Kremtimet për nder të Shëna Ndout, në Padovë Kremtimet për nder të Shëna Ndout, në Padovë 

Padova kujton Shën Antonin. Papa: Pajtor i të varfërve

Sonte Padova kujton çastet e fundme të Shën Antonit, vdekur më 13 qershor 1231. Në audiencën e përgjithshme Françesku e kujtoi “si prediktar e pajtor i të varfërve e i të munduarve”.

R. SH. - Vatikan

Me kremtimin e lashtë të Kalimit të Shën Antonit në jetën e vërtetë, në Arcella, lagja ku Shenjti jetoi çastet e fundme, qyteza venete do ta nisë kremtimin liturgjik përkujtimor të Pajtorit të vet duke u rënë të  gjitha këmbanave përnjëherësh, në festë. Edhe Papa sot, gjatë audiencës së përgjithshme, deshi të kujtonte se “nesër kremtohet festa liturgjike e Shëna Ndout të Padovës”, siç thirret nga shqiptarët. E quajti predikatar të shquar, pajtor i të varfërve e i të munduarve, duke i nxitur besimtarët të kërkojnë  ndërmjetësimin e tij, që  të mund të nxjerrin hire nga mëshira hyjnore.

Rikujtim i orëve të fundit të jetës së Shenjtit

Kalimi i Shenjtit nga kjo jetë, në jetën e pasosur, rikujtohet, me kostumet e epokës. Kremtohet shtegtimi i fundit në Campossampiero të Padovës, i Fra Antonit i cili, duke e ndjerë afrimin e vdekjes, kërkoi të mbartej në kuvendin e tij të shumëdashur padovan të Marisë, Nënë e Zotit, bërthama  e parë e Bazilikës së sotme antoniane. Statutet e Komunes së Padovës vendosën, që nga viti 1276, që fillimi i festës për nder të Shëna Ndout, të niste pas orës nëntë të vigjiljes, domethënë, mbrëmjen e 12 qershorit. E edhe sivjet kështu do të nisë: shfaqja kishtare, që të rikujton ditën e fundit të jetës së Shenjtit, do të fillojë  në orën 20.30, nga Sheshi Azzuri d’Italia e do të arrijë kulmin në Shenjtëroren e Arcellës, me koncertin tradicional të kumbonëve të mbarë qytetit, që kumtojnë lindjen për qiell të Antonit. E kjo të kujton gojëdhënën, sipas të cilës, të gjitha kumbonët e Lisbonës - ku lindi Shenjti - patën rënë vetvetiu pikërisht në çastin kur frati jepte shpirt në Padovë.

Në të njëjtat vende, që e patën mikpritur Antonin në shekullin XIII

Në rrugët e lagjes Arcella do të parakalojnë sonte 150 figurantë, për të treguar arritjen e Fratit Antoni i Padovës, mbartur mbi një qerre, të tërhequr nga  qetë, e edhe vdekjen e tij, sipas përshkrimit, shkëputur nga teksti i Assidua-s, jetëshkrim i parë i shkruar pak vite pas vdekjes së françeskanit, ndoshta nga fra Luca Belludio, sivëlla besnik i Antonit.  Rikujtohet kështu, udhëtimi i Antonit nga Camposanpiero, takimi me fratin Vinotto, arritja në manastirin e Cellës, lotët e “Povere Dame” (Klariseve), agonia e Shenjtit… Kortezhi historik  do të përshkojë të njëjtat vende, ku kaloi Shenjti rreth tetë shekuj më parë. Skena e fundit, agonia, para se të shqiptonte fjalët e mbrame: “Video Dominum meum”(Po e shoh Zotin tim), me të cilat Shenjti i mbylli ditët mbi këtë tokë, do të zhvillohet, sipas traditës, brenda shenjtërores së Arcellës, përballë “Qelisë së Kalimit në jetën tjetër”. Është caku, që nderohet prej shekujsh si vend ku dha shpirt Shëna Ndou, para të cilit besimtarët ndalohen për të nderuar Mrekullibërësin.

Kremtimi i 13 qershorit

Nesër kremtimet solemne do të mbahen në Bazilikën Papnore të Shën Antonit. Në orën 11.00, Mesha pontifikale kryesuar nga imzot Claudio Cipolla, ipeshkëv i Padovës. Pasdite, kremtimi, në orën 17.00, duke filluar nga procesioni me reliket dhe shtatoren e Shenjtit, frymëzuar, sivjet, nga takimi i Shën Françeskut me Sulltanin e Egjiptit në Damieta e, në të njëjtin vit, edhe takimi i Antonit, kur ishte ende murg agostinian - me fretërit e vegjël të Koimbras. Duke theksuar fort se për Shëna Ndoun të gjithë: “heretikë e mëkatarë, të pushtetshëm e të përkëmbur,  të huaj e vendas, jemi vëllezër, bij të të njëtit atë!”.

Festë e madhe, edhe në Laç e në Gjakovë

E, të mos harrojmë: Shëna Ndou nderohet shumë edhe në Shqipëri, në Laç, e në Kosovë, në Shenjtëroren që i kushtohet, në Gjakovë. Prandaj edhe kremtohet shumë. Nga njerëz të të gjitha besimeve. E deri nga ata, që nuk besojnë fare, por që kanë nxjerrë hire prej Mrekullbasit - në çaste të pashpresa të jetës së tyre. Nderohet “Nga heretikë e mëkatarë, të pushtetshëm e të përkëmbur,  të huaj e vendas” - në se flasim me gjuhën e   artë të Shenjtit, që ruhet e pakalbur në Bazilikën  e Tij. Mijëra shqiptarë, nga veriu e jugu, nesër do t’i ngjiten përsëri kodrës së Laçit, e do të shtegtojnë drejt Gjakovës, për t’u ritakuar me Shenjtin e Mrekullive: dikush për ta falënderuar e dikush për t’i kërkuar hire të reja. Të bindur se Shëna Ndou i pret aty, si çdo vit… 

12 qershor 2019, 18:04