Octavia Iglesias Blanco, Olga Perez Monteserin Nunez e Pilar Gullon Yturriaga Octavia Iglesias Blanco, Olga Perez Monteserin Nunez e Pilar Gullon Yturriaga 

Do të shpallen të Lume tri infermiere të Kryqit të Kuq, vrarë gjatë Luftës Civile Spanjolle

Kisha do të ketë së shpejti tri të Lume të reja, vrarë për shkak të fesë gjatë Luftës Civile Spanjolle, si edhe 7 Shërbëtorë të rinj të Zotit.

R.SH. - Vatikan

Dje, Papa Françesku priti kardinalin Angelo Becciu, prefektin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve dhe, e autorizoi Dikasterin vatikanas të shpallë Dekretin për njohjen e martirizimit të tri të Lumeve të reja, Shërbëtores së Zotit, Pilar Gullón Yturriaga dhe 2 shoqeve të saj laike, vrarë nga urrejtja për fenë në Pola de Somiedo (Spanjë) më 28 tetor 1936, gjatë Luftës Civile Spanjolle. Ishin tri infermiere të Kryqit të Kuq të Astorga-s dhe anëtare të Veprimit Katolik. Pasi mbërritën milicët republikanë, ato qëndruan, pa ikur si gjithë të tjerët, që të kujdeseshin për të plagosurit e spitalit të Somiedo-s. Nëse do ta mohonin fenë, - ky qe propozimi, që iu bë - mund të largoheshin të lira. Por infermieret refuzuan, prandaj u përdhunuan gjatë natës, ndërsa në mëngjes, u vranë nga disa gra milice. Pilar ishte 25 vjeç, Octavia 41 dhe Olga, më e reja, 23 vjeç.

7 Shërbëtorët e rinj të Zotit

         Përveç kësaj, me njohjen e virtyteve heroike, Kisha pasurohet me 7 Shërbëtorë të Zotit, ndër të cilët, Agostino Tolton, prift dioqezan, që jetoi në SHBA-të, ndërmjet viteve 1854 dhe 1897. Afro-amerikan i lindur në skllavëri në Misuri, u arratis me familjen gjatë Luftës Civile Amerikane dhe u nis për të studiuar në Romë, ku u shugurua meshtar.

Augustine Tolton
Augustine Tolton

         Pesë, italianët: dy gra dhe tre burra. Enzo Boschetti, prift dioqezan, jetoi në Itali ndërmjet viteve 1929 dhe 1993. Iu përkushtua ndihmës për të rinjtë e droguar, duke i kërkuar edhe natën për t’i larguar nga rruga. Në Pavia, ku në vitin 1968 po përhapej heroina, ngriti në një bodrum “Shtëpinë e të Rinjve”, e cila sot, impenjohet edhe luftën kundër varësisë nga lojrat e fatit. Gjithashtu, në këtë strukturë strehohen nëna e fëmijë të keqtrajtuar. Felice Tantardini, rregulltar i Institutit Papnor për Misionet e Jashtme, lindur në Introbio më 1898 dhe vdekur në Taunggy të Myanmarit në vitin 1991. Njihej si “farkëtari i Zotit” për veprat e ndërtuara në misionet ku e kaloi jetën.

Felice Tantardini
Felice Tantardini

Giovanni Nadiani, lajk i Kongregatës së Presbiterëve të të Shenjtnueshmit Sakrament, që ka jetuar ndërmjet viteve 1885 dhe 1940. Mbahet mend si njeri me përshpirtëri të jashtëzakonshme. E, më pas, Maria Paola Muzzeddu, themeluese e Shoqatës së Bijave të Nënës së Papërlyer, e cila e kaloi jetën në Aggius të Sardenjës, nga viti 1913 në vitin 1971. Njihet për “Ditarin e saj shpirtëror”, ku tregohet lufta e saj me djallin. Po ashtu, edhe Maria Santina Collani, murgeshë e Institutit të Motrave të Mëshirshme, lindur në vitin 1914 dhe vdekur në vitin 1956, me një jetë të përkushtuar në favor të të varfërve dhe të mënjanuarve. Ndër Shërbëtorët e rinj të Zotit, edhe Rosario e Pasisë së Zojës, themeluese e Kongregatës së Motrave Domenikane të Rruzares Shenjte, lindur në Molo të Filipineve më 1884 dhe vdekur po aty, më 1957.

12 qershor 2019, 15:10