Bazilika e Collemaggio-s Bazilika e Collemaggio-s  

L’Aquila. Kard. Petrocchi: Falja çelestiniane është hir, që vjen nga qielli

Me ndezjen e zjarrit para Bazilikës së Collemaggio-s, të premten e kaluar, filluan kremtimet e Faljes çelestiniane, Jubileu i L’Aquila-s në Itali, Porta e Shenjtë e të cilit do të hapet nesër, më 28 gusht.

R.SH. - Vatikan

Për të 725-tin vit, qyteti i L’Aquila-s, në Itali, përgatitet të kremtojë Faljen çelestiniane, dhuruar Kishës nga Papa Çelestini V, në vitin 1294, me bulën “Inter sanectorum solemnia”. Riti solemn parashikon kalimin e Portës së Shenjtë të Bazilikës së Collemaggio-s për të marrë ndjesën e plotë, sipas kushteve të njohura të Kishës Katolike: rrëfimi e pajtimi me Zotin, kungimi eukaristik, lutja sipas ndjeteve të Papës, kryerja e veprave të mira si thënia e rruzares në kishë, adhurimi eukaristik, vizita në varreza etj.. Nesër, në orën 16.00, nga Pallati Fibbioni, do të niset procesioni historik i Bulës, i cili, në orën 17.45 do të arrijë në tremen e Bazilikës së Shën Marisë së Collemaggio-s. Aty, në orën 18.00, do të kremtohet riti i hapjes së Portës Shenjte, kryesuar nga kardinali Giuseppe Bertello, president i Guvernatoratit të Shtetit të Vatikanit, pasuar nga kremtimi i meshës.

         Kryeipeshkvi i L’Aquila-s, kardinali Giuseppe Petrocchi, i fton të gjithë ta jetojnë frymën e kësaj Faljeje si përvojë kishtare e shoqërore pajtimi e bashkimi. “Falja çelestiniane – thotë ai në një intervistë për Radio Vatikanin – është hir, që vjen nga qielli”. Ta dëgjojmë:

         Falja nuk është vetëm një ngjarje rituale: është hir që vjen nga lart, kalon përmes Kishës dhe arrin në shpirtin e njerëzve. Prandaj, Falja çelestiniane është kremtim, që kërkon mobilizimin e mendjes dhe të zemrës. Gjithashtu, ajo ka ndikime të rëndësishme në nivelin e marrëdhënieve shoqërore. Pietro da Morrone, që më vonë u bë Papë me emrin Çelestini V, ishte murg, eremit, i mësuar ta shqyrtonte botën e tij të brendshme; e njihte mirë dinamikën pozitive dhe negative, që e përshkonte shpirtin e tij e, pikërisht sepse ishte në gjendje të rrëmonte në zemrën e vet, kishte aftësinë ta kuptonte ç’i shqetësonte zemrat e të tjerëve: si atëherë, ashtu edhe sot, dëshironte t’i hapte udhët e paqes, të cilat, zakonisht, mbyllen nga mëritë, që lindin armiqësi. Ç’e prishin paqen nuk janë problemet, para të cilave ndodhemi pashmangshmërisht, por janë problemet e përjetuara keq. Kur një problem sjell virusin e mërisë, dëshirën për hakmarrje, bëhet patologjik. Papa Çelestini e pati kuptuar se duhej përballuar çështja në dinamikat e saj themelore, pra, duke përdorur ilaçin ungjillor të faljes, për të mos lejuar që problemet e jetës të na sëmurin: ilaçin na e solli Jezusi e ai është hiri i Tij; falja, për të cilën po flasim, është ajo ungjillore.

27 gusht 2019, 18:18