IMG_5943aem.jpg

Dioqeza e Sapës: motër Martina Gjoka bën kushtet e përjetshme

Solemniteti i Shën Terezës së Krishtit Fëmijë ishte i veçantë në dioqezën e Sapës, në Shqipëri. Dje, më 1 tetor, motra karmelitane e klauzurës Martina Gjoka bëri dje, në Nënshat, kushtet e përjetshme. Mesha u kryesua nga nunci apostolik në Shqipëri, imzot Charles John Brown, në bashkëkremtim me ipeshkvin e Sapës, imzot Simon Kullin, me ipeshkvin e Rrëshenit, imzot Gjergj Metën dhe me shumë meshtarë të tjerë. Më hollësisht, të ndjekim informacionin e Violeta Marashit…

R.SH. - Vatikan

Në ditën e Shën Terezes së Jezusit Fëmijë, (1 tetor 2019), manastiri i Motrave Karmelitane të Klauzurës në Karmel, Nënshat, gëzoi në kremtimin e kushteve të përjetshme të motër Martina Gjoka. Ishin të shumtë besimtarët që morën pjesë në këtë kremtim solemn, udhëhequr nga Shkëlqesia e Tij, Nunci Apostolik, Imzot Charles John Brown, në bashkëkremtim me ipeshkvin e Sapës, imzot Simon Kulli, ipeshkvin e Rrëshenit e shumë meshtarë të tjerë. Gjithashtu ishin të pranishëm, motra të kongregatave të ndryshme, si dhe familjarët e motër Martinës, nga Mirdita, të cilët respektuan zgjedhjen e bijës së tyre duke i dhënë bekimin dhe duke u lutur për jetën e saj si motër e klauzurës.  

Shoqëruar me lutjet dhe këngët e kënduara nga kori i dioqezan i Sapës në një klimë mjaft shpirtërore, gjatë gjithë meshës shenjte mbarë besimtarët e pranishëm në kishë e lutën Zotin për motër Martinën, që me qëndresë të orvatet rreth ecjes sipas Ungjillit dhe rregullave të Motrave të zbathura të së Lumes Virgjërës Mari nga mali Karmel, dhe tërë jetën e saj me hirin e Shpirtit Shenjt, bujarisht t’ia kushtojë në shërbim të popullit të Hyjit.

Nunci Apotolik në homelinë e rastit u ndal “në jetën e familjes rregulltare të motrave karmelitane, të cilat i drejtojnë Zotit lutjet e tyre të përditshme nga ky mal për mbarë popullin dhe për kishën. Duke qenë se jemi edhe në muajin misionar, kujtojmë se pikërisht pajtorja e misioneve është motra  e klauzurës, motër Tereza e Jezusit Fëmijë. Ndaj dhe jemi të mbushur me gëzim që shumë njerëz i kushtojnë jetën Hyjit dhe kishës. Dhe ky karmel është një qendër ungjillëzimi, është kjo motër e re që me vullnetin dhe guximin e saj i bashkohet këtij urdhëri për të gjitha ditët e jetës së saj” – përfundoi Imzot Brown.

Në prani të eprores, Motër Maria Lulgjuraj, Nuncit dhe krejt bashkësisë, vazhdoi riti i kushtimit të përjetshëm të motër Martines, e cila me vullnet të lirë dhe vendim të saj, u përgjigj se do të qëndrojë besnike deri në vdekje, duke ecur pas Krishtit të Fejuarit, në familjen karmelitane, dhe me ndihmën e Hyjit, të përqafojë përgjithmonë jetën e pastërtisë së përsosur, dëgjesës dhe varfërisë që e kanë zgjedhur Krishti Zot dhe Nëna e tij Virgjër.

Me pranimin e velit të shenjtë dhe rruzaren, si shenjë e kushtimit të saj që ta ruajë të panjollë besnikërinë ndaj Krishtit, dhe me dëshminë e bashkësisë së motrave për pjesëmarrje dhe bashkim në familjen Karmelitane, Motër Martina mori dhe emrin motër Maria Martina e Jezusit të Mëshirshëm.  

Curriculum i Motër Maria Martina e Jezusit të Mëshirshëm (Martina Gjoka)

Motër Martina ka lindur me 26.08.1986. në Reps të Mirditës nga prindërit Ndue e Gjelë. Fëmijërinë e ka jetuar në Blinisht dhe shkollën e ka kryer në Reps. Ka jetuar në një familje të thjeshtë por me shumë vlera jetësore ku shkolla e jetës i ka shtyrë drejt kërkimit të Zotit e të dashurisë së Tij. Megjithëse Mirdita jonë quhet e tëra katolike, mungesa e sakramenteve ishte mjaft e theksuar. Por duke i falenderuar meshtarët- misionarët dhe të gjithë ata që me jetën e tyre e kanë shpallë Jezusin dhe Ungjillin e Tij, pas një pregatitjeje nga misionarja Frida Maria, motër Martina mori pagëzimin me datë 06.01.2007 në kishën e Shën Palit nga don Gjovani Kokona, së bashku me familjarë të saj. Pagëzimi është bërë ëndrra e vetme dhe dëshira e vetme e zemrës së saj! Pas marrjes së sakramenteve filloi një jetë të re në të cilën Jezusi i mori në dorë ''frenat'' e jetës së saj. Gjatë kohës në të cilën filloi të jetonte bijësinë ndaj Kishës Katolike, në zemër, ndjeu edhe dëshirën për t’i shërbyer krejtësisht Zotit, por në të njëjtën kohë e mundonte mendimi se Zoti ishte e pamundur ta thërriste atë... Por Shën Terezina e Jezusit Fëmijë me anën e një meshtari në mënyrë provanore e vizitoi me autobiografinë e saj duke ia ndezë në këtë mënyrë edhe më shumë dëshirën për t'iu dhuruar Jezusit. Edhe pse akoma nuk dinte asgjë për Karmelin, që në takimin e parë ka kuptuar se Karmeli ishte pikërisht vendi në të cilin Jezusi e priste.

Kështu, pasi mori vendimin në zemrën e vet, edhe prindërit me bujari heroike i dhanë bekimin e tyre. Hyri në Karmel me datë 20. 12.2010. Pas kësaj date që shënon plotësisht jetën e Martinës ajo vazhdoi formimin e saj me të gjitha etapat sipas rregullores së Karmelit. Mbas një prove të fortë e ndali ecjen e vet në kuvend, duke dalë prej tij për një vit. Gjatë kësaj periudhe Jezusi vazhdonte t’i fliste zemrës së saj, dhe kështu ia arriti ta fitonte përsëri zemrën dhe ta kthente atje ku Ai dinte se është vendi i saj. Në ecjen e vet arriti deri tek ky moment që sikur Maria i thotë Zotit “Ja ku jam”!

E tani kjo bijë e Mirditës i tha Jezusit “Po”-në e saj, e së bashku me të është edhe po-ja e popullit të vet për të cilin lutet që të jetë krejtësisht e  Zotit dhe ta njohë Atë, Zotin e vet në plotësi!

Violeta Marashi

02 tetor 2019, 18:09