2020.01.21  Congresso pastorale anziani 2020 laici, famiglia e vita 2020.01.21 Congresso pastorale anziani 2020 laici, famiglia e vita

Në Itali, edhe Dhoma e Deputetëve miraton “Ddl Anziani”

Në Itali miratohet përfundimisht masa, që e delegon qeverinë lidhur me politikat për të moshuarit mbi 65 vjeç. Objektivi: “T’u garantohen të gjitha mjekimet e nevojshme në shtëpitë e tyre, duke i integruar në indin shoqëror! Synimi: “Shpëtimi i jetës së të moshuarve”

R.SH. / Vatikan

“Ne të moshuarit shpesh e ndjemë fort nevojën për kujdes, për reflektim, për dashuri. Jemi, ose mund të bëhemi, mjeshtra të butësisë. Kemi nevojë, në këtë botë të mësuar me luftën, për një revolucion të vërtetë butësie! ", kështu pati shkurar Papa Françesku, në një tweet, me rastin e Dits Ndërkombëtare të të Moshuarve, më 1 tetor 2022, duke shprehur edhe një herë shqetësimin për këtë kategori burrash dhe grash, që gjithnjë më shpesh janë viktima të kulturës së flakjes e të harresës.

Një politikë në favor të të moshuarve! Njerëzve që, si kanë punuar gjithë jetën e si u kanë shteruar fuqitë fizike deri në pikën e fundit, nuk janë më në gjendje të bredhin nga mjeku në mjek, nga farmacia në farmaci e nga spitali në spital, kur vitet e gjata të jetës, në shërbim të vendit e të familjes, i kanë shteruar plotësisht forcat e tyre. Deri në atë masë, sa nuk munden as të vdesin, por vetëm të vuajnë.

13 milionë italianë të moshuar, që nuk janë në gjendje t’i bëjnë asnjë shërbim vetes,  do të mund të mjekohen në shtëpitë e tyre, në mënyrë që të mos ndjehen të përjashtuar nga shoqëria, a edhe më keq, të varrosur për së gjalli!

Quhet arritje historike ky vendim - shkruhet në shtypin italian – e kështu edhe është. Ndaj jehona e lajmit ugurmirë nuk mund të mos i kapërcejë kufijtë e Italisë e të arrijë atje, ku pleqtë jetojnë në kushte të rënda ekonomike, me pensione që nuk u mjaftojnë as për bukën tonë të përditshme, pa kurrfarë kujdesi a mjekimi,  pa mundur as të ëndërrojnë t’u shërbejë kush, për shkak të pensioneve të mjera, me të cilat lëngojnë, nuk jetojnë! E ky mjerim, pas viteve të pafund, shkrirë në shërbim  të vendit. Për t’u lakmuar, një ligj i tillë, kudo që pleqtë, me pensione të pamjaftueshme e me sëmundje më se të mjaftueshme, rënkojnë pa mundur të lozin nga krevati i sëmundjes, ku rrezikohen të vdesin për shkak të një liste të gjatë mungesash!

Ligji italian na kujton se pleqtë janë kudo njëlloj, e njëlloj do të duhej edhe të trajtoheshin, kudo në botë. Të kujdeseshin, në çastet dramatike të fundit të jetës. Ia ka borxh vendi, për të cilin shkrinë gjithë vitet e papërsëritshme të rinisë!  Thua do të ndodhë ndonjëherë një mrekulli e tillë edhe në trojet shqiptare! Ku me pensionin e një muaji mund të blesh në farmaci vetëm ilaçin që të duhet për një muaj!

22 mars 2023, 15:40