Gesù inivia i discepoli Andate per le strade Gesù inivia i discepoli Andate per le strade 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 15-të gjatë vitit ‘B’

Si Jahvehu e thërret Amosin në misionin e profetit duke e shkëputur nga puna e tij si bujk dhe kultivues fushash, kështu Jezusi i thërret apostujt dhe i dërgon në misionin e kumtimit të Lajmit të Mirë të shëlbimit.

R. SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës hyjnore të dielës së 15 gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit kishtar.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 15-të gjatë vitit ‘B’

Çdo herë që Zoti të thërret, të vë për udhë. Kështu bëri me Abrahamin nga Uri i Kaldeasve (ngrihu e shko); me popullin në Egjipt (do të çojë jashtë, në shkretëtirë ...); me Jonën profet (ngrihu e shko në Ninive); me Izraelin tashmë të vendosur në siguri në tokën e premtuar. Hyji vjen për të rrëmbyer nga jeta e lodhur, nga jeta e ulur; për të vënë mendime të reja në lëvizje, për të ndihmuar të zbulosh horizonte të panjohura. Hyji të vë për udhë. E të ecësh është një akt lirie dhe krijimi, një akt shprese dhe njohjeje: të ecësh do të thotë të zbulosh veten, të njohësh veten duke njohur botën, një udhëtim drejt një bote tjetër të mundshme. Dishepujt nisen në mision dy nga dy. Dhe jo një nga një. Shpallja e tyre e parë nuk transmetohet me fjalë, por me elokuencën e ecjes së bashku, për të njëjtin qëllim dhe drejt të njëjtit cak.

I refuzuar për bindjet e tij, Jezusi nuk heq dorë nga predikimi i Mbretërisë së Qiellit; zgjedh një grup për ta shoqëruar më afër në misionin e tij: u jep autoritetin dhe fjalën e tij. Liria, nga gjërat dhe njerëzit, duhet të jetë forca e tyre: nuk duhet të sjellin me vete asgjë për nevojat e jetës së përditshme, sepse duhet të varen nga ata njerëz që marrin mesazhin e tyre; ata që nuk i pranojnë ose nuk i dëgjojnë, do të jenë përgjegjës për qëndrimin e tyre, sepse kështu e humbin rastin dhe mundësinë për t'iu afruar Mbretërisë së Zotit, të lirë prej djallit e prej sëmundjeve.

Prandaj, Ungjilli i kësaj së diele na tregon se si Jezusi i dërgoi Apostujt e tij të ungjillëzojnë, dy nga dy. Për t’ua kumtuar të gjithë njerëzve, mesazhin e Tij dhe shpëtimin e Tij Hyjnor, Jezusi ka nevojë për duart, buzët dhe zemrën tonë. Jezusi donte ta përhapte mbretërinë e Tij anembanë botës. Ne do t'ia kishim rekomanduar a propozuar si Apostuj njerëzit më inteligjentët, më të devotshmit, më fetarët, burrat më të mirë të kohës së tij. Ne do t'i kishim thënë t'i dërgonte Apostujt e tij të ardhshëm në Universitetin e Jerusalemit, të Athinës.
Edhe djalli gjatë tundimeve i pati këshilluar e propozuar Jezusit: fuqi, lavdi, pasuri. Përkundrazi, Jezusi zgjodhi 12 burra të zakonshëm, dymbëdhjetë peshkatarë, dhe ata i dërgoi për të predikuar mbretërinë e Qiellit.

Thënë me pak fjalë, fragmenti i Ungjillit të kësaj së diele nënvzion taktikën hyjnore lidhur me planin e shëlbimit kozmik: domethënë, shpëtimin e njerëzve nëpërmjet njerëzve.
Duke dërguar apostujt e tij në botë, Jezusi këmbëngul në tre elemente kryesore: shembullin e zbatimit të shkëputjes nga pasuria, që është varfëria, predikimin e konvertimit, pushtetin mbi të keqin e të këqijat dhe virtytin kurues për të mos harruar se jemi lajmëtarë të shpëtimit.

Njëra prej "Lumnive ungjillore" është shkëputja nga pasuria. Do të gabonte ai që mendon se Jezusi e donte ndarjen nga pasuritë dhe nga rahatitë e botës vetëm për disa njerëz të zgjedhur, vetëm për priftërinjtë, për shembull: ftesa për të dhënë një shembull të heqjes dorë nga pasuria e ekzagjeruar, nga paratë e nga abuzimi i tokës dhe i të mirave materiale është një ftesë për të gjithë, madje edhe për të krishterët e thjeshtë. Sigurisht që nuk është një përpjekje e vogël për të refuzuar tundimin e përditshëm të fitimit, të pasurive, të cilat gjithmonë i verbojnë shpirtrat tanë të varfër. Edhe Apostujt mendonin: "Ne do të bëhemi të pasur, do të vishemi mirë".  Po Jezusi përkundrazi u thoshte: «Mos merrni asgjë për udhëtimin, as veshje, e as çanta, falas keni marrë, falas jepni».

Prandaj kumtuesit, predikatarët, lajmëtarët, misionarët e shpëtimit dhe të dashurisë së Jezusit duhet të jenë si Mësuesi i tyre Hyjnor: të varfër, të thjeshtë, të lirë, të respektueshëm, të mëshirshëm, të dobishëm, të përndjekur, gjithmonë në shërbim të tjerëve e për të mirën e të gjithëve.

                               Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi I Am 7, 12-15
Profeti Amos denoncon hipokrizinë e priftërinjve që qëndrojnë në shenjtore dhe mendjemadhësinë e të fuqishmëve, të cilët kërkojnë në çdo mënyrë që ta largojnë nga vendet e tyre. Amosi u përgjigjet atyre duke thënë që Hyji e ka detyruar të largohet nga një zanat i qetë dhe nga një mjedis i rehatshëm për tu bërë profet. Kështu profeti zbulon që fjala e Hyjit është sovrane dhe e lirë.

Lexim prej Librit të Amosit profet
Në ato ditë, prifti i Betelit Amasia i tha Amosit: “Shporru, o vegimtar! Ik në dheun e Judesë. Atje ha bukë e atje profetizo! Sa për në Betel mos guxo më të profetizosh, sepse kjo është shenjtërorja e mbretit e tempulli i mbretërisë!” Atëherë Amosi i përgjigji Amasisë: “Nuk jam profet as s’jam bir profeti, por jam bari e vjelës fiqsh. Por vetë Zoti më mori prej pas dhenve e më tha Zotynë: ‘Shko e profetizoi popullit tim, Izraelit!’ Tash dëgjoje fjalën e Zotit: Ti po thua: ‘Mos profetizo kundër Izraelit e mos prediko kundër shtëpisë së Izakut!’ Po për këtë arsye kështu thotë Zoti: ‘Gruaja jote do të bëhet lavire në qytet, prej shpatës do të bien bijtë e bijat e tua, toka jote me konop do të ndahet, kurse ti do të vdesësh në vend të papastër dhe Izraeli do të shkojë nga vendi i vet në skllavëri’.” Fjala e Zotit.Falënderojmë Hyjin

Psalmi 85
Tregoje, o Zot, fytyrën e dashurisë sate

Do të dëgjoj çka thotë Zoti Hyj,
ai premton paqe për popullin e vet,
për të dashurit e vet e për ata që me gjithë zemër ktehen. 
Shpëtimi i tij është afër atyre që e druajnë,
lavdia e tij do të banojë në vendin tonë.

Mëshira dhe e vërteta do të përpiqen,
drejtësia e paqja do të merren ngrykë.
E vërteta do të mbijë nga toka
e drejtësia do të shikojë prej qiellit.

Sepse Zoti ka për të dhënë çdo të mirë
edhe toka jonë do ta japë frytin e vet.
Drejtësia do t’i shkojë përpara
dhe do t’u tregojë udhën hapave të tij.

Leximi II Ef 1,3-14)
Hyji ka një plan për universin dhe historinë e njerëzve. Ka krijuar botën për ne, dhe historia jonë ecën drejt plotësisë së Krishtit. Jezu Krishti është Ai që ka vdekur për tu ringjallur. Edhe ne jemi të thirrur për të marrë pjesë në këtë plan vdekjeje dhe ringjalljeje.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror në qiell në Krishtin. Në të na zgjodhi para krijimit të botës që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri. Ai na parashënoi për vete të jemi bij në shpirt në saje të Jezu Krishtit me pëlqimin e vullnetit të vet për nder të lavdisë së hirit të tij me të cilin na pajisi me anë të Birit të vet të dashur. Në Të, në saje të gjakut të tij, e fituam shpërblimin; në Të na u falën fajet me anë të begatisë së hirit të tij, të cilin Hyji e ndikoi në ne bashkë me çdo urti e kuptim. Ai na vuri në dijeni mbi misterin e vullnetit të vet – synim që lirisht kishte vendosur qysh më parë ta kryente në Të – kur të plotësohej koha: domethënë të vërë çdo gjë nën kryesinë e Krishtit, të gjithë qeniet që janë në qiell e në tokë. Në të edhe ne u bëmë trashëgimtarë – të paracaktuar me vendim të Atij që vepron gjithçka sipas pëlqimit të vullnetit të vet – të jemi në nder të lavdisë së tij – ne qëqysh më parë e vuam shpresën në Krishtin. Po në Të edhe ju që e dëgjuat fjalën e së vërtetës – Ungjillin e shëlbimit tuaj – mbasi besuat në Të, u vulosët me Shpirtin Shenjt – të Premtuarin – që është pengu i trashëgimit tonë: për shpërblimin e plotë të atyre që u bënë pronë e Hyjit – në nder të lavdisë së tij.  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin

Aleluja. Aleluja.
Pranojeni fjalën e Zotit jo si fjalë njerëzish, 
por ashtu si në të vërtetë është fjala e Hyjit.
Aleluja.

Ungjilli Mk 6, 7-13

Krishti i ngarkon apostujt me detyrën për të bashkuar popullin e të shpëtuarve. Ata përshkojnë rrugët e njerëzve me zjarrin e besimit duke zotëruar si mjet shparndarjeje vetëm fjalën e Hyjit. Fjala e pranuar dhe e shpërndarë nga apostujt bëhet farë shprese dhe shpëtimi për botën mbarë. 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi i thirri të dymbëdhjetët e nisi t’i dërgoi dy nga dy dhe u dha pushtet mbi shpirtrat e ndytë. U urdhëroi të mos marrin në udhëtim asgjë tjetër, përveç shkopit: as bukë, as strajcë, as para bakri në brez, por të mbathnin vetëm sandalet e të mos veshin dy palë petka. Dhe u thoshte: “Kudo që të hyni në ndonjë shtëpi, rrini aty derisa të mos largoheni nga ai vend. Po qe se ndokund nuk ju pranojnë dhe nuk ju dëgjojnë, dilni dhe shkundni pluhurin nga këmbët tuaja si dëshmi kundër tyre.” Ata shkuan dhe u predikuan njerëzve kthimin kah Hyji. Dëbonin shumë djaj, lyenin me vaj shumë të sëmurë dhe i shëronin.  Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

13 korrik 2018, 18:50