Kryeipeshkvi metropolit i Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra Kryeipeshkvi metropolit i Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra 

Imzot Massafra për Pashkë: “të jemi misionarë të të Ringjallurit”

Mesazhin i sivjetëm për Pashkë i kryeipeshkvit metropolit të Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra.

R.SH. - Vatikan

Varri i zbrazur i Krishtit, pasi kemi përjetuar kryqëzimin dhe vdekjen e Tij në kryq, është gëzimi i takimit dhe i përqafimit me Zotin e Ringjallur. Këtë thekson, në Mesazhin e tij të sivjetëm për Pashkë, kryeipeshkvi metropolit i Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra. Ai i fton besimtarët katolikë të shkojnë e ta kërkojnë “të Dashurin” hyjnor, sidomos në bukën e verën eukaristike, por edhe në angazhimin për të mirën e të gjithëve. “Të mos shkurajohemi nga lufta për mbijetesë”, këshillon kryeipeshkvi i Shkodrës. Ta dëgjojmë mesazhin e tij…

Dëgjo mesazhin e imzot Angelo Massafra-s...

Angelo Massafra: MESAZH PËR PASHKËN 2019

Shko te vëllezërit e mi e thuaju:

Po ngjitem tek Ati im e Ati juaj, tek Hyji im e Hyji juaj

(Gjn 20, 17).

Për urimet e mia për Pashkën 2019 këtë vit kam zgjedhur rreshtin e Ungjillit të Gjonit ku përshkruhet përvoja e të Ngjallurit, që bën Maria Magdalenë, figura e Kishës që është në kërkim të Zotit të vet.

Për fenë tonë varri i zbrasur është një shenjë e Ngjalljes: ashtu si Gjoni apostull, edhe ne, që në ditët e Mundimeve e kemi ndjekur Jezusin, i kemi rijetuar ngjarjet e Kryqëzimit dhe të Vdekjes së tij, të drejtuar prej dashurisë, na mjafton të dimë se varri ku e kishin vënë tani është bosh.

Por kjo nuk mjafton, që fesë sonë t’i bashkohet edhe përmasa e gëzimit të brendshëm dhe të jashtëm. Nevojitet një “më shumë”, që është takimi dhe përqafimi me Zotin e kryqëzuar dhe të ngjallur.

Edhe ne, besimtarët e Kishës në Shkodër-Pult, jemi duke kërkuar të Dashurin, shkojmë duke përsëritur emrin e tij, duke ua thënë edhe të tjerëve, që ta kërkojnë së bashku me ne dhe, pasi ta gjejnë, të gëzojnë edhe ata.

Por këtë takim ne krishterë e bëjmë çdo ditë: ashtu si Marisë, edhe neve i Ngjalluri na e drejton Fjalën e Vet; madje na thërret në emër, duke na zbuluar në këtë mënyrë se sa shumë ai na njeh dhe na do, sepse njohja dhe dashuria shkojnë së bashku; edhe ne e thërrasim në emër, duke bërë që ky emër të tingëllojë në asambletë tona, sepse emrin i tij është “emri që është mbi çdo emër” (Fil 2, 9). Dhe çdo ditë ai, i Ngjalluri, na jepet neve në formën e bukës dhe të verës eukaristike, sepse dashuria e tij për ne nuk është vetëm “me fjalë”, por konkrete: nuk mjaftohet që të na bëjë “ta ndiejmë” Fjalën e Tij, por dëshiron edhe që të jetojë me ne një bashkim të thellë, që ne e quajmë “bashkësi”. Dhe, si të mos mjaftonte, na mbush me Shpirtin e Vet që gjallëron të gjitha veprimet tona.

Këtë gjë bëjmë ne si Kishë çdo ditë! Ka vetëm një problem: sa kjo e vepruar kishtare është edhe e vepruar e çdo besimtari? Duhet ta bëjmë këtë pyetje, të dashur vëllezër e motra! Kjo pyetje është thelbësore për jetën tonë të fesë. Pasi, nëse nuk është kështu, përvoja jonë e të Ngjallurit nuk do të ishte e plotë.

Marisë Magdalenë i jepet edhe një detyrë e rëndësishme: t’ua kumtojë të Ngjallurin vëllezërve të vet dhe motrave të veta; po edhe neve Jezusi na jep detyrën për të shpallur i Gjall.

Të dashur, mos u lodhim në të qenurit tonë misionarë të Ngjallurit, le të themi dhe ia tregojmë të tjerëve fuqinë e emrit të tij që shëron, fal e shpëton.

Vëllezër dhe motra, është e vërtetë, jetojmë një moment të vështirë, të gjithë e ndiejnë vështirësinë për të jetuar që, ndonjëherë, i ngjan një lufte për mbijetesë. Le të mos skurajohemi: të shikojmë gjithka që kemi bërë në këto vite,të vlersojmë ecjen që kemi bërë deri tani me shumë sakrifica. Secili prej nesh, sot, të bejë pjesën e vet…e ardhmja është edhe në duart të secilit,  perveç të Zotit.

Për këtë arsye, ju uroj të gjithëve ju, katolikë, ortodoksë e krishterë, që të dini ta mikpritni kumtimin e Emrit të Jezusit të Ngjallur: Ai na shpëtoftë dhe e liroftë Shqipërinë tonë prej padrejtësive, prej mendjemadhësisë, prej etjes për pushtet dhe zotërim, pasi këto gjëra shkaktojnë urrejtje, hakmarrje dhe vrasje. Ai na dhaftë guximin e nevojshëm për të fituar mbi çdo formë egoizmi, forcën për t’u angazhuar për të mirën e përbashkët në krijimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të vëmendshme ndaj nevojave të më nevojtarëve dhe na dhaftë gëzimin e brendshëm e të thellë për të qenë qytetarë aktivë, të ndershëm dhe guximshëm për rindërtimin shpirtëror, moral, kulturol dhe ekonomik të Atdheut tonë të dashur.

 Përshumëvjet Pashkën të gjithëve.

† Angelo Massafra O.F.M.

Arqipeshkëv Metropolit Shkodër-Pult

20 prill 2019, 20:10