Egjipt: vritet ipeshkvi kopto-ortodoks: vdekje misterioze
R. SH. - Vatikan
Të rrethuara me paqartësi e dyshime, rrethanat e vrasjes së ipeshkvit kopto- ortodoks Epiphanius, abat i manastirit të Shën Makarios së Madh (Dayr Abū Maqār), që u gjend pa jetë brenda manastirit, dje në agim. Në kokën e rregulltarit - sipas burimeve të policisë - një plagë e thellë, e shkaktuar nga goditja me një trup të fortë. Autoritetet kërkojnë të heshtet, derisa të kryhet autopsia, për të sqaruar me fund shkaqet e vdekjes. Ndërkaq Kisha kopte njoftoi se nesër do të kremtohet Mesha e Dritës, pranë manastirit, i cili që dje ka mbetur i mbyllur.
Kush ishte Epiphanius
64 vjeç, i lindur në Tanta, i diplomuar në mjekësi, Anba Epiphanius hyri në Manastirin e Shën Makarios, në rajonin e Wadi Natrun, më 1984. U shugurua meshtar më 2002. Shkencëtar i njohur - kujton Agjencia Fides - pati punuar edhe për përkthimin nga greqishtja, në arabisht, të disa teksteve të Biblës. Duke marrë pjesë edhe në Konferencën X ndërkombëtare mbi studimet kopte, mbajtur në Romë, më 2012. Të 100 murgjërit e Manastirit të Shën Makarios e patën zgjedhur me shumicë votash si abatin e tyre, më 3 shkurt 2013. Dishepull i Matta el Meskin – atë shpirtëror e figurë kyçe e historisë së re të Kishës kopto-ortodokse - Anba Epiphanius jetonte në lidhje të ngushta shpirtërore me miqtë dhe bashkësitë murgare të Kishës katolike.
Edhe patriku kopto-ortodoks Tawadros II dërgoi delegatët e tij pranë manastirit, për të marrë njoftime të drejtpërdrejta lidhur me kërkimet për ngjarjen tragjike.