Vatican News
Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 13-të gjatë vitit kishtar “C” Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 13-të gjatë vitit kishtar “C” 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 13-të gjatë vitit kishtar “C”

Liturgjia e kësaj së diele, vë në qendër të vëmendjes sonë, ecjen pas Krishtit. Pra, leximet biblike, posaçërisht Leximin I ( 1Mbr 19,16-19-21) dhe Ungjillin ( Lk 9.51-62), na flasin për thirrjen e Zotit. T’i përgjigjesh thirrjes së Jezusit, do të thotë ta ndjekësh e të përshkosh të njëjtën udhë, duke ecur në gjurmët e Ungjillit. Në këtë na ndihmon shembulli i Elizeut, por sidomos kushtet që Jezusi i ka vënë për t’u bërë dishepujt të tij.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 13-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 13-të gjatë vitit kishtar “C”

Tema kryesore që përshkon leximet biblike, e në mënyrë të posaçme Leximin I ( 1Mbr 19,16-19-21) dhe Ungjillin ( Lk 9.51-62), është thirrja e Zotit. Përcaktimi për Krishtin, ndjekja e Mësuesit Hyjnor, dëshmimi I fesë në Hyjin janë tematikat që trajtojnë leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore të kësaj së diele. Pra, Hyji na fton ta ndjekim deri në fund, madje edhe në vuajtje e në sprova të jetës. Në të vërtetë çdo njeri, në mënyrë të mistershme, në jetën e vetë e merr dhe dëgjon thirrjen nga Zoti. Po kësaj thirrje Hyjnore duhet t'i përgjigjemi me liri e  e dashuri. Këtë na kujton fragmenti i Ungjillit të Lukës (Lk 9,51-62) i kësaj së diele të 13-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, duke u ndalur posaçërisht tek përgjigjja e Krishtit, që flijon vetveten për shpëtimin e njeriut. Kjo përgjigje na nxit të vihemi në shërbim të njëri-tjetrit. Kush heq dorë nga gjithçka, edhe nga vetvetja, për të ndjekur Krishtit, hyn në një përmasë të re të lirisë.

T’i përgjigjesh thirrjes së Jezusit, do të thotë ta ndjekësh e të përshkosh të njëjtën udhë, duke ecur në gjurmët e Ungjillit. Kush ka fatin të njohë një të ri a të re, që lë familjen ku u lind e u rrit, lë studimet a punën, për t’iu kushtuar plotësisht Zotit, e di mirë çfarë kuptimi ka ky përkushtim, sepse ka parasysh një shembull të gjallë, që dëshmon çka do të thotë t’i përgjigjesh me gjithë vetveten thirrjes hyjnore. E kjo është një nga përvojat më të bukur, që fitohen në Kishë: ta shikosh, ta prekësh me dorë veprimin e Zotit në jetën e njerëzve; të provosh se Zoti nuk është qenie abstrakte, por Realitet aq i madh e i fuqishëm, sa ta mbushë plotësisht zemrën e njeriut, është Vetje e gjallë, e afërt, që na do e dëshiron ta duam.

Në fragmentin e Shën Lukës Ungjilltar, në të cilin Jezusi u thotë disa njerëzve se kush dëshiron të punojë me të, në arën e Zotit, nuk mund të kthehet prapa. Një tjetri Krishti i thotë: “Më ndiq!”, duke i kërkuar të këpusë menjëherë çdo lidhje familjare. Këto kërkesa, mund të duken tepër të rrepta, por në të vërtetë shprehin risinë e përparësisë absolute të Mbretërisë së Zotit, që bëhet i pranishëm mes nesh në Jezu Krishtin.

Është fjala për t’iu nënshtruar plotësisht dashurisë së Zotit, së cilës i bindet i pari vetë Jezusi. Kush heq dorë nga gjithçka, e edhe nga vetvetja, për të ndjekur Krishtin, hyn në një përmasë të re të lirisë, të cilën shën Pali e quan “të ecësh sipas Shpirtit Shenjt” (krh Gal 5,6). Krishti na çliroi, që të mbetemi të lirë, shkruan Apostulli, e shpjegon se kjo formë e re e lirisë, të cilën Jezusi e fitoi për ne, është shërbimi që duhet t’i bëjmë njëri-tjetrit (Gal 5,1.13). Liria e dashuria përkojnë. Bindja ndaj egoizmit, përkundrazi, të çon në ndeshje e kundërshtime. Prandaj, Kisha na fton të kundrojmë misterin e Zemrës hyjnore-njerëzore të Zotit Jezus, për ta shuar etjen drejtpërdrejt në burimin e dashurisë së Hyjit. Kush ika ngul sytë kësaj zemre të shporuar e gjithnjë të hapur për dashurinë tonë, kupton se e vërtetë është kjo lutje: “Je ti, o Zot, e mira ime e vetme!”, (Psalmi) e është gati të lerë gjithçka, për të ndjekur Zotin.

                                                    Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë 1 Mbr 19, 16.19-21
Elia ka takuar Hyjin në vetmi, ai gjen përsëri kuptimin e misionit të tij duke formuar popullin në besimin në të vetmin Hyj dhe duke gjetur një pasardhës që vazhdon misionin e tij. Ai do të jetë Elizeu, të cilit i lë mantelin e vet, simbol i personalitetit të tij dhe i fuqive të tija. Elizeu braktis gjithçka për ta ndjekur, ashtu siç do të bëjnë apostujt. 

Lexim prej Librit të parë të Mbretërve

Në ato ditë, Zoti i tha Elisë: “Elizeun, birin e Safatit, që është në Abelmehulë, shuguroje profet në vendin tënd.” U nis, pra, prej andej Elia dhe e gjeti Elizeun, birin e Safatit, duke lëvruar me dymbëdhjetë pendë qe; Elizeu ishte tek e dymbëdhjeta pendë. 
Kur u afrua Elia tek ai, e hodhi leshnikun e vet mbi të. Ky menjëherë i la qetë, vrapoi pas Elisë e i tha: “Më lejo, të lutem, të merrem ngrykë me babën e me nënën time dhe atëherë po vij pas teje.” Ai i tha: “Hajt e kthehu! Sepse e di se çka kam bërë me ty!” U kthye prej tij, mori një pendë qe i preu fli. Me veglat e lëvrimit e zjeu mishin dhe ua dha njerëzve ta hanin. Mandej u çua, shkoi pas Elisë dhe u vu në shërbimin e tij. Fjala e Zotit.

Psalmi 16

Ti, o Zot, je e mira ime
---- ---- ----
Më ruaj, o Hyj, sepse të kam rënë ndore!
I thashë Zotit: “Ti je Zoti im,
tjetër të mirë nuk kam veç teje!”
Zoti është pjesa e trashëgimit tim 
dhe gota ime,
në dorën tënde është fati im!
---- ---- ----
E bekoj Zotin që më këshillon:
edhe natën veshkat e mia më mësojnë.
Zotin e kam gjithmonë para sysh,
më rri në të djathtë, 
nuk kam sesi të rrëzohem!
---- ---- ----
Prandaj galdon zemra ime, 
gëzon shpirti im,
mbarë trupi im pushon në qetësi.
S’do të ma lësh shpirtin në nëntokë,
as s’do të lejosh që Shenjti yt 
të kalbet në dhe.
---- ---- ----
Ti do të ma tregosh udhën e jetës,
gëzimin e plotë para fytyrës sate,
kënaqjen e amshueshme 
në të djathtën tënde.
---- ---- ----

Leximi i dytë Gal 5, 1.13-18

Pali deklaron që ne gjendemi në kohën e lirisë, përderisa Krishti ka paguar çmimin e nevojshëm për të na çliruar. Të jesh i lirë nuk do të thotë të bësh çdo gjë, por të zgjedhësh kriterin që do të drejtojë të gjithë jetën tënde: të qëndrosh nën sundimet e pasioneve të botës apo të kërkosh bashkimin me Hyjin; të preferosh dashurinë e ekzagjeruar për veten apo gëzimin për të ndërtuar marrëdhënie dashurie dhe sinqeriteti me të tjerët.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Galatasve

Vëllezër, Krishti na liroi që të mbeteshim vërtet të lirë. Qëndroni, prandaj, e mos lejoni t’ju zënë në zgjedhën e skllavërisë! Vërtet, vëllezër, ju jeni të grishur në liri! Por kini kujdes që kjo liri të mos bëhet shkak të jetoni si do trupi, por me dashuri shërbeni njëri-tjetrit! Sepse i tërë ligji përmblidhet në këtë urdhër: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!” Nëse njëri-tjetrin nuk e lini në paqe me fjalë dhe ia breni shoqishoqit jetën me ngatërresa, hapni sytë: po e qitni fare njëri-tjetrin! Dua të them: jetoni nën ndikimin e Shpirtit Shenjt e nuk do t’i kryeni dëshirat e mishit e të gjakut. Sepse mishi e gjaku me dëshirat e veta i kundërshtojnë Shpirtit e Shpirti i kundërshton mishit e gjakut: këta të dy janë në kundërshtim njëri me tjetrin, që të mos bëni çka dëshironi. E nëse ju prin Shpirti, nuk jeni të nënshtruar ligjit. Fjala e Zotit.

ALELUJA, Aleluja.
Unë jam drita e botës, thotë Zoti;
kush beson në mua do ta ketë 
dritën e jetës. Aleluja

Ungjilli Lk 9, 51-62
Jezusi pranon përfundimisht vdekjen që duket në horizont. Ai drejtohet drejt Jerusalemit, për të përfunduar në një vetmi dramatike, misionin e shpëtimit që Ati i ka besuar. 
Por dishepujt e Jezusit janë të paaftë ta pranojnë vdekjen e tij dhe kërkojnë ta shmangin, madje do të donin të përdornin dhunë për të ndërtuar Mbretërinë e Hyjit. Jo vetëm apostujt, por çdo njeri duhet të ngjitet në Jerusalem pas Jezusit, duke pranuar të gjitha pasojat dhe rreziqet.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Kur erdhi koha që Jezusi të jetë ngritur nga kjo botë, mori vendim të palëkundshëm të shkojë në Jerusalem. Përpara i dërgoi lajmëtarët e vet. Këta shkuan dhe hynë në një fshat samaritanësh për të përgatitur ardhjen e tij. Por ata s’deshën ta pranojnë aty, sepse ishte nisur për Jerusalem. Kur e panë këtë gjë, nxënësit – Jakobi e Gjoni – thanë: “Zotëri, a do të urdhërojmë që zjarri të zbresë nga qielli e t’i zhbijë?” Jezusi u kthye kah ata dhe i qortoi. Dhe u nisën për një fshat tjetër. Ndërsa po bënin rrugë, një njeri i tha: “Unë dua të vij pas teje kudo që të shkosh!” Jezusi i përgjigji: “Dhelprat i kanë strofujt e vet, edhe shpendët e qiellit çerdhet, kurse Biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kokën!” Një tjetri i tha: “Eja pas meje!” Por ai i përgjigji: “Zotëri, më lejo të shkoj një herë e ta varros tim atë!” “Lëri – i përgjigji Jezusi – që të vdekurit t’i varrosin të vdekurit e vet, e ti shko e prediko Mbretërinë e Hyjit!” Atëherë i tha një tjetër: “Unë po vij me ty, Zotëri, por më jep leje njëherë të shkoj e të përshëndetem me anëtarët e familjes sime.” “Kushdo – i përgjigji Jezusi – që vë dorën në parmendë dhe sillet e shikon mbrapa, nuk është i përshtatshëm për Mbretërinë e Hyjit! Fjala e Zotit.

28 qershor 2019, 17:06