Imzot Miguel Cabrejos, kryetar i Celam-it Imzot Miguel Cabrejos, kryetar i Celam-it 

Celam: krizë shoqërore, në shumë vende të Amerikës Latine

Në një Mesazh drejtuar popullit dhe Kishës kiliane, por edhe vendeve të tjera të Amerikës Latine, që përjetojnë situata të vështira, presidenti i CELAM-it nxit të kërkohen udhë dialogu dhe zgjidhje për të mirën e përbashkët.

R.SH. - Vatikan

Një ftesë e fuqishme për qeveritarët dhe autoritetet e rajonit, që të zbatojnë politika konkrete për promovimin e njeriut dhe të së mirës së përbashkët. Kryetari i CELAM-it - Këshilli Ipeshkvnor Latinoamerikan - imzot Cabrejos Vidarte, i drejtohet me një Mesazh, para së gjithash, popullit dhe Kishës kiliane, por edhe popujve të tjerë të Amerikës Latine dhe të Karaibeve. Në rajon, nënvizon ai, po përjetohet një lloj “shpërthimi shoqëror” i paparë. Kisha e këtyre vendeve bashkohet me dhimbjen dhe shpresën e popujve. “Duhet të këmbëgulim – thekson imzot Vidarte - në nevojën për ta kërkuar paqen përmes dialogut, me pjesëmarrjen e të gjithë protagonistëve dhe institucioneve, për zgjidhje të vërteta dhe të orientuara kah e mira e përbashkët”.

Njerëzit janë lodhur nga padrejtësitë e dhuna

         Ai i imzot Vidartes, njëkohësisht, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Peruviane e kryeipeshkëv i Trujillo-s, është mesazh për të nxitur bashkëpunimin në të mirë të njerëzve dhe të popujve. Mendimi i tij i parë është për popullin kilian, që “vuan agresionin dhe dhunën”, të cilat prekin veçanërisht njerëzit më të brishtë, shkruan ai, duke përmendur deklaratën e Këshillit të përhershëm të Konferencës Ipeshkvnore Kiliane të këtij nëntori, ku thuhet: “Njerëzit, jo vetëm janë lodhur nga padrejtësitë, por edhe nga dhuna”. Vërtet, që prej disa javësh, në Kili përjetohet një krizë e fuqishme shoqërore, me protesta të mëdha. Më pas, imzot Vidarte flet për vëllezërit e vendeve të tjera të Amerikës Latine dhe të Karaibeve, ku familje të tëra pësojnë dhunë, veçanërisht në Bolivi, Venezuelë, Haiti, Honduras, Nikaragua, Porto Riko, Ekuador dhe Peru. Shkaqet gjenden tek korrupsioni, tek demokracitë jo të përsosura, tek varfëria, pabarazia, papunësia, tek cilësia e dobët dhe tek mungesa e shërbimeve shëndetësore, e arsimit dhe e transportit, që krijojnë pakënaqësi.

Të synohet në zhvillimin e gjithanshëm të popujve

Përveç refuzimit të dhunës, imzot Cabrejos Vidarte u kërkon autoriteteve të zbatojnë politika, të bazuara në të drejtat themelore të lirisë, drejtësisë, barazisë dhe kujdesit për shtëpinë e përbashkët, në mënyrë që njerëzit të arrijnë me të vërtetë një zhvillim të gjithanshëm njerëzor. E kujton se politika nuk është shërbim për ambiciet personale dhe as për arrogancën e fraksioneve, sepse “imuniteti që gëzojnë shumë politikanë nuk duhet të arrijë kurrë në mosndëshkim”.

12 nëntor 2019, 17:52