Abdelsalam: qendror, roli i feve, në betejën kundër ndryshimeve klimatike
R.SH. - Vatikan
Për të arritur objektivin e "veprimit global në favor të klimës", nga njëra anë, duhet vënë në dukje "ndikimi i dëmshëm i ndryshimeve klimatike", nga ana tjetër, "roli që mund të luajnë liderët fetarë në mobilizimin e bashkësive të tyre". Kjo është bindja e gjykatësit Mohamed Abdelsalam, sekretar i përgjithshëm i Këshillit mysliman të Pleqve, intervistuar nga Radio Vatikani/Vatican News, gjatë Global Faith Summit, më 6 e 7 nëntor në Abu Dabi, në përgatitje të konferencës mbi klimën COP28, që do të mbahet në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, nga 30 nëntor deri më 12 dhjetor.
Kontributi i feve në aksionin për klimën
Samiti Global i Krerëve të Feve në favor të një aksioni të përbashkët për klimën mblodhi në kryeqytetin e Emirateve figura të rëndësishme fetare nga e gjithë bota, shpjegon Abdelsalam, "për t'i treguar botës vizionin dhe kontributin e besimeve të ndryshme dhe të liderëve fetarë në trajtimin e ndryshimeve klimatike". Bindja se kriza e ndryshimeve klimatike është një nga "më të rrezikshmet e kohës sonë moderne", i bashkoi liderët fetarë me jobesimtarët dhe me përfaqësuesit e vendeve më të prekura nga pasojat.
Roli i krerëve fetarë
"Krerët fetarë në mbarë botën luajnë një rol shumë të rëndësishëm në drejtimin e veprimit global për klimën", shton gjykatësi, duke nënvizuar nevojën për “një aksion kolektiv, një qëndrim të vetëm dhe për solidaritet ndërmjet të gjitha bashkësive, sidomos ndërmjet liderëve fetarë” për t’i bërë ballë këtij kërcënimi për njerëzimin. Pikërisht përfaqësuesit e feve, sipas Abdelsalam, duhet të luajnë një rol pozitiv, “duke pasur parasysh interesin e bashkësive njerëzore në mbarë botën, sepse vetëm duke i dhënë atij përparësi, mund të arrihen objektiva më të mira në luftën kundër ndryshimeve klimatike”. Të gjitha fetë, vëren më tej sekretari i përgjithshëm i Komitetit të Lartë për Vëllazërimin Njerëzor, "kanë kërkuar kujdes për ambientin dhe tokën", sepse të gjitha kanë të njëjtin “koncept për administrimin e shtëpisë sonë të përbashkët". Detyra etike e fetare e krerëve të feve i bën ata të marrin përsipër përgjegjësinë për të "udhëhequr komunitetet, për të ndërmarrë nisma, për t'u treguar atyre me shembuj se nevojitet unitet kundër këtij kërcënimi global, që t’u lihet një trashëgimi e vlefshme brezave të ardhshëm".
Papa dhe Imami i Madh Al-Tajeb
Gjykatësi Abdelsalam vë më pas në dukje se Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azharit, Ahmed Al-Tayyeb, janë "shembull frymëzues dhe model referimi për shumë udhëheqës fetarë në mbarë botën" e, jo vetëm përmes dialogut ndërfetar, por edhe përmes krijimit të "një partneriteti të vërtetë ndërmjet bashkësive të tyre të fesë". Të dy kanë frymëzuar liderë dhe figura fetare në mbarë botën, duke i nxitur të bashkohen me ta në këtë udhë miqësie, ndërtimi dhe pune të përbashkët, përkrah njëri-tjetrit, "për të zgjidhur sfidat me të cilat përballet mbarë njerëzimi”. Ashtu si Dokumenti për Vëllazërimin Njerëzor dhe nisma të tjera, Samiti Global i Feve është rezultat i "impenjimit të përbashkët" të tyre. Të dy e mbështetën këtë nismë, vazhdon Abdelsalam, "që ajo të bëhet platformë ndërkombëtare për t’i bashkuar të gjithë liderët e feve botërore dhe tradicionale, për të reflektuar së bashku, për të shkëmbyer këndvështrimet dhe për t’u dërguar një mesazh krerëve politikë, të cilët do të mblidhen në COP28". "Kjo rrugë e përshkuar nga Papa dhe Imami i Madh është bërë shembull në nivel global", megjithëse, sipas gjykatësit, nuk është ndjekur si duhet nga bashkësia shkencore botërore. "Ky fenomen - kërkon ai - duhet të studiohet për t’u përsëritur, sepse ndihmon në shpëtimin e gjithë njerëzimit”.
Papa në COP28, ngjarje e jashtëzakonshme
Abdelsalam e konsideron pjesëmarrjen e Françeskut në Dubai si "të jashtëzakonshme dhe të paprecedentë në historinë e takimeve COP", si “kulm të luftës së Papës kundër ndryshimeve klimatike". Është gjithashtu, tregues i mbështetjes së Papës për rezultatet e COP28 dhe i shpresës së tij "që ky edicion të jetë i ndryshëm nga konferencat e mëparshme për ndryshimet klimatike”, sidomos për hapat, që duhen ndërmarrë në përballimin e pasojave të tyre. Prania e Papës në Dubai, nga 1 deri më 3 dhjetor, për të marrë pjesë në COP28, përfundon gjykatësi Abdelsalam, dëshmon "bindjen e tij për urgjencën e kësaj krize" dhe nevojën për "rezultate të prekshme në konferencën e ardhshme".