Dorëzimi i "Llambës së Paqes" Dorëzimi i "Llambës së Paqes" 

Në Asizi, Mbretit të Jordanisë i dorëzohet "Llamba e paqes"

Pranë Bazilikës së Shën Françeskut, Mbreti i Jordanisë, Abdullah, mori një dhuratë të pazakontë nga fretërit e Kuvendit të Shenjtë: Llambën e paqes së Shën Françeskut, për veprimtarinë në mbrojtje të të drejtave të njeriut, harmoninë ndërmjet feve të ndryshme dhe mikpritjen e refugjatëve. Të pranishëm, kancelarja gjermane Merkel dhe kryeministri italian Giuseppe Conte.

R. SH. - Vatikan

Gjithçka ishte gati në Asizi sot, kur fretërit e Kuvendit Shenjt i dorëzuan dhuratën e llambës së paqes së Shën Françeskut mbretit të Jordanisë Abdullah II që, i shoqëruar nga Mbretëresha, vizitoi qytetin e Shenjtit të paqes e të të mirave. Llamba iu dorëzua sovranit jordanez për “veprimtarinë dhe angazhimin në mbrojtje të të drejtave të njeriut, nxitjen e harmonisë ndërmjet feve e të ndryshme dhe mikpritjen e refugjatëve”.

Mesazh paqeje

“Nga Bazilika e Shën Françeskut u nis, kështu, edhe një here, mesazhi i paqes, i dialogut e i gjithëpërfshirjes, në një periudhë historike që karakterizohet nga ringritja e mureve dhe thellimi i urrejtjes ndërmjet qytetërimeve” - shpjegoi drejtori i Sallës së Shtypit të Kuvendit Shenjt të Asizit, atë Enzo Fortunato. Në këtë festë kuptimplote morën pjesë edhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Italisë, Giuseppe Conte; kancelarja gjermane, Angela Merkel, që e mori dhuratën e llambës më 2018-tën; kryetari i Parlamentit evropian, Antonio Tajani dhe kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, kardinali Gualtiero Bassetti.

Programi i ceremonisë

Dita u hap me një çast lutje mbi varrin e Shën Françeskut, pastaj autoritetet u ngjiten tek Bazilika e Epërme ku, pas dorëzimit të çmimit, u dha edhe një koncert, pasuar nga fjalimi i Mbretit, i Rojtarit të Kuvendit të Shenjtë e Kancelares Merkel. Së fundi, takimi me të rinjtë, në Sallonin Papnor.

800 vjet pas takimit të Shën Françeskut me Sulltanin

“Ishte çast historik, ky që jetoi sot bashkësia françeskane e Asizit” - kujtoi akoma atë Fortunato. - Ngjarje, që jetohet 800 vjet pas takimit të Shën Françeskut me Sulltanin - shtoi - duke nënvizuar se dialogu ndërmjet feve e kulturave duhet të jetë i amshuar”.

Ky është vit i rëndësishëm për familjen françeskane e sot, si asokohe, protagoniste ishte Lindja e Mesme!

29 mars 2019, 16:34