2018.10.21 Vangelo di domenica 2018.10.21 Vangelo di domenica 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 31-të gjatё vitit kishtar “B”

I tërë Ungjilli gjendet në një fjalë të vetme; duaj! Para se të jetë urdhër, dashuria është dhuratë, është realitet, që Zoti na bën ta njohim e ta provojmë, në mënyrë që, si fara, të mbijë e të zhvillohet në jetën tonë.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të së dielës së 31 gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik.

Liturgjia Fjalës Hyjnore e dielës së 31 gjatë vitit kishtar

Para se të jetë urdhër, dashuria është dhuratë.

Këtë nënvizon fragmenti i Ungjillit të kësaj së diele nga Shën Marku, që na propozon pikërisht urdhërimin e dashurisë. Jezusi na mëson se dashuria e Zotit dhe dashuria e të afërmit janë të pandashme dhe prandaj Kisha i fton të krishterët të sillen si prindërit, që i duan gjithnjë fëmijët e tyre, edhe kur gabojnë.
Lidhja e fëmijës me prindin na mëson mrekullisht se si duhet ta vëmë në jetë urdhërimin e dashurisë, që është urdhërimi më i madh, që na ka mësuar Jezusi: “Ta duam Zotin e ta duam të afërmin”. Por para se të jetë urdhër, dashuria është dhuratë, është realitet, që Zoti na bën ta njohim e ta provojmë, në mënyrë që, si fara, të mbijë e të zhvillohet në jetën tonë.

Në se dashuria për Zotin i ka rrënjët thellë në zemrën e njeriut, ai është në gjendje ta dojë edhe atë, që nuk e meriton, ashtu si na do Zoti ne. Edhe babai e nëna nuk i duan fëmijët vetëm kur e meritojnë, por i duan gjithnjë, ndonëse, natyrisht ia vënë në dukje gabimet. Nga Fjala e  Zotit, ne mësojmë të duam gjithnjë vetëm të mirën e kurrë të keqen.

Mësojmë ta shikojmë tjetrin jo vetëm me syrin tonë, por edhe me syrin e Zotit, që është syri i Jezu Krishtit. Shikim ky, që niset nga zemra e nuk ndalet në sipërfaqe, që shkon përtej dukjeve e arrin t’u përgjigjet dëshirave më të thella të tjetrit: dëshirës për ta dëgjuar, për t’i kushtuar vëmendje pa kurrfarë interesi, për t’i thënë një fjalë dashurie.

Por, vërehet edhe një udhë e kundërt: kur ia hap zemrën tjetrit, ashtu si është, duke e ndihmuar, duke u treguar i gatshëm, unë hap edhe zemrën time për ta njohur Zotin, për të ndjerë se Ai është i mirë. Dashuria për Zotin e dashuria për të afërmin janë të pandashme, në lidhje të përhershme njëra me tjetrën. Jezusi nuk i shpiku as njërën e as tjetrën, por dëftoi se ato janë, në fund të fundit, një urdhër i vetëm, e këtë nuk e bëri vetëm me fjalë, por sidomos, me dëshminë e tij.

Vetë Vetja e Jezusit dhe i gjithë misteri i Tij, mishërojnë unitetin e dashurisë së Zotit me atë të të afërmit tonë, si dy krahët e Kryqit, vertikal e horizontal. Në Eukaristi, Jezusi na e dhuron këtë dashuri të dyfishtë, duke na dhuruar Vetveten.  Si të krishterë jemi të ftuar ta shprehim besimin tonë në Zotin e vetëm e të vërtetë, përmes dëshmisë së qartë të dashurisë për të afërmin. 

                                                  Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi i parë Lp 6, 2-6

Kjo pjesë quhet “shemà” që do të thotë “dëgjo”: është një lutje që hebrenjtë e recitojnë edhe sot çdo ditë. Është dëshmia e besimit në një Zot të vetëm, është deklarata e dashurisë së popullit të Izraelit drejt Hyjit të tij të gjithëpushtetshëm dhe të paarritshëm, është premtimi i besimtarit për të zbatuar ligjin e Hyjit duke e dashur mbi gjithçka.

Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë
Moisiu iu drejtua popullit të Izraelit: “Druaje Zotin, Hyjin tënd, e zbatoj të gjitha urdhërimet e ligjet e tij që po t’i paraqes ty, bijve e nipave të tu gjatë gjithë jetës sate, që të jesh jetëgjatë. Dëgjo, o Izrael, mbaji e zbatoji që të jesh mirë e që gjithnjë të shtohesh në vendin që rrjedh qumësht e mjaltë siç ta ka premtuar Zoti, Hyji i etërve të tu. Dëgjo, Izrael! Zoti, Hyji është një Zot i vetëm! Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë fuqinë tënde! Këto urdhërime që po t’i jap sot unë, mbaji gjithmonë në zemrën tënde! Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin

Psalmi 18
Të dua, o Zot, fuqia ime
O Zot, Qeta ime, fuqia ime, 
Shpëtimtari im!
Ti je Mbrojtësi im, 
fuqia e shpëtimit tim, ndorja ime!

Në ndihmë do ta thërras 
Zotin tejet të lavdishëm,
dhe do të shpëtoj nga armiqtë e mi.
Më sulmuan në ditën më të keqen,
por Zotin e pata krah.

Ai më qiti në vend të shpëtimit,
më shpëtoi sepse më kishte për zemër.
Është Zoti!

Qoftë bekuar Qeta e strehimit tim!
Qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!
Zoti ia shumon fitoret mbretit të vet,
e përkrah të shuguruarin e vet.

Leximi i dytë Heb 7,23-28
Në kultin judaik ishte një numër i madh meshtarësh që i ofronin çdo ditë fli të panumërta Hyjit. Mendohej se duke shtuar flitë i jepej një kult më i mirë Hyjit. Kulti dhe morali mund të bëhen një alibi e rrezikshme. Thuhet: “Unë i bëra Hyjit flinë time, unë kreva detyrën time, për këtë jam i shpëtuar”. Por harrohet që shpëtimi vjen nga vuajtja dhe dashuria e Hyjit. Prandaj është Krishti flija jonë e vërtetë, meshtari ynë i vetëm; vetëm Ai na shpëton.

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
Vëllezër, izraelitët u bënë priftërinj në një numër të madh, sepse vdekja nuk i linte të qëndronin për gjithmonë. Kurse Ai, mbasi mbetet për gjithmonë, ka priftërinë që nuk kalon kurrë. Këndej edhe mund t’i shëlbojë plotësisht ata që nëpër Të i afrohen Hyjit – sepse gjithmonë jeton për të ndërmjetësuar për ta. Vërtet, një kryeprift i tillë edhe na lypej ta kishim: i shenjtë, i pafajshëm, i panjollë, i ndarë nga mëkatarët dhe më i madhërueshëm se qiejt – i cili s’ka nevojë, sikurse ata kryepriftërinjtë tjerë, të kushtojë si një ditë për ditë fli më parë për faje të veta dhe pastaj për faje të popullit. Këtë Ai e bëri njëherë e përgjithmonë kur e flijoi vetveten. Ligji në të vërtetë, vë për kryepriftërinj njerëz të nënshtruar dobësive, kurse fjala e betimit – që vjen mbas ligjit – vë Birin që u bë i përsosur për amshim. 
Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin

Aleluja. Aleluja.
Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, thotë Zoti.
Ati im do ta duajë, dhe tek ai do të vijmë. Aleluja.

Ungjilli Mk 12,28b-34
Mateu e Luka tregojnë që Jezusi duke folur për dy urdhërimet e dashurisë (drejt Hyjit dhe të afërmit) pohon se ato janë dy aspekte të një dashurie të vetme. Marku në Ungjillin e sotëm paraqet dashurinë si përmbajtje thelbësore të Besëlidhjes së re. E gjithë jeta, kur është e ndriçuar nga dashuria, kthehet në “kult”, pra vendi i besimit të vërtetë.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut
Në atë kohë, një nga shkribët që kishte dëgjuar rragatjen e tyre, duke parë se Jezusi u përgjigj mirë, iu afrua dhe e pyeti: “Cili urdhërim është i pari i të gjitha urdhërimeve?” Jezusi iu përgjigj: “I pari është: ‘Dëgjo, Izrael! Zoti Hyji ynë, është një Zot i vetëm. Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë mendjen tënde, e me gjithë fuqinë tënde!’ Urdhri i dytë është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ Tjetër urdhër më të madh se këta nuk ka.” 
Skribi iu përgjigj: “Mirë fort, Mësues! Përgjigje ashtu siç është e vërteta. Ai është i Vetmi, e pos tij s’ka tjetër. Të duash Atë me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë fuqi e të duash të afërmin tënd porsi vetveten, vlen më shumë se të gjitha flitë e shkrumbimit e theroret.” Jezusi, duke parë se u përgjigj me urti, i tha: “Nuk je larg prej Mbretërisë së Hyjit.” Dhe askush s’pati më guxim të hyjë me të në rragatje. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

03 nëntor 2018, 19:37