Bibla Bibla 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Letrat e Shën Palit

Pse zëra kaq të ndryshëm, ndër të cilët ateistë e hebrenj, bashkohen kur është fjala për të njohur dhantitë misionare të Palit dhe artin e tij retorik, por sidomos, kur duhet nënvizuar karakteri i vështirë dhe teologjia e tij, që sipas tyre, i është shtuar asaj të Ungjillit, duke e shpërfytyruar? E ja, një pyetje tjetër! Pse pjesa më e madhe e të krishterëve, edhe ata që shkojnë në meshë çdo të dielë, nuk i kuptojnë aspak Letrat dhe arsyetimet e tij teologjike?

R.SH. - Vatikan

Në emisionin e kaluar, përfunduam komentin e Veprave të Apostujve, duke nënvizuar kontributin e madh të Shën Palit apostull për krishterimin. Sot do të fillojmë të shohim Letra e shën Palit e, jo pikërisht në emisionin e sotëm, por në të enjtet e ardhshme, do të ndalemi në njërën prej Letrave të tij, atë që Apostulli i Popujve ua dërgon romakëve. Si gjithnjë, bazohemi në librin “Është ora e leximit të Biblës”, me autor meshtarin italian, don Federico Tartaglia.

         Letra drejtuar Romakëve është shkrimi që, pas Ungjijve, ka pasur ndikim më të thellë në teologjinë e krishterë dhe konsiderohet unanimisht kryevepra e shën Palit apostull. Kjo do të thotë se katekizmi, që studiojmë në kishë, e merr pjesën më të madhe të bazave teologjike pikërisht nga kjo Letër. Por, para se të komentojmë këtë Letër, le të gërmojmë më thellë në karakterin e në jetën e apostullit.

Zërat kundër shën Palit apostull

         Ata, që nuk e pëlqejnë fort shën Palin – e, më besoni, janë shumë – kanë guximin të bëjnë një koment sarkastik për burrin nga Tarsis. Thonë se është ai, që e ka shpikur krishterimin! E pikërisht ky është artikulli i parë, që gjeni në Google, kur shkruani “Pali i Tarsis”. Pse zëra kaq të ndryshëm, ndër të cilët ateistë e hebrenj, bashkohen kur është fjala për të njohur dhantitë misionare të Palit dhe artin e tij retorik, por sidomos, kur duhet nënvizuar karakteri i vështirë dhe teologjia e tij, që sipas tyre, i është shtuar asaj të Ungjillit, duke e shpërfytyruar?

         E ja, një pyetje tjetër! Pse pjesa më e madhe e të krishterëve, edhe ata që shkojnë në meshë çdo të dielë, nuk i kuptojnë aspak Letrat dhe arsyetimet e tij teologjike?

Pali është i jashtëzakonshëm, i ndërlikuar, i skajshëm

         Le të provojmë të hyjmë në misterin e këtij njeriu, duke u nisur nga një fakt i pranuar prej të gjithëve: Pali është i jashtëzakonshëm, i ndërlikuar, i skajshëm:

·        nëse 12 nga 27 shkrimet e Besëlidhjes së Re mbajnë emrin e tij, do të thotë se jemi para një njeriu jo të zakonshëm;

·        nëse ky njeri, i vetëm, pa ushtri e madje, edhe pa ndonjë grup ndjekësish, qe i aftë të përshkonte të gjitha vendet e Mesdheut, nga Izraeli deri në Spanjë, e të themelonte kudo bashkësi të reja të krishtera, jemi para një misionari gjenial;

·        nëse e quan veten “apostull”, pa qenë ndërmjet atyre, që patën njohur Krishtin gjatë jetës së Tij tokësore, do të thotë se jemi para një jete të jashtëzakonshme;

·        nëse grindet me Barnabën, debaton me gjithë apostujt, mbledh Koncilin e Jeruzalemit dhe e quan shën Pjetrin hipokrit; nëse shihet me sy të keq nga gjithë hebrenjtë, nga judeo-kristianët, nga tregtarët paganë, nga perandoria romake, nga korintasit e tij të dashur e, edhe nga galatasit, do të thotë se ka një mendje të ndërlikuar, një karakter të fortë dhe një personalitet pështjellues;

·        nëse, si judeas, ia kalon çdo bashkëkombasi të vet në persekutimin e të krishterëve, ndërsa, si i krishterë, tejkalon çdo apostull në mision; nëse udhëton, predikon, shkruan, themelon, riniset, rikthehet, debaton, derdh lot, bërtet, do të thotë se nuk është në gjendje të bëjë asgjë, duke e kursyer veten. Shën Pali jeton në maksimum. Nganjëherë, ta plas shpirtin!

Cilat janë Letrat e shkruara nga vetë Shën Pali?

Përsa u përket Letrave të tij, ekzegjeza moderne është pothuaj dakord për ato, që, me siguri, i ka shkruar vetë shën Pali, si:

·        Letra e parë drejtuar Selanikasve

·        Letra e parë drejtuar Korintasve

·        Letra e dytë drejtuar Korintasve

·        Letra drejtuar Galatasve

·        Letra drejtuar Romakëve

·        Letra drejtuar Filemonit

·        Letra drejtuar Filipianëve

Më se një studies ka dyshime për:

·        Letrën e dytë drejtuar Selanikasve

·        Letrën drejtuar Kolosianëve

·        Letrën drejtuar Efesianëve

Ndërsa, ka shumë pasiguri për Letrat e mëposhtme, që gati-gati nuk mund t’i atribuohen shën Palit:

·        Letra e parë drejtuar Timoteut

·        Letra e dytë drejtuar Timoteut

·        Letra drejtuar Titos

Në lashtësi, ishte shumë i përhapur fenomeni i pseudoepigrafisë, prandaj, jemi para teksteve, që pasqyrojnë stilin dhe konceptet e shën Palit, por shprehin edhe ide të reja më të zhvilluara, që të bëjnë të mendosh se vepra mund të jetë e ndonjë dishepulli të Apostullit të Popujve. Po ku e gjeti frymëzimin Sauli i kthyer në Pal? Vijojmë në emisionin e ardhshëm.

24 tetor 2019, 15:13