Ku ndodhet pistoleta e Ali Agçait?

Në librin “Papa duhet të vdiste. Historia e atentatit kundër Gjon Palit II”, Antonio Preziosi e përshkruan 13 majin 1981 duke u ndaluar në të gjitha hollësitë e kronikës, e sidomos, në ato historike e shpirtërore të atentatit. Tregon edhe një mori dëshmish të drejtpërdrejta. Atë të Motrës Letizia Giudici, për shembull, që “arrestoi terroristin Ali Agça!”. Murgesha kap një terrorist - dëshmi sigurisht e pazakontë kjo - e i kap edhe armë

R.SH. - Vatikan

Po, a është thënë gjithçka për Gjon Palin II? Botimet e reja kushtuar kësaj figure të papërsëritshme na sigurojnë se mbetet ende shumë për të thënë. Edhe për plagosjen, që duhet të përfundonte me vdekjen e Papës. Ndërsa njihet dorërasi, nuk është zbuluar akoma gërgasi, për shembull.  E nuk dihet as kush e armatosi Agçain… Pa llogaritur shumë hollësira të tjera, një prej të cilave e tregon, imzot Rino Fisichella, në parathënian e librit të ri, titulluar “Papa duhet të vdiste. Historia e atentatit kundër Gjon Palit II”, shkruar nga Antonio Preziosi.

Ku ndodhet pistoleta e Ali Agçait?

Në libër, autori e përshkruan 13 majin 1981 duke u ndaluar në të gjitha hollësitë  e kronikës, e sidomos, në ato historike e shpirtërore të atentatit. Tregon edhe një mori  dëshmish të drejtpërdrejta. Atë të Motrës Letizia Giudici, për shembull, që “arrestoi terroristin Ali Agça!”. Murgesha kap një terrorist - dëshmi sigurisht e pazakontë kjo -  e i kap edhe armën nga dora… Prej këndej, pyetja: ku shkoi arma?

Tregon imzot Fisichella:  “Disa vjet më parë, duke vizituar Wadowicen, vendlindje  e Karol Wojtylës,  shkova edhe në muzeun kushtuar Burrit të Madh, të lindur pikërisht në atë shtëpi modeste. Ndërmjet shumë sendesh  shtëpiake, pashë sakaq pistoletën  që qëlloi mbi Gjon Palin II, për ta vrarë. Meshtari, që më shoqëronte, më tha me keqardhje se së shpejti arma do t’i dorëzohej pronarit të ligjshëm. Jo Agçait, kuptohet! Atij, që vijon në njëmijë mënyra t’i bëjë dredha lakut.

Arma ishte pronë e shtetit italian, leja e të cilit për ta mbajtur armën në muze tashmë kishte skaduar. Pas disa muajsh - shkruan imzot Fisichella në parathënie të librit të ri - mora një letër nga kardinali Dziwisz. Më kërkonte të ndërmjetësoja për zgjatjen e afatit të mbajtjes së armës në muze. Ishte koha e Jubileut të Mëshirës e, për shumë arsye, bisedoja me ministrin Andrea Orlandi. I kërkova një takim e, gjatë bisedës i thashë: “E po ju, ç’ju duhet pistoleta, që kërkoni t’jua dorëzojmë?… Doni ta mbyllni në ndonjë magazinë? Ta bëni të heshtë?. Ndërsa aty ku është, në muze, vijon të flasë. Sepse gryka e pushkës vret, por edhe flet! E jo vetëm për atentatin e paharrushëm  të 13 majit 1981, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Romë. Flet me grykën e të gjitha armëve…

Ai qeshi e më kërkoi të bëja një lutje…. Pistoleta e Ali Agçait është akoma në muzeun e Wadovices!

03 korrik 2021, 12:54