38 martirët shqiptarë 38 martirët shqiptarë 

A nuk mund të quhet mrekulli? Dega e punëve të brendshme, kuvend klarisesh.

Në vendin e tmerreve, që mund të quhet pa frikë “Auschwitz i vogël”, në Shkodër, ku feja sulmohej egërsisht, martirët vijojnë të flasin e ta dëshmojnë Krishtin, si atëherë, kur torturoheshin pikërisht këtu, për t’i detyruar ta mohonin. Posaçërisht sot, në trevjetorin e Lumnimit e 38 të Lumëve të parë të Kishës Katolike në Shqipëri.

R. SH. - Vatikan

Nga faqja e murit të Memorialit, që u kushtohet, fytyrat e martirëve buzëqeshin prej fotografive. Dalin, pastaj, nga kornizat e vijnë përsëri mes nesh. Për të treguar historinë e jetës e, sidomos, të fundit të tyre që, për kriminelët, në të ardhmen (domethënë, të sotmen) duhet të ishte histori tradhtarësh. Ndërsa shkëlqen si histori e ndritshme e dëshmisë së Krishtit. E ruhet në këtë vend, për sot e për nesër. Jemi në Shkodër, në hyrjen e Memorialit, që të kujton të burgosurit e torturuar në këtë vend. Një herë seli e noviciatit të fretërve të vegjël, më pas, e Sigurimit gjakatar të diktaturës komuniste, tani është vend, ku e kalojnë jetën në lutje Motrat Klarise! A nuk mund të quhet mrekulli ky shndërrim? E edhe buzagazi i atyre që vdiqën për Krishtin, që u quajtën tradhtarë, e tani u shndërruan në heronj? Ashtu siç ishin. Siç janë!

Fotografitë e tyre na shikojnë nga dy faqet e murit të sallës, ku qenë toturuar e “ku banojnë sot” (këtu qenë burgosur edhe dy kardinajtë shqiptarë: Koliqi  e Simoni).

Ish-sigurimi, me burgun e vet të tmerrshëm

“Ndërrojnë edhe stinët e motit - mbas dimnit vjen pranvera” - shkruante dom Ndre Mjedja. Në këtë vend ka ardhur me të vërtetë pranvera, me lulet e saj të kujtimit. Në këtë vend vuajtjesh, që sot e vizitojnë mijëra vetë (2.500 vetëm në vitin 2018), të cilët, nga qelitë e burgut, që ruhen si atëherë, kalojnë sakaq te vendi i ngushëllimit e i ringjalljes, Kapela dhe banesa e motrave klarise,  rrethuar me lule.

“Vend lutjeje, i ngritur mbi një vend martirizimi” – kështu e quan  abatesha e manastirit të klariseve. Po ne - vijon - nuk jemi rojtaret e muzeut; jemi këtu për të transmetuar kujtimin e gjallë të të vdekurve, që  të sjell menjëherë në mendje pikërisht Kishën në dalje”.

Nga vend torturash, në vend shtegtimesh

E kujtimi i martirëve shqiptarë po shndërrohet në një mrekulli të vërtetë! Manastiri i klariseve dhe Memoriali, ngjitur me të, po bëhen gjithnjë më shumë cak shtegtimesh.

Shtegtarët nuk vijnë vetëm nga viset shqiptare - thotë abatesha - por edhe nga Gjermania, Franca, Austria, Polonia, Spanja. Nga Italia janë gjithnjë më të shumta grupet famullitare që, pasi vijnë këtu për kampet verore, ndalohen edhe tek ne. Lumnimi i Martirëve shqiptarë i dha një shtytje të re interesit për Kishën tonë. Ç’ mbetet për t’u bërë, e bën pikërisht kjo shtëpi, e ngarkuar me histori. Kjo ndërtesë, që për 50 vjet ishte një Auschwitz i vogël. Aq sa  njerëzit ndërronin rrugë, për të mos kaluar pranë saj. E fqinjët i mbyllnin të tmerruar veshët, për të mos dëgjuar britmat e tmerrshme, që dilnin  prej saj, ditë-natë.

Të paprekura, dhomat e torturës, dëshmi e martirizimit

Dhomat e torturës janë gjithnjë aty. Me historitë e tyre të trishta. Të  rikujtojnë të torturuarit, domethënë, të Lumët! Dom Mikel Beltojën, për shembull,  prift i kryedioqezës të Shkodrës, vdekur më 10 shkurt 1974. E, doemos, Maria Tucin, probandën e motrave stigmatine, që u martirizua si martiret e kohëve të para të krishterimit. E tani kremton në qiell festën e shpalljes  e Lume, së bashku me 37 të tjerë, që dhuruan gjakun për Krishtin. Historitë e tyre mund t’i lexojmë në Postulacionin e Çështjes së Lumnimit të tyre. E edhe në shumë shkrime letrare, si poezia me titull: “Shqipëria e përgjakur”, shkruar nga jezuiti Giuseppe Patti. Duke vizituar Memorialin, pas një filmi të shkurtës, që u prin vizitorëve drejt qelive, përmes një galerie, hyhet në një kohë tjetër, që nuk duhet harruar, për të mos u përsëritur.

Mbi mure duken ende shenjat e skalitura me thonj nga të burgosurit: kryqe, skica kishash e xhamish - sepse regjimi nuk bënte dallime ndërmjet të krishterëve e myslimanëve. E, në heshtjen e thellë të Memorialit, të duket sikur dëgjohen britmat e tmerrshme të njerëzve, të cilët torturoheshin në një mijë mënyra: duke u vënë vezë të valuara nën sqetulla, duke i lidhur mbi pemët e kopshtit të kuvendit, duke i lënë lakuriq në mes të dimrit me orë e orë, duke u shkarkuar korrent elektrik në veshë, duke ua mbushur plagët me kripë… Këto tortura kujtojnë vizitorët e nuk u besohet se kanë ngjarë vetëm pak vite më parë, në një kohë kur njerëzit vareshin si bagëtitë e therura, me kokë tatëpjetë!  Kohë, që tani është mbyllur në muze, por që edhe mund të dalë prej aty… Ta kujtojnë këtë edhe objektet e vendosura në vitrina qelqi, me dokumentet, që flasin për  dënimet me vdekje, nënshkruar nga dora e vetë Enver Hoxhës. Po vizitori nuk dëshiron ta mbyllë vizitën kështu. I pushtuar nga dhimbja, kërkon ngushëllim. E ngushëllimin e gjen tek motrat klarise, në Kapelën e tyre, ku martirët nuk u flasin më nga dhomat e torturës, por nga qielli, ku vegojnë vetë Zotin!

Kuvendi i Motrave klarise ngrihet mbi gjak e mbi gërmadha

Motrat klarise erdhën këtu në vitin 2003, nga Otranto. E gjetën vendin gërmadhë. Qe bërë kështu pas rrënimit të madh, që pasoi shembjen e diktaturës. Ishin aty, kur u restaurua. E aty, kur, më 2005, kuvendi u bekua e u përurua. Sot bashkësia murgare ka 6 motra (dy italiane, katër shqiptare) që jetojnë të mbyllura, ndaj quhen edhe klaustrale.

Në një intervistë dhënë Radios sonë, njëra prej tyre, kur e pyetëm  nëse e kishte vështirë të jetonte në klauzurë, gjegji: “Aspak. Populli shqiptar është mësuar me klauzurë. 50 vjet. Klauzurë e detyruar. Ndaj, kur u hapën kufijtë, shumë u turrën (e vijojnë të turren) për të dalë ‘nga klauzura’, domethënë, për t’i kapërcyer kufijtë e për të parë më në fund, botën e madhe. Kurse ne e zgjodhëm vetë mbylljen. Ku nuk jemi kurrë të mbyllura! Kufiri ynë i vetëm është ai, që ndan tokën nga Qielli, ku na pret vetë Zoti. E ku do të takohemi edhe me 38 të Lumët, që po i përkujtojmë sot!”.  

Sipas shkrimit të Mimmo Muolo, botuar më 2 nëntor 2019 në gazetën “Avvenire”

05 nëntor 2019, 12:01