Në Universitetin e Lateranit, cikël studimesh në “Shkencat e Paqes”
R.SH. - Vatikan
Paqja, që deri dje, konsiderohej thjesht një fenomen i kundërt me luftën, është sot përmasë e domosdoshme e proceseve shoqërore, kulturore, relacionale dhe komunikative. Është kusht për mirëqënien shpirtërore personale, për marrëdhëniet me të tjerët, për krijimin e një shoqërie të harmonishme e deri të një familjeje njerëzore botërore. Paqja është e drejtë dhe detyrë e secilit, në çdo nivel. Pikërisht, nevoja për ta edukuar paqen dhe për të bërë kërkime që ajo të mos humbet, qëndron në idenë e Papës Françesku, zbatuar tani nga Universiteti Papnor Lateranens, i cili në tetor, në fillimin e vitit të ri akademik, do t’u propozojë studentëve një cikël universitar në “Shkencat e Paqes”. Do të konsiderohet degë si të tjerat, me mundësinë për t’u diplomuar në tre vite, ose për të vazhduar me diplomën magjistrale.
Letra e Papës
Kujtojmë se Papa Françesku e formalizoi dëshirën e tij me një letër për Kancelarin e Madh të Universitetit Lateranens, kardinalin Angelo De Donatis, më 12 nëntor 2018. Në të, Ati i Shenjtë shpjegonte se universitetet kishtare duhet të bëhen gjithnjë e më shumë “simbole të humanizmit të gjithanshëm” dhe vende “përtëritjeje të guximshme kulturore”. Papa u kërkonte studentëve dhe profesorëve t’i interpretonin shenjtat e kohrave me sytë e fesë, për t’u mishëruar më mirë në realitetin e sotëm e për t’iu përgjigjur sfidave të tij.
Studimi i paqes do të jetë shumëdisiplinor
Studimi i paqes nënkupton njohjen e bazave të saj epistemologjike në mënyrë që të fitohen aftësitë e nevojshme për të vepruar në të gjitha ato vende ku ajo, fatkeqësisht, nuk ekziston. Kursi në “Shkencat e Paqes” do të përdorë teologjinë, filozofinë, ligjin, ekonominë, shkencat shoqërore, si edhe teoritë e teknikat tradicionale për arritjen e paqes, për të nxjerrë paqeruajtës të kualifikuar, që dinë t’i trajtojnë problemet në mënyrë shumë- dhe ndër-disiplinore. Siç shkruan Papa Françesku në Kushtetutën Apostolike “Veritatis Gaudium”, drejtuar universiteteve dhe fakulteteve kishtare, “paqja nuk është vetëm mungesa e luftës apo administrimi dhe zgjidhja e konflikteve, por është një proces i tipit ‘para, gjatë dhe pas’, në një qasje gjithëpërfshirëse, me përgjegjësi të përbashkët”.
Krijimi i “teknologjisë shoqërore të paqes”
Kështu, cikli i studimeve të Lateranit do të synojë të projektohet në këtë përmasë të shumëfishtë, duke kontribuar në krijimin e një lloj “teknologjie shoqërore të paqes”, fryt i angazhimit shkencor dhe operativ, por, njëkohësisht, edhe zbatim i shpresave konkrete, të cilat, siç pohon Papa Françesku, mund t’u sigurojnë “popujve dhe vendeve të ndryshme një udhë paqeje, fryt i atij dialogu të vërtetë, i aftë për të shuar urrejtjen e për ta lënë mënjanë egoizmin dhe dëshirën e sëmurë për pushtet”.