Bridge collapses on Genoa highway Bridge collapses on Genoa highway  

Shembet ura në Gjenova. Kisha në lutje për viktimat

“Po lutemi që të ketë sa më pak viktima, por gjë e vështirë, pasi zona është shumë e populluar”. Pohimi është i ipeshkvit ndihmës të Gjenovës, imzot Nicolò Anselmi, pas shembjes së urës Morandi në Gjenova.

R.SH. - Vatikan

Ditë dhimbjeje e ankthi, e sotmja, në Gjenova të Italisë. Shembet, në mesin e pallateve të banuara, ura Morandi, duke krijuar një skenar apokaliptik. Makina të shumta njëra mbi tjetrën, beton e hekur, që u shkërmoqën sikur të ishin kashtë e rërë, duke bërë të supozohej një bilanc jo i vogël viktimash. 22 të vdekur, por numri është i destinuar të rritet, ndërsa skuadrat e ndihmës së shpejtë punojnë për të nxjerrë njerëz nga rrënojat.

Hipotezat e rënies së urës

         Ura u shemb në mesditë. Hipotezat e para të shkaqeve të rënies, flasin, ndoshta, për fundosje strukture. Në çastin e tragjedisë, në zonë binte shi me rrëshekë. Sipas disa dëshmitarëve, ura është goditur nga rrufeja. E ndërtuar nga inxhinjeri Riccardo Morandi, e përuruar në vitin 1967, ura zgjatej për 1.182 metra e mbështetej mbi tri shtylla betonarme, që arrinin në 90 metra lartësi. Njëra prej tyre u shemb. Ndërsa autoritetet italiane bëjnë kontrollet e rastit, për t’u shënuar fakti se punimet për ristrukturimin e urës, nisur në vitin 2016, përfunduan vetëm pak kohë më parë.

Nesër, lutje në të gjitha kishat e Gjenovës

         Nesër, njofton kryeipeshkvi metropolit i Gjenovës, kardinali Angelo Bagnasco, “në të gjitha kishat e qytetit, edhe në përkim me festën liturgjike të Zojës së Madhe, meshtarët do t’i luten veçanërisht Shën Marisë Virgjër për viktimat. Nuk përjashtohet një funeral publik për to, në katedralen e Shën Lorencit, por më parë duhet verifikuar identiteti dhe prejardhja e tyre e, natyrisht, duhen pyetur familjarët. Kisha është sigurisht e hapur për të gjithë ata”.

14 gusht 2018, 14:39