Ndjesa e Plotë e Shën Françeskut
R. SH. - Vatikan
Sot, në Kishën katolike:
Asizi: Kremtohet, sot e nesër, Solemniteti i Ndjesës pranë kapelëzës Porciunkola, në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve. Sivjet, në praninë e jashtëzakonshme të zhgunit të plagëve të Shën Piut nga Pietrelçina. Festa kremtohet sot e nesër edhe në të gjitha kishat françeskane e ato famullitare të botës. Rast i përshtatshëm për të fituar ndjesën e plotë, që na kujton se ndjesa, apo falja, është portë gjithnjë e hapur për pajtimin e vërtetë. Për Shën Françeskun, është dhuratë, që sjell paqen e zemrës. Papa e quan shtyllë të jetës së krishterë. Ndjesa, pra, është portë, shtyllë e udhë për t’u ndjekur, në se duam të arrijmë një ditë në Parriz.
U përkujtua sot 101-vjetori i Letrës drejtuar nga Benedikti XV popujve ndërluftues, më 1 gusht 1917. Ishte një thirrje prekëse për t’i dhënë fund Luftës I Botërore “e cila çdo ditë e më shumë merr pamjen e një kasaphane të kotë” - shkruante Papa, zëri i të cilit nuk u dëgjua, me pasojat, që i njohim të gjithë.
Romë: Pranë Bazilikës së Shën Marisë, në Rrugën Lata, nisi kremtimi i pesëmbëdhjetëditëshit kushtuar Zojës së Ngjitur në qiell. Kremtim marian, me tekste, lexime e këngë bizantine. Kremtimet do të përfundojnë në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, mbrëmjen e 14 gushtit, në orën 20.00, me mbrëmësoren tradicionale kushtuar Zojës së Ngjitur në Qiell, kryesuar nga kardinali-kryeprift, Stanislaw Rylko. Mbrëmësorja do të fillojë nën dritën e qirinjve, që do t’i prijnë procesionit, shoqëruar me këngën e Zojës e do të vijojë me lexime latine, gërshetuar me tropare ruse, për të përfunduar me Meshën e Natës së Festës. Kremtimin do ta shoqërojë kori i Motrave Shërbëtore të Marisë.
Venezuelë: Filloi sot e do të përfundojë më 5 gusht, Takimi IV kombëtar i të rinjve, organizuar nga baritoria rinore e Venezuelës. Tema: “Me guxim e shpresë, kumtojmë së bashku me Marinë, mrekullitë e Zotit”. Të pranishëm, më se 12 mijë të rinj e të reja.
Në qytezën italiane Porto San Giorgio, organizohet Festivali i katërt organistik ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e dy organisteve të famshme ruse: Ludmila Golub e Valeria Anfinogenova. Artistet do të luajnë me katër duar një program kushtuar plotësisht muzikës ruse origjinale për organo si dhe pjesë nga muzika e baleteve dhe operave të famshme ruse.