Imzot José Domingo Ulloa Mendieta me të rinjtë e DBR-së në Panama Imzot José Domingo Ulloa Mendieta me të rinjtë e DBR-së në Panama 

DBR-ja e Panamasë. Papa do të gjejë një Kishë të gjallë në shërbim të të gjithëve

Kisha dhe shoqëria kanë nevojë për të rinjtë. Kështu pohon kryeipeshkvi i Panamasë, imzot José Domingo Ulloa Mendieta: “E presim Papën Françesku me lutje”.

R.SH. - Vatikan

DBR-ja e Panamasë do të jetë rast për të vënë në dukje realitetet rinore, që veprojnë në vendin latinoamerikan, që nga emigrantët, tek indigjenët e tek bashkësitë me origjinë afrikane. Pak ditë nga ky takim i madh ndërkombëtar, kryeipeshkvi i këtij istmi të vogël, imzot José Domingo Ulloa Mendieta, në një intervistë me Radio Vatikanin, nënvizon se Kisha e Panamasë është e gjallë dhe dialogon me këdo, që është i ndryshëm, por jo larg saj. Dialogu ekumenik e ndërfetar është në shërbim të të gjithëve, pa përjashtuar askënd. Si po përgatitet kjo Kishë për takimin e madh të të rinjve me Papën? Të dëgjojmë imzot Mendietën:

         Përgatitja jonë mbështetet, së pari, tek lutja. E kemi vënë këtë projekt në duart e Zotit, duke kremtuar një ditë lutjeje për DBR-në, më 22 të çdo muaji, për dy vjet me radhë. Kemi zgjedhur ditën e festës së shën Gjon Palit II, i cili e ka themeluar DBR-në. Kemi pasur edhe përkrahjen e një firme prestigjoze, e cila i ka përgatitur procedurat në një mënyrë mjaft metodike, gjë që na ka dhënë mundësinë të ndjekim çdo hap të organizimit, në drejtoritë e ndryshme të Komitetit organizator lokal të DBR-së.

Ç’Kishë do të gjejë Françesku?

         Do të gjejë një Kishë të re e të gëzuar, të vërtetë, shumëetnike e shumëkulturore, me fe të gjallë, e impenjuar në kumtimin e Ungjillit. Kishë, që nuk do ta zhgënjejë besimin, që Papa i dha këtij istmi të vogël për të organizuar një ngjarje unike dhe historike si DBR-ja. Kishë, që përforcon magjisterin e Papës Françesku, në kërkim të njerëzve të periferive. Kishë që dialogon me atë, që ‘është ndryshe, por jo larg’, që di t’i japë jetë dialogut ekumenik dhe ndërfetar. Kishë në shërbim të të gjithëve, pa përjashtuar askënd.

Thatë së kjo DBR do të verë në qendër të rinjtë në kërkim të Krishtit, pa harruar çështjen e indigjenëve dhe të emigrantëve. Sa të rëndësishme janë këto aspekte?

         DBR-ja është mundësi për të vënë në dukje realitetet rinore, ndër të cilat edhe emigrantët, indigjenët dhe bashkësitë me origjinë afrikane. Nuk mund t’i anashkalojmë këto realitete e as mund të rrimë duarkryq. Besoj se skenari i Ditës Botërore do t’i ndihmojë të gjejnë vendin e vet e do ta ndihmojë edhe Kishën në Amerikën Qendrore t’i shoqërojë. Shpresojmë që të rinjtë të dalin nga DBR-ja me zemër më të shqetë e të impenjohen në kërkimin e përgjigjeve për pyetjet e tyre thelbësore, duke përvijuar kështu planin e tyre për jetën. U uroj ta lejojnë Atin Qiellor t’i përkëdhelë me dashurinë e Tij të mëshirshme, të marrin pjesë në katekizëm, të dëgjojnë fjalët e Papës, i cili vjen të na përforcojë në fe e t’u thotë që Kisha e shoqëria kanë nevojë për ta. Duhet të marrin guximin e t’i përgjigjen thirrjes së Zotit.

18 janar 2019, 08:51