Udhëheqësit e G7 të bashkuar në mbështetje të Ukrainës

Nga samiti në Kështjellën Elmau, në Alpet bavareze, liderët e vendeve të G7 riafirmojnë kohezionin në mbështetje të Ukrainës dhe për t’i kundërshtuar efektet globale të konfliktit. “Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar në G7 dhe në NATO. Putin beson se dikush mund të tërhiqet a shkёputet. Por kjo nuk ka ndodhur fare dhe nuk do të ndodhë”, tha presidenti amerikan Joe Biden. Në samitin e Elmaut, video fjalimi i Presidentit Zelensky.

R.SH. - Vatikan

Nga samiti në Kështjellën Elmau, në Alpet bavareze, në Gjermani, liderët e vendeve të G7 riafirmojnë kohezionin në mbështetje të Ukrainës dhe për t’i kundërshtuar efektet globale të konfliktit. “Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar në G7 dhe në NATO. Putin beson se dikush mund të tërhiqet a të shkёputet. Por kjo nuk ka ndodhur fare dhe nuk do të ndodhë”, tha presidenti amerikan Joe Biden në hapjen e takimit që vazhdon edhe sot me shumë çështje që janё nё program. Një njoftim i parë konkret nga Elmau ёshtё ai i ndarjes së 600 miliardë dollarëve, qё tani e der deri në vitin 2027, për investime në infrastrukturat në mbarë botën.

Është fjala pёr një partneritet global infrastrukturor, tё udhëhequr nga SHBA që synon të shërbejë si një alternativë ndaj Rrugës së Re të Mëndafshit të Kinës. Në punimet e samitit edhe çështja e “price capta”, për të frenuar rritjen e çmimit të karburanteve të shkaktuar nga inflacioni. Gjithsesi, në samit nuk parashikohen konkluzione për këtë çështje, ndërsa sot në program është fjala, me video-lidhje, e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Të pranishëm sot në samit ishin edhe liderët e Afrikës së Jugut, Senegalit, Indisë, Indonezisë dhe Argjentinës, me të cilët të mëdhenjtë e botës po trajtojnë një sesion pune mbi temën “investimi për një të ardhme më të mirë, klimë, energji dhe shëndet”.

Ndërkohë, drafti i konkluzioneve që qarkullon flet për hipotezën “e përdorimit të të ardhurave nga tarifat e importeve nga Rusia për të mbështetur Ukrainën”. "Ne do të godasim në zemër të makinës luftarake të Putinit," tha kryeministri britanik Boris Johnson, duke njoftuar synimin e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe Japonisë për të bllokuar importin e arit nga Rusia, një burim i rëndësishëm të ardhurash për Moskën që prodhon rreth 10 për qind në mbarë botën.

27 qershor 2022, 18:13