2015.02.18 imposizione ceneri santa sabina 2015.02.18 imposizione ceneri santa sabina 

Fretërit Kapuçinë fillojnë Kapitullin e Përgjithshëm më 27 gushti në Romë

Më 27 gusht, do të fillojë në Romë, Kapitulli i 85-të i Përgjithshëm i Urdhrit të Fretërve minorë Kapuçinë. Takimet e Kapitullit do të zhvillohen, deri më 16 shtator, në Kolegjin Ndërkombëtar të Shën Lorencit nga Brindisi. Kapuçinët janë të pranishëm në mbarë botën, e pas rënies së diktaturës, kanë shkuar edhe në Shqipëri në Nenshat.

R. SH. - Vatikan

Më 27 gusht, do të fillojë në Romë, Kapitulli i 85-të i Përgjithshëm i Urdhrit të Fretërve minorë Kapuçinë. Takimet e Kapitullit do të zhvillohen, deri më 16 shtator, në Kolegjin Ndërkombëtar të Shën Lorencit nga Brindisi. Gjatë kapitullit, do të ketë momente të ndryshme lutjeje, meditimi, studimi dhe diskutimi rreth argumenteve të ndryshme që kanë të bëjnë me jetën dhe misionin e Etërëve Kapuçinë në realitetin bashkëkohor. Kapitulli do të fillojë me prezantimin dhe studimin e raportit të Ministrit të Përgjithshëm – Eprorit të Përgjithshëm.

Do të pasojë Zgjedhja e Eprorit të Ri (Ministrit të ri) të Përgjithshëm të Urdhrit të Etërve Kapuçinë dhe të Këshillit të Përgjithshëm të këtij urdhri rregulltar. Pastaj, do të diskutohen disa argumente të veçanta, ndër të cilat "Ratio Formationis Ordinis" dhe disa çështje juridike kanonike.

"Të gjithë fretërit e Rendit të Kapuçinëve mund t’ia dërgojnë  Kapitullit argumentet që duhen trajtuar. Vendimi përfundimtar mbi përzgjedhjen e argumenteve që pastaj do të trajtohen i takon vetë kapitullit të Përgjithshëm të Kapuçinëve", njofton, në ftesën për këtë Kapitull, Eprori aktual i Përgjithshëm, atë Mauro Johri.  Po kujtojmë se Etërit Kapuçinë janë të pranishëm në mbarë botën, e pas rënies së diktaturës, kanë shkuar edhe në Shqipëri në Nenshat, Hajmel dhe Dheu-Lehte.

Papa me Kapuçinët; falja është përkëdhelje e Zotit

Jini njerëz, që dinë të falin, të pajtojnë, të sjellin paqen. Kështu pati pohuar, me forcë, Papa Françesku më 9 shkurt 2016, në Bazilikën e Vatikanit, në Meshën me Kapuçinët e mbarë botës, ardhur me rastin e zhvendosjes së relikeve të dy shenjtorëve të Urdhërit Françeskan: Atë Piut e Atë Leopoldit Mandiç. Ati i Shenjtë Françesku nënvizoi: “Kur ndokush harron se ka nevojë për falje, dalngadalë harron edhe Zotin e, natyrisht, nuk di më as të falë”.

Në një Bazilikë të zhytur në lutje të thellë e në meditim frymëzues, Papa e përqendroi homelinë tek falja. Duke e marrë shtytjen nga Liturgjia e sotme, foli për dy mënyra sjelljeje; atë të përuljes para madhështisë së Zotit, që pasqyrohet në përvujtërinë e mbretit Salomon, e atë të meskinitetit të doktorëve të ligjit, që përkulen thjesht para normave e rregullave:

“Tradita juaj, e Kapuçinëve, është traditë e faljes, që jep falje. Ndërmjet jush ka shumë rrëfyes të mirë; janë kështu, sepse e ndjejnë veten mëkatarë”.

Kur ndokush harron se ka nevojë për falje, vërejti Papa, dalngadalë nis ta harrojë edhe Zotin, harron të lypë falje e nuk di më as të falë. I përvuajturi, nënvizoi, ai që ndjehet mëkatar, është falës i madh në rrëfyestore, ndërsa të tjerët u ngjajnë doktorëve të ligjit, që e ndjejnë veten krejtësisht të pastër, e, prej këndej, dinë vetëm të dënojnë:

“Po ju flas si vëlla, e përmes jush, dëshiroj t’u flas të gjithë rrëfyesve, në këtë Vit të Mëshirës posaçërisht: rrëfyestorja është bërë për të falur. E nëse ti, ta zëmë, nuk mund të japësh zgjidhjen, të lutem, mos përdor dajakun. Ai që vjen, vjen të lypë ngushëllimin, faljen, paqen e shpirtit; vjen të gjejë një atë, që e përqafon e i thotë: ‘Zoti të do!’”.

Të jeni burra të faljes, të pajtimit, të paqes, i ftoi kapuçinët Papa Françesku, për të kujtuar, më pas, se sa herë meshtarët dëgjojnë fjalët: “Nuk shkoj kurrë më në rrëfyestore, sepse një herë më bënë këto pyetje…”. Më pas foli për takimin me një rrëfyes të madh, të aftë për të dalluar fjalët e gjestet, që kërkojnë falje. E ai e kupton thellësisht se kur njeriu gjunjëzohet në rrëfyestore, e bën këtë sepse ka një barrë në zemër e dëshiron ta shkarkojë, të lirohet prej saj. Ndoshta nuk di si ta shprehë, nuk di si ta thotë,  e atëherë e thotë me gjestin e afrimit tek rrëfyesi. Prej këndej, duhet kuptuar, pa pasur nevojë të bëhen pyetje:

“Falja është farë, është ledhatim i Zotit! Kini besim në faljen e Zotit. Mos bini në pelagjianizëm, e? Ti duhet të bësh këtë e këtë e këtë…”.

Papa kujtoi, pastaj, se rrëfyesit mund të jenë ose falës të mëdhenj, ose dënues të mëdhenj:

“O bën detyrën e Jezusit, që fal, duke dhuruar jetë, e lutesh orë e orë i ulur aty, si këta të dy, aty, ose bën detyrën e djallit, që dënon, akuzon”…

Këto, fjalët e porositë e Papës Françeskut lënë kapuçinëve, në praninë e dy rrëfyesve të mëdhenj, që dinë të flasin e sidomos, të falin, edhe pas vdekjes, gjë që e dëshmon qartë dyndja e mijëra njerëzve, ndërmjet të cilëve, e kapuçinëve, për t’u gjunjëzuar pranë relikeve të tyre e për t’u pëshpëritur, në uratë, shqetësimet më të heshtura të zemrës njerëzore, me lutjen që t’i paraqesin para fronit të Zotit 

23 korrik 2018, 13:04