Bashkësia e krishterë Bashkësia e krishterë 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Veprat e Apostujve – bashkësia e parë e krishterë

Pas Rrëshajëve, në Veprat e Apostujve, shën Luka ungjilltar na paraqet bashkësinë e parë të krishterë, duke e idealizuar atë me penelatat e tij prej artisti, që e interpretojnë realitetin. Kjo bashkësi është në qendër të emisionit të sotëm, gjithnjë sipas librit “Është ora e leximit të Biblës”, me autor meshtarin italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Luka është vërtet historian, por në Bibël, historia tregohet për të kuptuar veprimin dhe vullnetin e Zotit. E nëse në pjesën e dytë të librit ungjilltari ndalet në hollësi e përshkrime, nga të cilat kuptohet se ka qenë dëshmitar pamor (hyn edhe ai vetë në skenë, duke folur në vetën e parë shumës), në pjesën e parë, Luka arrin në thelbin e ngjarjeve, duke i absolutizuar faktet, pra, duke i idealizuar. Mbi lexuesin, efekti është i jashtëzakonshëm, sepse ajo e kaluar konsiderohet si kohë e përsosur, që ka marrëdhënie jo vetëm shkakore me çdo bashkësi kishtare, por edhe shembullore (ideale). Pra, bashkësia e parë e krishterë jo vetëm është zanafilla e çdo bashkësie të krishterë, që i ka aty rrënjët dhe mënyrat e organizimit e të qëndrimit, por merret edhe si shembull përkryerje.

Ideja e bashkësisë së parë

         Dëgjoni ç’efekt shkaktojnë këto idealizime të Lukës, afreske të vërteta të jetës së krishterë:

         “Të gjithë këta ishin të përqëndruar prore së bashku në uratë me disa gra, me Marinë, Nënën e Jezusit, dhe me vëllezërit e tij” (Vap 1,14).

         Pak rreshta e marrim vesh se Maria është në Jeruzalem, se ka gra të tjera në grupin prej rreth 120 vetësh e se aty janë edhe ata që Bibla quan vëllezërit e Jezusit, fraksioni filojudeas më i rreptë, kryesuar nga Jakobi. Të gjithë janë të bashkuar e dakord me njëri-tjetrin!

         Pastaj, kryevepra e vërtetë e Lukës, pa të cilën ideja jonë e Kishës do të ishte e ndryshme, ikona e bukurisë dhe e përkryerjes shembullore, praktikisht, një ide platonike:

         “E ishin vazhdimisht të kujdesshëm për ta përvetësuar mësimin e apostujve dhe nuk mungonin në mbledhjet vëllazërore, në ndamjen e bukës e në uratë. Një frikë e madhe pushtonte çdo njeri: apostujt bënin shumë mrekulli dhe shenja të bindshme. Të gjithë ata që besuan, qëndronin së bashku dhe gjithçka kishin të përbashkët. Shitnin prona dhe pasuri që kishin dhe ua ndanin të gjithëve si kush kishte nevojë. Për çdo ditë shkonin së bashku e rregullisht në Tempull, në shtëpi ndanin bukën dhe me hare e me thjeshtësi ushqeheshin së bashku. I jepnin lavdi Hyjit e mbarë populli i kishte fort për hir. Vetë Zoti çdo ditë i shtonte bashkësisë asish që shëlbohen” (Vap 2,42-47).

I jemi mirënjohës Lukës për përshkrimin e bashkësisë së parë

         Po sa herë na “mashtron” o Lukë? Sa herë, ndërsa lexojmë këto pak fjalë, na bën ta shohim me nostalgji atë Kishë kaq të përkryer, në krahasim me jetën e bashkësive tona?

         Ka gjithçka aty, vërtet gjithçka, siç nuk ka qenë e nuk do të jetë kurrë, por artisti i mirë nuk e fotografon realitetin, e interpreton atë, e shndërron, e ëndërron… e këtë bën edhe Luka. E do t’i jemi mirënjohës përgjithmonë, sepse në kapituj e parë të Veprave të Apostujve, shën Luka ungjilltar na bën ta ndiejmë akoma fuqinë e Shpirtit Shenjt dhe mundësinë që u dha njerëzve për të qenë të bashkuar, të gëzuar, të thjeshtë, vëllazërorë e madje, edhe të këndshëm.

Për të qenë BASHKËSI!

Bashkësi gjithnjë dyerhapur

E për të sqaruar se kjo bashkësi duhej të ishte gjithnjë dyerhapur, ja një pjesë tjetër e këtij afresku të jashtëzakonshëm:

“Në bashkësinë e besimtarëve mbretëronte një përkim i plotë. Askush nuk e quante të vetën çkado që kishte, por ndër ta gjithçka ishte e përbashkët. Apostujt me fuqi të madhe jepnin dëshmi mbi ngjalljen e Zotërisë Jezus e të gjithë gëzonin nderim të madh. Gjithashtu askush prej sish nuk ishte skamnor, sepse ata që kishin ara e shtëpi i shitnin e çmimin e shitjes e binin dhe e vinin te këmbët e apostujve. Atëherë secilit i jepej aq sa kishte nevojë” (Vap 4,32-35).

Në bashkim me të varfërit

Bashkimi me vëllezërit shndërrohet në bashkim me më të varfërit, ndërsa kumti misionar i jep Kishës mundësinë të mos mbyllet në vetvete:

“Shumë shenja e mrekulli bëheshin prej apostujve në popull… Të gjithë besimtarët si me marrëveshje e kishin zakon të bashkohen në Tremin e Salomonit. Prej tjerëve askush s’kishte guxim të bashkohet me ta, porse megjithatë populli u jepte nderim. Dhe kështu, gjithnjë shtohej numri i burrave e i grave që besonin në Zotërinë, kështu që i qitnin në tregje të sëmurit dhe i vinin në vigje e në shtroja në mënyrë që, duke kaluar Pjetri aty pari, së paku hija e tij t’i binte ndonjërit prej tyre. Po edhe një turmë e madhe njerëzish ngarendte nga qytetet përreth Jerusalemit: sillnin të sëmurë e asish që i kishin pushtuar shpirtrat e ndytë dhe të gjithë shëroheshin” (Vap 5,12-16).

E më tej:

“Dhe çdo ditë, si në Tempull ashtu edhe në shtëpi, nuk pushonin duke mësuar e shpallur Lajmin e mirë mbi Jezusin Mesi” (Vap 5,42).

“Fjala e Hyjit vazhdonte të shtrihej. Shtohej shumë numri i nxënësve në Jerusalem dhe shumë priftërinj e pranonin fenë” (Vap 6,7).

A idealizohet edhe imazhi i apostujve, ashtu siç bëhet me bashkësinë e parë të krishterë? Këtë do ta shohim në emisionin e ardhshëm.

03 tetor 2019, 14:13