Shenjtorët e javës më 24 shtator – 1 tetor
R.SH. / Vatikan
E diel 24 shtator, Kisha katolike romake kremton të Dielën e 25-të gjatë vitit kishtar, ciklit tlë parë 'A', e gjithnjë më 24 shtator, kalendari kujton të Lumen Mari Virgjër nga Merçede, shën Anatalin.
Në Ungjillin e kësaj së diele nga Mateu, na tregon njërën prej shëmbëlltyrave më të sakta mbi marrëdhëniet ndërmjet Zotit e çdonjërit prej nesh. Është shëmbëlltyra që na flet për pronarin e një vreshte që kërkon punëtorë për vreshtën e tij. Ky fragment na mëson se dashuria e Zotit është absolute, falas, e lirë e nuk mund të llogaritet, nuk mund të parashikohet, as të matet, ajo e mëshirshme dhe e pakufishme.
Të hënën më 25 shtator, kalendari kishtar përkujton shën Kleofën, shën Firminin, ipeshkëv i Amiensit e martir.
Të martën më 26 shtator, kalendari përkujton shenjtorët Kozmain e Damjani, martirë dhe shën Nilin, abat, themelues i manastirit të Grottaferratës, afër Romës. Këtu e në manastire tjera të Etërve Bazilianë jetojnë e veprojnë murgjit e shën Bazilit, të ritit bizantin. Ndër këta murgjër të shën Bazilit, ka edhe shumë arbëreshë.
Të mërkurën më 27 shtator, kalendari kishtar përkujton shën Vincenc de' Paolin, meshtar, themelues i Kongregatës së Misioneve e të Bijave të Dashurisë, pajtor qiellor i të gjitha Shoqatave të Bamirësisë.
Më enjten më 28 shtator, kalendari kishtar përkujton Shën Vençeslaun, pajtor qiellor të kombit çek, të cilit i la një trashëgiminë të çmueshme shpirtërore.
Më premten më 29 shtator, kalendari kishtar përkujton tre Kryeengjëjt: Mikelin (ai që ndihmon), Gabrielin (ai që mbron) e Rafaelin (ai që shëron) për të cilët flitet qartë në Shkrimin Shenjt, ku shënohen edhe detyrat që kryejnë: Kryeengjëlli Mikel është kryetari i aradheve qiellore; Gabrieli është lajmëtar e Rafaeli, prijës i shtegtarëve.
Më shtunën më 30 shtator, kalendari kishtar përkujton Shën Jeronimin, meshtar e doktor i Kishës. Një nga figurat më të shquara të Kishës katolike gjatë shekujve të parë mbas ediktit kostandinian, Shën Jeronimi qe polemist i mprehtë, skripturist i thellë dhe punëtor i palodhshëm. Në liturgjinë e ditës, Jezusi na mëson si duhet të përdorim pasurinë materiale. Kush është rob i pasurisë nuk mund të jetë besnik ndaj detyrave të veta të krishtera. Të mirat dhe pasuritë duhet të dimë t’i përdorim me urti, bujari, liri e shkëputje.
Të dielën e ardhshme më 1 tetor, Kisha katolike romake do të kremtojë të Dielën e 26-të gjatë vitit kishtar, ciklit 'A', e gjithnjë më 1 tetor, kalendari përkujton edhe shën Terezën e Krishtit Fëmijë, rregulltare e klauzurës nga Lisië, Doktore e Kishës dhe Pajtore qiellore e misioneve. Vinte te këmbët e Kryqit vuajtjet e saj, si flije shpërblimi për shpirtrat e mëkatarëve. Është shenjta e dialogut dhe e buzëqeshjes. Duke vdekur, la pas vetes, gjithmonë të gjallë, mesazhin e madh "të rrugës së vogël" përmes së cilës mund të arrihet deri te Krishti.