës, imzot Gjergj Meta i fton të gjithë, të bashkohen në Katedralen e Rrëshenit për “një lutje për Atdheun, për të vdekurit dhe për familjet e prekura nga tërmeti”. “Ndjej veten krejt të pafuqishëm njësoj si ju, e bashkë me ju i drejtohem edhe unë qiellit e i lutem Hyjit për të gjithë ata që në këto orë po sprovojnë dhimbjen, pafuqinë, të ftohtin dhe frikën”, shkruan imzot Meta.

Ja letra e plotë e ipeshkvit të Rrëshenit, imzot Gjergj Metës...

Të dashur vëllezër e motra të Dioqezës së Rrëshenit,

Ju uroj paqen e Krishtit në zemrat tuaja në këto momente kaq të vështira për vendin tonë.

Kanë kaluar pak më shumë se 24 orë nga momenti kur një tërmet i fuqishëm goditi vendin tonë, sidomos zonën e Durrësit dhe disa zona në Kurbin e Fushkrujë.

Ndodhi ajo që asnjë prej nesh nuk ia uron asnjë qenieje njerëzore: vdekja e disa vëllezërve e motrave tona në Durrës e Thumanë. Pa llogaritur dëmet materiale që do të duhet kohë të riparohen.

Fjalët dhe komentet janë të tepërta në këto momente. Misteri i dhimbjes dhe i vuajtjes bëhet edhe më i zymtë e i pakuptueshëm për ne sa më shumë kalojnë orët. Me të drejtë dikush ngrenë zërin drejt qiellit e i drejtohet Hyjit duke i thënë: Pse o Zot? Pse nuk e ndale?

Edhe unë si ipeshkëv i juaj e ndjej veten krejt të pafuqishëm njësoj si ju, e bashkë me ju i drejtohem edhe unë qiellit e i lutem Hyjit për të gjithë ata që në këto orë po sprovojnë dhimbjen, pafuqinë, të ftohtin dhe frikën.

Ne kemi në dorë pyetjet, por jo përgjigjen e tyre. E megjithatë ne nuk mund ta humbim shpresën për asnjë çast e mbi të gjitha nuk mund të humbim ndjeshmërinë e solidaritetit e të afërsisë me njëri-tjetrin.

Pa Zotin dhe pa njëri tjetrin nuk mund t'ia dalim.

Shumë prej nesh ose janë prekur drejtpërdrejtë ose kanë të afërm që janë prekur nga tërmeti.

Prandaj ju ftoj të gjithëve, sidomos banorët e Rrëshenit, të bashkoheni me mua në Katedralen e Rrëshenit për një lutje për Atdheun tonë, për të vdekurit nga tërmeti dhe për familjet e prekura në mënyra të ndryshme nga kjo fatkeqësi natyrore.

Do të lutemi e do të ndezim nga një dritëz për shpirtrat e të vdekurve si edhe do të mbeldhim ndihma në para dhe ushqime për familjet e lënduara.

Kush nuk mund të marrë pjesë le të lutet në shtëpitë e tyre e të kontribojë ashtu si mundet.

Ju pres të gjithëve të Enjten me 28 Nëntor 2019, ora 16.00 në Katedralen e Rrëshenit të lutemi e të japim kontributin tonë për familjet e prekura nga tërmeti.

Zoti është fuqia jonë, mbrojtja dhe streha jonë.

Ipëshkëvi juaj

+ dom Gjergji

27 nëntor 2019, 12:33