Më 3 nëntor kalendari kujton Shën Martinin de Porres, domenikan
R.SH. - Vatikan
Shën Martini de Porres, rregulltar domenikan i Perusë, kishte dëshirë të madhe t’i përkushtohej krejtësisht Zotit e të afërmit, e kështu veshi zhgunin e Etërve Domenikanëve pranë Kuvendit të Rruzares Shenjte në Lima. Duke e konsideruar veten të padenjë për një dhuratë kaq të madhe, jetoi me përvujtëri e thjeshtësi jetën rregulltare duke iu kushtuar lutjes e duke u vënë në shërbim të nevojtarëve, posaçërisht të të sëmurëve, të gjitha aftësitë e tija që kishte si njeri e si infermier.
Martini edhe pse i varfër, i nëpërkëmbur, punoi në mjekimin e plagëve trupore të të varfërve dhe në shërbimin e atyre morale e kështu dha një ndihmës të madhe në luftimin e mjerimit moral e material që kishte qyteti i Limës. Ai u kujdes edhe për edukimin e fëmijëve duke ndërtuar për ta shkolla e kolegje. Bir natyror i një kalorësi spanjoll dhe i një skllaveje zezake, Martini i Porres do të bëhej këshilltar i zëvendës-mbretit të Spanjës, të cilin e linte të priste mbrapa portës, në se ishte duke mjekuar ndonjë të varfër. Ky është, i pikturuar me dy penelata, portreti i shenjtit-simbol të Amerikës Jugore, i cili diti të kapërcejë kufizimet e epokës e të jepte mësimin e çmuar se të gjithë njerëzit janë vëllezër e se ngjyrat e ndryshme të lëkurës ose ndryshimet e etnisë, janë pasuri e madhe e jo shprehje papërsosurie.
I lindur nga Anna Velasquez më 1579 në Shën Sebastian të Limës, në Perů, Martini, hyri në Urdhrin e Domenikanëve, të cilët kishin themeluar në Limë kuvendin e parë peruvian.
Në fillim pranohet si terciar e kryen detyra shumë të përvujta, por më pas dominikanët ia njohin vlerat. Ai ishte mistik, i pajisur me karizma të jashtëzakonshme si dijen, mistiken, profecitë, aftësinë për të komunikuar me të varfër e të gjitha shtresat shoqërore e madje edhe me kafshët (të cilat instinktivisht i drejtoheshin atij për t'u mjekuar plagët e sëmundjet).
Ndonëse nuk u largua kurrë nga Lima, u pa në Afrikë, në Japoni e në Kinë, ku ngushëlloi misionarët që kalonin kohë të vështira. Vdiq nga tifoja më 3 nëntor 1639 në moshën gjashtëdhjetë vjeçare. I shpallur shenjt nga Gjoni XXIII, sot njihet si pajtor i berberëve e i parrukierëve.